Sport

Alban Veseli përshëndetet nga basketbolli me fotografinë e veçantë

Alban Veseli ka zgjedhur një fotografi të veçantë për të shoqëruar njoftimin se i ka dhënë fund karrierës si basketbollist. Fotografia është e dhjetorit të vitit 2016, kur Veseli ishte lojtar i Pejës.

Pas gati dy dekadave karrierë si profesionist dhe trofeve të shumtë të fituar, Veseli ka vendosur të tërhiqet. Gjatë karrierës në basketbollin kosovar kishte shumë momente të mira e emocionale. Por për përshëndetje zgjodhi fotografinë që për të ka vlerën më të madhe.

Në fotografi shihet derisa po e festonte fitoren e Pejës ndaj Sutjeskës, në kuadër të Ligës Ballkanike. Ndeshja ishte zhvilluar më 7 dhjetor të vitit 2016 në palestrën “Karagaçi”. Veseli, tani 33-vjeçar, ishte më i merituari për atë fitore. Peja ishte në disavantazh 74:73 përpara se Veseli të qëllonte për tri pikë, në sekondat e fundit, për rezultatin përfundimtar 76:74.

Ajo mbetet fitorja më e veçantë për Alban Veselin, për faktin që në palestër ishte nëna e tij. Atë fitore Veseli ia kushtoi nënës. Në fakt, ishte hera e vetme që nëna e basketbollistit të njohur kosovar kishte marrë guximin për të shkuar në palestër, për ta shikuar të birin nga afër.

Krahas Veselit dhe tifozëve të Pejës, që shihen në fotografi duke festuar fitoren ndaj Sutjeskës, shihet edhe nëna e basketbollistit. Ajo me duartrokitje dhe buzëqeshje shprehte krenarinë për suksesin e të birit.

“Është ndeshja e vetme në të gjithë karrierën time që nënën e kam pasur në palestër dhe për këtë arsye e kam postuar këtë fotografi për t’u përshëndetur nga basketbolli. Është e veçantë për mua dhe asnjëherë nuk do ta harroj atë ndeshje apo atë moment. Ishte hera e parë, që ajo mori guximin për të ardhur në palestër që të më shikoj dhe pikërisht në atë ndeshje ia sigurova Pejës fitoren me treshen e shënuar në fund të ndeshjes. Prandaj kjo fotografi ka domethënien më të madhe në karrierën time”, ka treguar Veseli për KOHËN, të hënën. Po të hënën, ai njoftoi për tërheqje nga basketbolli.

Kur flet për karrierën, Veseli thotë se ndihet i përmbushur në çdo aspekt. Nuk i ka mbetur asgjë merak. Është njëri prej basketbollistëve më të dekoruar në Kosovë.

Ka fituar hiç më pak se dhjetë tituj kampioni, ndërsa sa i përket Kupave dhe Superkupave, thotë se nuk e di numrin e tyre. Ka shumë medalje në shtëpi.

“Dhjetë tituj të kampionit i kam fituar, ndërsa sa i përket sukseseve tjera më duhet t’i numëroj medaljet që i kam në shtëpi. Megjithatë, dhjetë tituj kampioni t’i fitosh dhe atë me dy skuadra të ndryshme gjatë karrierës nuk është pak”, shprehet Veseli.

Më të rëndësishme se trofetë, e vlerëson shoqërinë që e ka krijuar gjatë karrierës së gjatë si basketbollist. Tetë tituj i ka fituar me fanellën e Prishtinës, ndërsa dy të tjerë me Pejën. Dy titujt e fundit që Peja i ka fituar, në vitin 2013 dhe 2023, Veseli ishte pjesë e ekipit.

Ai tregon se muaj më parë kishte vendosur t’i jepte fund karrierës, por hatri i djalit e shtyu vendimin edhe për pak kohë. Pasi fitoi titullin me Pejën edicionin e shkuar, Veseli iu bashkua Sigal Prishtinës këtë edicion, por u tërhoq në qetësi për shkak se nuk e kishte vullnetin për të vazhduar më tej.

“Vetëm për shkak të djalit shkova te Prishtina në këtë edicion, por nuk e kisha vullnetin si më herët dhe vendosa të largohem. Realisht pas titullit të fituar me Pejën e kam përmbyllur karrierën time për shkak se vendimin veçse e kisha marrë”, tregon basketbollisti nga Drenasi.

Krahas Prishtinës e Pejës, Veseli ka luajtur edhe për Rahovecin, Bashkimin, Ponte Prizrenin e Golden Eagle Yllin. Rregullisht ka qenë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, kurse me Pejën e Prishtinën ka luajtur në garat e FIBA-s. Është shquar për gjuajtjet e sakta për tri pikë, por edhe kontributin që ka dhënë për ekipin.

“Po largohem i përmbushur në çdo aspekt. Me bindje të plotë mund të them se nuk e kam asnjë peng në karrierën time. Krahas karrierës në nivel klubesh, kam qenë edhe pjesë e Kosovës prej themelimit deri në vitin e fundit”, thotë Veseli.

Karriera e Veselit si profesionist ka nisur shumë herët. Si fëmijë i ishte bashkuar shkollës së basketbollit Prishtina, ku trajner ishte Ibrahim Karabegu. Ndërsa në moshën 15-vjeçare ishte ftuar në ekipin e parë nga trajnerët Arben Krasniqi e Fikret Shatri. Sukseset në karrierë ua atribuon këtyre trajnerëve, ndërsa nuk e harron as Aleksandar Todorovin, i cili thotë se i ka dhënë shtytje të madhe.

“Me 15 vjet jam ftuar në ekipin e parë dhe 18 vjet kam karrierë si profesionist në basketbollin kosovar. Mund të them se i kam tejkaluar të gjitha parashikimet e mia, pasi kur kam filluar nuk kam pritur të jem kaq i suksesshëm. Në përgjithësi jam shumë i kënaqur me të gjitha arritjet e mia si basketbollist”.

Gjatë karrierës, Veseli ka bartur fanellën me numrin 8. Thotë se nuk ka pasur ndonjë domethënie të veçantë, por thjeshtë i ka pëlqyer ky numër. Trashëgiminë e këtij numri dhe mbiemrit Veseli, pret që ta vazhdoj djali i tij, Dajeni, që është nëntëvjeçar dhe tashmë merret me basketboll.

Alban Veseli thotë se do t’i përkushtohet biznesit të tij, ndërsa në të ardhmen nuk e përjashton mundësinë që të kthehet në basketboll, por në ndonjë rol tjetër. Veseli është pronar i kompanisë “D-Project” që merret me instalime elektrike nëpër objekte, të cilën e ka themeluar dy vjet më parë.