Ndeshjet në mes të Kosovës dhe Zvicrës do të jenë të veçanta për futbollistët e të dyja përfaqësueseve. Kjo për faktin se lidhja e Kosovës me Zvicrën është me madhe në futboll. Kosova ka futbollistë që në grupmoshat e reja kanë përfaqësuar Zvicrën, e disa po ashtu luajnë për klubet e shtetit helvetik. Edhe Zvicra ka Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën që janë nga Kosova. Madje ata janë yjet më të mëdhenj të Zvicrës.
Kosova e Zvicra janë në një grup në eliminatoret për Euro 2024. Shorti u tërhoq të dielën, kurse ndeshjet luhen vitin tjetër.
Përballjet në mes të Kosovës dhe Zvicrës do të jenë të veçanta edhe për Albert Bunjakun. Ish-sulmuesi Bunjaku ka luajtur për dy përfaqësueset.
“Do të jetë e vështirë ndarja, por them se 51 % jam me Kosovën dhe 49 % për Zvicrën”, tha Bunjaku të hënën për KOHËN.
Bunjaku u lind në Gjilan në vitin 1983 dhe më vonë u shpërngul në Cyrih me familjen e tij, në moshën 7-vjeçare.
Kosova dhe Zvicra janë në grupin I bashkë me Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën.
Bunjaku, që muaj më parë i dha fund karrierës si futbollist, thotë se Kosova do të respektohet nga Zvicra.
“Është një short i mirë për Kosovën, por ndeshjet kundër Zvicrës do të jenë të vështira. Megjithatë Kosova është rritur, pasi shumë lojtarë tashmë janë në liga të forta të Evropës dhe kjo e bën që edhe Zvicra të ketë respekt për Kosovën”, është shprehur Bunjaku.
Më 9 shtator të vitit të ardhshëm në Prishtinë luhet takimi i parë në mes të Kosovës dhe Zvicrës, ndërsa më 18 nëntor është ndeshja Zvicra-Kosova.
Bunjaku pret që kërkesa për të siguruar biletë si në Kosovë, ashtu edhe në Zvicër të jetë e madhe. Në Zvicër jeton një komunitet i madh shqiptarësh dhe ndeshjet me Kosovën pritet të jenë emocionale.
“Do të jetë një ndeshje emocionale për futbollistët e Kosovës dhe për Granitin e Xherdanin. Do të jenë dy ndeshje që do të zgjojnë interes të madh, do të ketë shumë shikues”, ka theksuar Bunjaku.
Kosova dhe Zvicra janë takuar një herë. Më 29 mars të këtij viti luajtën ndeshje miqësore në Cyrih. Në stadiumin e mbushur ndeshja pati përfunduar baras, 1:1. Por, Bunjaku thotë se ndeshjet kualifikuese dallojnë nga ato miqësore.
“Zvicra është favorite e grupit, por e shoh Kosovën që ka gjasat e saj. Është momenti i Kosovës për t'u kualifikuar në Evropian. Besoj se ka ekip të pjekur tashmë për ta shkruar historinë”, thotë Bunjaku.
Bunjaku i ishte bashkuar Kosovës në vitin 2014. Luajti në miqësoren e parë zyrtare, atë ndaj Haitit. Më pas shënoi golin e parë të Kosovës në ndeshjet e njohura nga FIFA-s. Realizoi ndaj Turqisë në miqësore, më 21 maj të vitit 2014. Shënoi edhe golin e parë pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Më 3 qershor të vitit 2016, Bunjaku shënoi golin e parë në fitoren 2:0 ndaj Ishujve Faroe, në miqësore. Në total për Kosovën ka shënuar tre gola në gjashtë ndeshje. Para se ta përfaqësonte Kosovën, 38-vjeçari luajti për Zvicrën. I kishte gjashtë ndeshje. Ai madje luajti me Zvicrën kundër Kilit në Kupën e Botës në vitin 2010.
“Edhe për mua që kam luajtur për të dyja përfaqësueset do të jetë e vështirë, sepse në të dyja kam përvojë të mirë. Unë kam lindur në Kosovë, por jam rritur në Zvicër. Periudha te Kosova ka qenë pak më e vështirë, pasi nuk kishim edhe aq shumë mundësi e kushte siç i kanë tash lojtarët e Kosovës. Në kohën time lojtarët luanin në liga të dyta, ndërsa tani kemi Vedat Muriqin që luan në La Liga, Amir Rrahmanin në Serie A. Pra niveli është më i lartë”, ka thënë golashënuesi i spikatur.
Bunjaku pati paraqitje impresive në Bundesligën e Gjermanisë me ekipin e Nuernbergut. Në Bundesligë shënoi 13 gola. 16 gola i ka shënuar në Bundesliga 2 e 15 në Superligën e Zvicrës. Golat nuk i munguan edhe në kategorinë e tretë dhe të katërt gjermane. Tani ai është trajner futbolli për kategori të reja. Synon suksese edhe si trajner futbolli.