Është nga Podujeva, por po i prin me mjaft sukses sulmit të Malishevës, skuadër që është afër inkuadrimit në Superligë, për herë të parë në histori. Përveç që është golashënuesi më i mirë i ekipit, është shënuesi më i mirë edhe i Ligës së Parë, në të dyja grupet.
Bëhet fjalë për Albion Rrahmanin, djalin e ish-futbollistit të njohur kosovar, Driton Rrahmani. Albioni ka shënuar 15 gola për Malishevën në kampionat dhe një në Kupë. Prej tyre, 12 i ka realizuar në stinorin pranveror.
Rrahmani ka thënë për KOHËN se shpreson që të ecë hapave të babait të tij dhe ta bëjë atë krenar një ditë.
“Jam duke shkuar hapave të prindit, pasi edhe ai ka pasur një karrierë shumë të mirë, ka qenë lojtar i mirë dhe i njohur në Kosovë. Babai im më ka këshilluar dhe më ka ndihmuar shumë, pasi më ka folur për atë që ka kaluar edhe vetë. Shpresoj që edhe unë jam duke e bërë më të mirën dhe ta bëj krenar një ditë”, tha Rrahmani.
Përveç Ligës së Parë, Rrahmani ka qenë golashënuesi më i mirë edhe në Ligën e Dytë, kur luante te Minatori i Magures dhe Bashkimi i Koretinit. Thotë se është ndjesi e mirë kur e vlerësojnë të tjerët.
“Epitetin e golashënuesit më të mirë nuk do ta quaja barrë, por një kënaqësi shumë të madhe, pasi edhe qytetarët po ma bëjnë një respekt të veçantë dhe kjo është një ndjesi shumë e mirë Normal që unë jam aty për të shënuar gola dhe nuk do të ndalem asnjëherë. Shpresoj që golat dhe sukseset të mos më ndalen asnjëherë, as mua e as klubit”, tha sulmuesi.
20-vjeçari thotë se Malisheva e meriton futjen në Superligë pas paraqitjeve të mira që ka pasur. Shton se janë vetëm dy finale larg Superligës.
“I kemi edhe dy finale që na presin, do të jenë dy finale të mëdha për ne, ndaj Trepçës dhe Vëllaznimit. Shpresoj dhe besoj shumë në ekipin tonë. Do të japim maksimumin dhe do t’i përfundojmë këto ndeshje ashtu si duhet, pra me fitore. Siç dihet, Malisheva është klub i ri dhe të gjithë qytetarët e kësaj Komune e presin që të shpallemi kampionë dhe të futemi në Superligë dhe ta shkruajmë historinë. Shpresoj që do t’ua ofrojmë atë ndjesi. Me pak fjalë mendoj që e meritojmë”.
Ai tregon se çka e veçon Malishevën dhe pohon se ka oferta nga disa klube.
“Jemi ekip simpatik, jemi luanë të vërtetë, edhe pse jemi të rinj në moshë. E kemi treguar edhe në fushë që kemi ekip shumë cilësor dhe dimë ta kontrollojmë ndeshjen 90 minuta. Ka shumë interesime të klubeve. Do të ulemi me menaxherin tim dhe do të bisedojmë së pari me Malishevën pas përfundimit të kampionatit dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjmë në vazhdim”, tha Rrahmani.
Ai pret ftesën e Kosovës U21.
“Nuk kam qenë i grumbulluar asnjëherë me Kosovën. Normal, si çdo lojtar i ri që ka dëshirë, edhe unë e pres ftesën. Shpresoj që të ma bëjnë ftesën. Kam dëshirë ta vesh fanellën dhe ta përfaqësojë vendin tim. Është një privilegj i madhe dhe shpresoj që të jem i ftuar së bashku me lojtarët tjerë”, përfundoi Rrahmani.
Si futbollist, Albion Rrahmani është rritur te Llapi në Podujevë, ku e ka fituar edhe titullin e kampionit me grupmoshën U19.