Sport

Akuza ndaj tifozit që veshi fanellën me numrin 97

Një tifoz është akuzuar për një fanellë që kishte të bënte me 97 tifozët që vdiqën si rezultat i katastrofës së Hillsboroughit në vitin 1989. James White, 33-vjeçar nga Warwickshire, është akuzuar për shkak se ka shfaqur shkrime kërcënuese apo abuzive, të cilat mund të shkaktojnë ngacmime, panik apo shqetësime.

Ai duhet të paraqitet në gjykatë të hënën në Londër. Policia ka thënë se edhe 22 persona tjerë janë arrestuar në stadiumin “Wembley”, gjatë finales së Kupës FA që u zhvillua të shtunën. Manchester City e fitoi finalen 2:1 ndaj Manchester Unitedit. Tifozët e tjerë janë arrestuar për shkaqe të sulmeve, përplasjeve, posedim të drogës dhe për shkak të sjelljeve të tjera të pahijshme.

Të dielën, Federata e Futbollit të Anglisë ka thënë në një komunikatë se “nuk toleron abuzime që lidhen me Hillsboroughin apo me ndonjë tragjedi tjetër të futbollit”. Në tragjedinë e Hillsboroughit vdiqën 97 tifozë të Liverpoolit në gjysmëfinalen e Kupës FA ndaj Nottingham Forestit, në “Hillsborough Stadium” në Sheffield, më 15 prill të vitit 1989. Në fanellën e tifozit shkruhej në gjuhën angleze “not enough”, që përkthehet “jo mjaftueshëm”.