Sport

Aliaj: Procesi i rritjes së lojtarëve, problemi më i madh në futbollin kosovar

Amir Rrahmani, Milot Rashica, Vedat Muriqi, Edon Zhegrova janë futbollistë të rritur në Kosovë që kanë arritur të depërtojnë drejt klubeve të mëdha evropiane. Të gjithë luajnë në ligat më të forta të futbollit evropian.

Rrahmani, që ka luajtur te Kosova e Prishtinës, Ramiz Sadiku e Drenica, tani vesh fanellën e Napolit në Serie A. Përderisa te Drenica ka marr 250 euro në muaj, tani vlera e tij është 22 milionë dhe ai fiton gati dy milionë euro në vit. Në elitën e futbollit italian luan edhe Vedat Muriqi, i cili ka qenë pjesë e Lirisë së Prizrenit, kurse sot mbron ngjyrat e Lazios.

Ish-futbollisti i Vushtrrisë, Milot Rashica, është pjesë e Norwichit në Premier League, kurse Edon Zhegrova, i rritur te Flamurtari dhe Prishtina, është transferuar këtë muaj te Lille në Francë.

Ka edhe disa lojtarë të tjerë që nga Kosova kanë arritur të depërtojnë dhe të luajnë në kampionate të ndryshe evropiane, por të nivelit pak më të ulët.

Lirim Kastrati vesh fanellën e Legias në Poloni, kurse më herët ka luajtur edhe për Lokomotivën dhe Dinamon e Zagrebit në Kroaci. Florent Hasani nga Trepça ’89 kishte kaluar në Diosgyori i Hungarisë, kurse tani luan për ekipin tjetër hungarez Gyirmot.

Arb Manaj nga Trepça ’89 u transferua në kategorinë e dytë të futbollit në Turqi, ku vazhdon të luajë ende. Në të njëjtën ligë luan edhe Jetmir Topalli.

Drejt kategorisë së dytë zvicerane janë transferuar Liridon Bala e Milot Avdyli, ndërsa ka pasur kalime edhe në kampionatin kroat.

Ka edhe raste kur lojtarët nga Kosova kanë provuar karrierën në vende tjera, por pa shumë sukses.

Ndërkohë ,në këtë afat kalimtar asnjë lojtar nga Kosova nuk ka dalë në klube evropiane. Në verën e vitit të kaluar Mirlind Daku u kthye te Osijeku pasi ishte i huazuar te Ballkani. Arbër Hoxha kaloi te Lokomotiva e Zagrebit. Në të njëjtin klub ishte transferuar edhe Hajdin Salihu nga Llapi, i cili nuk pati hapësirë dhe tani është huazuar te Laçi në Shqipëri.

Menaxheri Adrian Aliaj mendon se problemi më i madh në Kosovë është procesi i rritjes së lojtarëve. Ish-reprezentuesi i Shqipërisë thotë se nuk ka trajnerë të duhur që punojnë me lojtarë nga grupmoshat e deri tek ekipi i parë.

“Problemi më i madh në Kosovë, por edhe në disa vend të tjera, është procesi i rritjes së lojtarit. Rritja e lojtarit dhe formimi i tij janë shumë të komplikuara dhe delikate. Procesi i rritjes së lojtarit është gjëja më e rëndësishme. Klubet duhet të jenë të organizuara. Dallon shumë të jesh trajner i të rinjve dhe të jesh trajner i ekipit të parë. Nuk kemi trajner të duhur pasi lojtari kalon nga 14-16, 16-18 dhe kur arrin moshën 22 vjet ai duhet të jetë i formuar dhe më pas të bëjë hapa të tjerë”, ka thënë Aliaj për KOHËN të hënën.

Sipas tij, lojtarë kosovarë që po dështojnë në klubet evropiane janë të papërgatitur.

“Arsyeja që lojtarët nga Kosova shkojnë në klubet evropiane dhe nuk ia dalin të kenë sukses duke u kthyer sërish, është se janë të papërgatitur në shumë aspekte. Nuk janë të gatshëm, sepse procesi i zhvillimit të tyre nuk është bërë si duhet, nga moshat e deri tek ekipi i parë. Nuk janë të gatshëm dhe këtu po flasim për një nivel mesatar siç është Kroacia, sepse për top-ligat as që bëhet fjalë”, u shpreh Aliaj.

Ai menaxhon futbollistin e Napolit, Amir Rrahmani. Thotë se Rrahmani duhet të shihet si lojtar shembull nga të gjithë.

“Amir Rrahmani është shembulli më i mirë që duhet të merret dhe këtë ua them të gjithë trajnerëve, presidentëve të klubeve të gjithë të tjerëve. Nga Kosova ku ka luajtur, doli te Partizani që është nivel më i lartë. Pastaj shkoi në Split, prej nga u transferua në Dinamo. Nga Dinamo në Verona dhe sot luan te Napoli. Është një proces perfekt që ka bërë, por këtu duhet thënë se varet shumë edhe nga karakteri i lojtarit dhe dëshira që ai ka për të arritur suksese. Merita të mëdha kemi edhe ne që e kemi menaxhuar. Jemi njerëz profesionistë që kemi kaluar vetë nëpër këto procese”, deklaroi Aliaj.

“Rruga e Muriqit ka qenë më e vështirë se sa e Rrahmanit. Nga Kosova ka kaluar në Shqipëri, ku ka luajtur për disa skuadra dhe më pas është transferuar në Ligën e Dytë të Turqisë. Nga atje kaloi në Superligë dhe sot luan në Serie A. Zhegrova ka qenë një nga talentet më të mëdha, por është llastuar pak nga njerëzit që e kanë menaxhuar dhe i kanë qëndruar afër. Tani që u poq te Baseli, ai doli që të kalojë në Francë. Por ende ka punë për të bërë. Emri i radhës te Kosova që do të shpërthej është Emir Sahiti”.

Sipas Aliajt, Amir Rrahmni nuk është në shitje dhe është potencial për t’u bërë edhe kapiten i Napolit.

“Amir Rrahmani po luan në nivelin më të lartë. Është lojtar titulluar te Napoli. Atë e duan të gjithë në klub, edhe tifozët. Amiri është lojtar që është lindur për të luajtur në nivele të larta dhe është potencial për t’u bërë kapiten i Napolit. Amiri nuk është në shitje. Nëse ai do të largohej, mund të transferohej në klubet e mëdha, si Arsenal, Chelsea apo Atletico Madrid. Pra, po flasim për nivele të larta të klubeve evropiane”, deklaroi Adrian Aliaj.

“Unë menaxhoj dhe Mërgim Vojvodën, i cili ka pasur rrugë më të lehtë për t’u bërë lojtar pasi është rritur dhe formuar në Belgjikë. Është lojtar kualitativ dhe mund të luajë në secilin klub evropian. Ai ka paraqitje shumë të mira te Torino këtë edicion”.

Aliaj tregon për një talent që po rritet në Kosovë. Thotë se Ardi Tershani do të transferohet te Dinamo Zagrebi në verë.

“Një talent i madh që po rritet në Kosovë është Ardi Tershani. Ai luan te 2 Korriku dhe menaxhohet nga kompania që unë e drejtoj ‘Soccer 11’. Për Tershanin që është i lindur në vitin 2004 ka shprehur interesim Dinamo Zagrebi. Ai mund të kalojë te Dinamo në verë. Përfaqësuesit e Dinamos kanë qenë në Kosovë dhe e kanë parë lojtarin. Mbajeni në mend, është lojtari më i talentuar aktualisht në Kosovë”, përfundoi Aliaj.