Marshimi i pamëshirshëm i Manchester Cityt drejt titullit të Premier Leagues mund të gjurmohet në mëngjesin e 6 shkurtit, kur klubi u godit me më shumë se 100 akuza për çështje financiare. City nuk ka humbur asnjë ndeshje në asnjë garë që atëherë dhe është në rrugën e duhur për të fituar tre trofe. Klubi nga Manchesteri ka kaluar në finalet e Ligës së Kampionëve dhe Kupës FA.
Ndonëse akuzat e bëra nga Premier League duket se kanë shënuar një pikë kthese në edicionin potencialisht më të suksesshëm në historinë e klubit, ato vazhdojnë të hedhin re mbi dominimin e Cityt në futbollin anglez. City ka qenë klubi kryesor i Anglisë për më shumë se një dekadë, falë mbështetjes luksoze të familjes në pushtet të Abu Dabit. Klubi u ble nga sheiku Mansour bin Zayed Al Nahyan në vitin 2008.
Triumfi i fundit në kampionat ishte i pesti i klubit në gjashtë vjet dhe i shtati në 11 vjetët e fundit. Të dielën, ndërsa City festoi me tifozët e tij në “Etihad Stadium”, nuk kishte asnjë shenjë që çështjet jashtë fushës po shkaktonin shqetësim të panevojshëm te tifozët ose lojtarët. Në vend të kësaj, trofeu u ngrit në brohoritje dhe me plot entuziazëm. Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, foli për synimin e tij për të udhëhequr klubin drejt trofeut të parë në Ligën e Kampionëve kundër Interit në Stamboll më 10 qershor.
“Ne kemi ndjenjën se kemi bërë diçka të jashtëzakonshme për sa i përket Premier Leagues, por sigurisht që të konsiderohemi si një nga më të mëdhenjtë në Evropë, duhet të fitojmë Ligën e Kampionëve”, tha Guardiola, i cili ka fituar 10 trofe të mëdhenj në shtatë vjet në klub.
Dominimi i vazhdueshëm i Cityt, megjithatë, po bën që disa të shikojnë sërish akuzat kundër tij, me një shkrim në një gazetë britanike javën e kaluar, duke pyetur nëse ishte “skuadra më e madhe apo ajo e ndërtuar mbi vite të mashtrimit?”.
City akuzohet se ka dhënë informacione të pasakta për financat gjatë një periudhe nëntëvjeçare, nga viti 2009 deri në vitin 2018 – një periudhë në të cilën fitoi tre tituj dhe angazhoi disa nga lojtarët më të mirë në botë, si Yaya Toure, Sergio Aguero dhe Kevin de Bruyne. Gjatë asaj kohe City ndryshoi peizazhin e futbollit evropian duke u bërë një nga skuadrat më të fuqishme në sport. Shpenzimet e mëdha të klubit kanë ofruar themelin për suksesin dhe kanë shkaktuar pyetje nëse dikush mund të ndalojë dominimin e Cityt.
Akuzat e Premier Leagues erdhën pas një hetimi katërvjeçar dhe publikimit të emaileve dhe dokumenteve të zbuluara, me gjasë të hakuara. Ato u publikuan duke filluar nga viti 2018 nga revista gjermane “Der Spiegel”. Dokumentet dyshohet se treguan përpjekje për të mbuluar burimin e të ardhurave të klubit, në një përpjekje për të respektuar rregullat e ferplejit financiar të vendosura nga organi evropian i futbollit UEFA dhe Premier League. UEFA krijoi rregullat e saj pas krizës financiare globale 15 vjet më parë, për të monitoruar të ardhurat dhe shpenzimet e klubeve që luajnë në garat evropiane si Liga e Kampionëve. Qëllimi ishte stabiliteti financiar në industri, duke siguruar që shpenzimet të balancoheshin me fitimet, të cilat përfshinin mosfryrjen e marrëveshjeve të sponsorëve me kompanitë e lidhura me pronarët e klubeve.
Kritikët thanë se rregullat mbronin klubet e njohura me baza të mëdha tifozësh nga sfidat e rivalëve të rinj me pronarë të pasur, si Manchester City e Paris Saint-Germaini. Nëse shpallet fajtor nga hetimi i Premier Leagues, City përballet me dënime aq të rënda sa heqja e pikëve apo edhe përjashtimi nga divizioni më i lartë i futbollit anglez. City tashmë kishte një ndalim dyvjeçar nga garat evropiane, të anuluara nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në vitin 2020, pasi një panel i caktuar nga UEFA gjeti “shkelje serioze” të rregullave financiare nga viti 2012 deri më 2016.
Por ndërsa CAS tha se disa akuza nuk mund të gjykoheshin për shkak të një statuti kufizimesh në rregullat e UEFA-s, asnjë afat kohor nuk e pengon hetimin e Premier Leagues. CAS-i gjithashtu gjobiti Cityn me 10 milionë euro për dështimin për të bashkëpunuar me hetuesit e UEFA-s. Një email i brendshëm i paraqitur nga “Der Spiegel” sugjeroi që City favorizonte një luftë ligjore me autoritetet e futbollit, duke vënë në dukje se bordi i klubit “më mirë do të shpenzonte 30 milionë për 50 avokatët më të mirë në botë për të paditur UEFA-n për 10 vjetët e ardhshëm” sesa të pranonte fajin dhe të ndëshkohej.
Premier League ka paraqitur rreth 80 shkelje të supozuara të rregullave të saj financiare dhe ka akuzuar Cityn për 30 të tjera, të cilat lidhen me dështimin e supozuar për të bashkëpunuar me hetimin. Si përgjigje, City tha në një deklaratë në shkurt se kishte “prova të pakundërshtueshme” për ta vendosur çështjen “një herë e përgjithmonë”.
Guardiola dha një përgjigje më të pasionuar kur adresoi akuzat disa ditë pasi ato u shpallën.
“Mendimi im i parë është se ne tashmë po dënohemi”, tha ai përpara se të shtonte se ishte “plotësisht i bindur se ne do të jemi të pafajshëm”.
Humbja e fundit e Cityt erdhi një ditë përpara se të shpalleshin akuzat, kur u mund nga Tottenhami 1:0 dhe ishte pesë pikë prapa liderit të atëhershëm, Arsenal. City megjithatë ka arritur një tjetër titull dhe mund të bëhet vetëm skuadra e dytë angleze që fiton tre trofetë kryesorë në një edicion të vetëm. Megjithatë, mbetet për t'u parë nëse mund ta pastrojë emrin jashtë fushës.