Sport

Alaj: Punimet në “Adem Jashari” nuk kanë nisur për shkak të koronavirusit

Punimet për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë pritet të fillojnë pasi të kalohet situata me koronavirusin.

Kështu të paktën thotë Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Alaj ka theksuar se punimet nuk kanë filluar vetëm për shkak të pandemisë së koronavirusit e jo për ndonjë arsye tjetër, raporton Koha.net.

Të shtunën FFK-ja ka thënë se po e shqyrton mundësinë që të kërkojë rilicencim të stadiumit në Mitrovicë, që ai të shfrytëzohet për ndeshje parakualifikuese të Championsit, që FFK-ja synon t’i organizojë sërish.

Ndeshjet parakualifikuese të edicionit të ardhshëm të Championsit nuk pritet të luhen para muajit gusht. Kështu deklarata e FFK-së mund të interpretohet edhe si presion ndaj MKRS-së për të nisur punimet për rinovimin e stadiumit. Punimet në fakt është dashur të nisin shumë më herët.

“Punimet nuk kanë filluar akoma për arsye të koronavirusit Covid – 19, pasi tash i kemi bërë të gjitha parapërgatitjet, duke përzgjedhur mbikëqyrjen e punimeve. Por në këtë situatë pandemie, të gjitha palët e përfshira në realizimin e projektit, prioritet e kanë shëndetin. Në momentin e krijimit të kushteve, do të fillohet me punime”, ka thënë Alaj për Koha.net, pa dhënë ndonjë datë të saktë.

Ibër Alaj ka treguar se UEFA ka kërkuar që Kosova të ketë së paku dy stadiume të kategorisë së katërt ku mund të luhen ndeshjet parakualifikuese dhe kualifikuese të të gjitha ekipeve përfaqësuese, por edhe të klubeve.

“Pas kërkesës, MKRS-ja ka ndërmarrë të gjitha veprimet ku në bashkëpunim me zyrtarët e UEFA-s, vitin e kaluar ne e prezantuam konceptin e projektit, për të vazhduar me procedura sipas kontratës me kontraktuesit, me qëllim që stadiumi të ndërtohet sipas planit dinamik, të planifikuar të përfundojë në vitin 2021”, ka thënë Alaj.

Ai ka treguar se projekti ka marrë miratimin e UEFA-s.

“Më pas iu kemi nënshtruar procedurave ligjore sipas kontratës, që të marrim kushtet ndërtimore dhe bashkimin e parcelave, ku projekti shtrihet në konfiguracionin e terrenit. Institucionet e Kosovës po punojnë intensivisht që të përmbushin të gjitha kriteret e parapara me standarde në fushën e infrastrukturës së sportit. Pra projekti është prezantuar në UEFA dhe i njëjti është konfirmuar që stadiumi olimpik ‘Adem Jashari’ të ngritët nga kategoria e dytë në kategorinë e katërt, në pajtueshmëri me rregulloret”, ka thënë Alaj.

Aktualisht vetëm stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë është i licencuar për ndeshje ndërkombëtare. Më parë ishte i licencuar edhe “Adem Jashari”, por jo për ndeshje zyrtare të përfaqësueses A. Në të janë luajtur ndeshje ndërkombëtare të përfaqësueseve dhe të klubeve. Përfaqësuesja A e futbollistëve në Mitrovicë ka luajtur vetëm miqësore.

Image