Sport

Akuza publike për keqpërdorime te “Feronikeli 74”, përmendet edhe FFK-ja

Pas fuzionimit shumë të dyshimtë, klubi i formuar vjet, Feronikeli 74, është promovuar në Superligën e Kosovës në futboll. Feronikeli 74 në vitin e parë luajti në Ligën e Parë, ndërsa fitoi grupin A.

Feronikeli 74 shfrytëzon asetet e klubit me nam nga Drenasi, Feronikeli, që ndali aktivitetin në mënyrë të paqartë. Feronikeli kishte obligime të mëdha të pashlyera, ndërsa krijimi i klubit të ri vlerësohet se ishte përpjekje për shmangie të borxheve.

Por ka dyshime që edhe Feronikeli 74 po funksionon në mënyrë të dyshimtë. Xhavit Drenori, udhëheqës i Iniciativës Qytetare “GREEN for Drenas”, përmes një postimi të bërë të premten mbrëma, ka lëshuar akuza të shumta për mënyrën e funksionimit të këtij klubi.

Ai ka shkruar se fuzionimi është bërë me “dallavere” dhe se ato po hetohen nga organet gjyqësore. Sipas Drenorit, për fuzionimin e dyshimtë është njoftuar MKRS-ja dhe së shpejti do të njoftohet edhe FIFA.

Ai ka akuzuar edhe FFK-në.

“FFK-ja ka bërë pagesë të kundërligjshme në llogari private të Erlind Krasniqit, mjete financiare të cilat kanë qenë të dedikuara për KF ‘Feronikelin’. Mjetet financiare të dedikuara për klubin nga shitja e të drejtave televizive, 12.500 euro dhe me vendim 25.000 euro, janë derdhur në llogari private, ndërsa KF ‘Feronikeli’ është OJQ. FFK-ja me vetëdije ka bërë pagesën në llogarinë private të Erlind Krasniqit, duke e ditur faktin se FIFA ka bllokuar llogaritë e KF Feronikelit për shkak të borxheve të papaguara ndaj futbollistëve. FFK-ja në vend se të respektojë ligjshmërinë dhe të zbatoj vendimin e FIFA-s, me vetëdije i ikë zbatimit të vendimit të FIFA-s dhe detyrimeve ndaj ATK-së. Duke e ditur situatën, me vetëdije FFK-ja ia mundëson Feronikelit fuzionimin me KF Fortunën dhe ia ruan rangun e njëjtë të garave, duke i shmangur përkohësisht detyrimet financiare që i ka të krijuara KF Feronikeli ndaj lojtarëve dhe ATK-së”, ka shkruar Drenori në emër të “GREEN për Drenas”.

Krasniqi është udhëheqës i Feronikeli 74, ndërsa sipas Drenorit, pagesat nga FFK-ja janë bërë vitin e kaluar.

KOHA i ka shkruar Federatës lidhur me akuzat publike të Iniciativës Qytetare “GREEN për Drenas”.

Feronikeli për disa vjet ishte klubi kryesor në vend. Ka fituar disa trofe, por më pas shpenzimet ishin dukshëm më të mëdha se të hyrat. Kjo solli borxhe të mëdha ndaj lojtarëve e trajnerëve. Shumë prej tyre janë ankuar në FIFA, por klubi ndërkohë, e ndali aktivitetin. Situata rreth Feronikelit ka mbetur e paqartë, ndërsa klubi i ri duhet të garojë në Superligë edicionin e ardhshëm.