Trent Alexander-Arnold është në rrugë të mirë për t’u rikthyer në formën më të mirë fizike për duelin e sezonit kundër Manchester Cityt, kanë njoftuar të enjten mediat angleze.
Liverpooli luan ndaj Cityt më 10 prill.
Mbrojtësi i krahut të djathtë është duke u shëruar nga zgjatja e muskulit, lëndim ky që e la jashtë grumbullimit me Anglinë për duelet miqësore të muajit mars. I mungoi Liverpoolit edhe në fitoren 1:0 kundër Nottingham Forestit në Kupën FA.
Ai do të mungojë kundër Watfordit të shtunën në “Anfield”, dhe nuk pritet të luajë ndaj Benficas në duelin e parë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve të martën.
Alexander-Arnold në edicionin aktual ka shënuar dy gola dhe ka kontribuuar me 17 asistime.