Akil Gjakova ka vazhduar ngritjen e madhe me një tjetër medalje të fituar në garat më të mëdha të xhudos. 22-vjeçari të shtunën fitoi medaljen e argjendtë në turneun Grand Prix që u mbajt në Hagë të Holandës.
Për Akilin ishte medalja e shtatë në vitin 2018, vitin bindshëm më të suksesshëm në karrierën e tij. Ai garoi në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa rrugës deri në finale mposhti xhudistë si Emmanuel Nartey (Ganë), Roy Schipper (Holandë), Miklos Ungvari (Hungari) e Anthony Zingg (Gjermani). Në finale pësoi nga rusi Musa Mogushkov, shkruan sot “Koha Ditore”.
Medalja në Hagë ishte e treta për Akilin brenda një kohe të shkurtër. Ai në Grand Slam në Abu Dhabi fitoi medalje të argjendtë, më 27 tetor. Më 2 nëntor fitoi medaljen e artë në kampionatin evropian për xhudistët deri 23 vjet.
Vitin e nisi me vend të dytë në Grand Prix të Tunisit, në janar. Më 10 shkurt arriti rezultatin më të mirë në karrierë kur u shpall kampion në turneun më të madh të xhudos, atë Grand Slam të Parisit. Në qershor fitoi titullin në Lojërat Mesdhetare, ndërsa në korrik ishte i pari në Grand Prix të Zagrebit.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)