Sport

Akili e Loriana në Taxhikistan, në kërkim të pikëve të reja olimpike

Në Dushanbe të Taxhikistanit të premten ka nisur gara e radhës e turit botëror të xhudos. Në Grand Prix të Dushanbe do të garojnë edhe dy xhudistët kosovarë, Akil Gjakova e Loriana Kuka. Akili e Loriana garojnë të shtunën.

Akil Gjakova garon në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa Loriana Kuka në kategorinë deri 70 kg. Për Lorianën është kategori e re në të cilën po testohet pas telasheve me formë që iu shfaqën në kategorinë deri 78 kilogramë. Për të dy synimi është i qartë – plasmani sa më i mirë në kërkim të formës sa më të mirë dhe pikëve të rëndësishme për ranglistën botërore, përkatësisht për ta siguruar normën olimpike.

Akili e Loriana janë në kërkim të normës për Lojërat Olimpike “Parisi 2024” dhe për të dy secila garë është e rëndësishme. Akili pas garës së kaluar u ngrit për dhjetë pozita në renditje. Tani është i 39-ti në kategorinë deri 73 kg. Në Grand Prix në Upper të Austrisë, Akili u rendit i shtati. Ishte plasmani i parë këtë vit për xhudistin më të mirë në vend.

Në kategorinë e re Loriana për një garë përparoi për 35 pozita. Tani është e 85-ta. Dukshëm më lart është në kategorinë 78 kg. Në Grand Prix në Austri, Loriana ishte e pesta.

“Synimi është zona e medaljeve. Si Akili ashtu edhe Loriana janë në ngritje të formës dhe këtë presim ta dëshmojnë edhe këtë fundjavë”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Në Taxhikistan po garojnë 315 xhudistë nga 40 shtete të ndryshme. Në kategorinë e Akilit janë 33 xhudistë, më së shumti prej të gjitha kategorive. Në kategorinë deri 70 kg janë 18 xhudiste.

Akili në xhiron e dytë përballet me rumunin Alexandu Raicu. Ndaj tij ka tri fitore.

Loriana po ashtu është e lirë në xhiron e parë. Në xhiron e dytë përballet me irlandezen Rachael Hawkes. Në rast të fitores me shumë mundësi do ta ketë përballë bartësen e parë, britaniken Kelly Peterson Pollard.

Trajneri Kuka ka vendosur të pushojë nga kjo garë xhudistët e tjerë, duke përfshirë kampionet olimpike Nora Gjakova e Distria Krasniqi.