Sport

Akuzat e rënda të Eroll Salihut për Agim Ademin dhe drejtuesit e tjerë të FFK-së

Ish-sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka shkruar të enjten një letër të fuqishme dhe me plot akuza të rënda për drejtuesit aktualë të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Salihu letrën ia ka dërguar kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. Letra interne, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA nga burime të afërta me FFK-në, është shkruar nga Salihu, pasi Federata shpalli zgjedhjet për kryetar. Zgjedhjet do të mbahen më 6 prill.

Salihu, njohës i mirë i çështjeve ligjore, sidomos të atyre që kanë të bëjnë me futbollin, ka vlerësuar se zgjedhjet janë të paligjshme. Ai ka përmendur disa arsye për një vlerësim të tillë.

Salihu vazhdon të jetë pjesë e Federatës së Futbollit të Kosovës. Por jo më si sekretar i përgjithshëm. Ai mban një pozitë më pak të rëndësishme. Ka kohë që Salihu ka mospajtime me kryetarin aktual të FFK-së, Agim Ademin. Ka pasur dyshime edhe për konflikte fizike mes tyre, që janë mohuar nga të dy.

“Kur njerëzit e pafajshëm po vdesin në Ukrainë për të mbrojtur atdheun e tyre, ne po i shesim vlerat që janë krijuar me gjak. Nuk i kemi mbushur as 5-6 vjet në UEFA dhe FIFA dhe ne po e tradhtojmë rininë tonë dhe vlerat tona. Tash e tre vjet në FFK flitet vetëm për gjykata, përgjime, spiunazhe, manipulime, shantazhe, rrahje të kryetarit me të tjerët, kërcënime e shumëçka tjetër”, shkruan në letrën e gjatë të Eroll Salihut, që pjesë e FFK-së është për kohë shumë të gjatë.

“Unë nuk punoj për Agim Ademin e as për ju, por për Federatën e Futbollit të Kosovës për të cilën kam dhënë shumëçka në kohërat më të vështira. Çfarë mesazhi u dërgoni fëmijëve tuaj, futbollistëve tanë, opinionit publik e komunitetit ndërkombëtar të futbollit kur bëni gjëra të tilla?”, ka pyetur Salihu.

Ai madje shpreson që drejtuesit e FFK-së të reflektojnë dhe ta anulojnë vendimin për thirrjen e Kuvendit Zgjedhor më 6 prill. Por, ka dyshime se kjo do të ndodhë.

“Ose këtë do ta bëjnë klubet, Ministria dhe gjykata respektive, e ju do të përgjigjeni para ligjit dhe atyre që ju kanë votuar”.

Në letër, Salihu thotë se asnjëherë nuk ka dashur të konkurrojë për kryetar të FFK-së dhe nuk do të konkurrojë as tani. Salihu ka shkruar se për të do të ishte më e lehtë të heshtte, porse nuk ka mundur ta bëjë këtë.

Ai është edhe në krye të Këshillit të Arbitrazhit Sportiv të vendit.

“Si mund të jem i drejtë në ‘KAS’ të Kosovës ku jam kryetar për të gjitha federatat në konteste juridike e të heshti për parregullsi në Federatën time? Jam i gatshëm të bart pasojat eventuale dhe të përgjigjem për çdo gjë që kërkon komuniteti i futbollit”, ka shkruar tutje Salihu.

Ai mban pozitën e drejtorit të përgjithshëm sportiv të FFK-së dhe të këshilltarit të lartë ligjor.

Salihu u është drejtuar Agim Ademit dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv se me shpalljen e vendimit për Kuvend Zgjedhor edhe një herë kanë treguar për moskokëçarjen e tyre për Statut, ligje e për norma morale.

Salihu ka përmendur pikat që, sipas tij, e bëjnë të paligjshëm thirrjen e Kuvendit.

“Kuvendi zgjedhor është i paracaktuar për 3 korrik 2022, kur mbushen 4 vjet; Formalisht kuvendi duhet të thirret dy muaj më herët; Mandati i kryetarit zgjat katër vjet e jo 3,5 vjet; Mandati i kryetarit përfundon me vdekjen e tij, me dorëheqje, me shkarkimin e tij nga Kuvendi i FFK-së, me dënimin e Gjykatës me aktgjykim të plotfuqishëm (gjë që ka ndodhur), apo ndonjë rast tjetër të paraparë me ligj. Në këtë rast mund të konvokohet vetëm Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor dhe atë nëse ndonjë kusht i lartpërmendur është imponuar. Askund nuk shkruan se Kuvendi zgjedhor i rregullt mund të mbahet më herët. Dhe më e rëndësishmja, në muajin korrik struktura e delegatëve ndryshon. Ekipet e Superligës bien nga liga dhe u mbetet vetëm nga një votë, ndërsa ekipet që hyjnë e kanë një votë më shumë...”, ka shkruar Salihu.

Ai vlerëson se bëhet fjalë për manipulim zgjedhor, me apo pa vetëdije. Madje, ka shtuar se është dezinformatë që UEFA ka dhënë leje për mbajtjen e një Kuvendi, pasi, sipas Salihut, zyrtarëve të saj ua kanë fshehur faktin se struktura deleguese ndryshon.

Eroll Salihu ka shkruar për shkelje të rëndë të Statutit të FFK-së dhe Ligjit për sport.

Të mërkurën edhe kandidati për kryetar të FFK-së, Arianit Ahmeti, ka vlerësuar se është shkelur Statuti me thirrjen e Kuvendit Zgjedhor për 6 prill. Por FFK-ja, përmes një komunikate, ka mohuar të ketë ndonjë shkelje të Statutit.

Ndërkohë KOHA ka kërkuar nga FFK-ja përgjigje për akuzat e rënda dhe të shumta të Eroll Salihut. Nuk ka marrë përgjigje. FFK-ja ka kohë që nuk përgjigjet në pyetjet e KOHËS.

Edhe komunikimi me Eroll Salihun nuk ishte i mundur. Ai nuk e ka hapur telefonin.

Ka kohë që Agim Ademi dhe Komiteti Ekzekutiv, që udhëheq ai, përballet me akuza të ndryshme. Para disa javësh shumë akuza në drejtim të Ademit bëri edhe Afërdita Fazlija, ish-selektore e Kosovës te femrat. Akuzat e saj mbetën pa përgjigje zyrtare nga FFK-ja.

{gallery}