Plot 450 xhudistë pritet të garojnë në Grand Slamin që prej së martës e deri të enjten mbahet në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Gara vlerësohet shumë e rëndësishme thuajse për të gjithë pjesëmarrësit. Është e rëndësishme edhe për tre xhudistët e Kosovës, Akil Gjakovën, Loriana Kukën e Shpati Zekajn.
Trajneri Driton Kuka ka vendosur që këta tre xhudistë të marrin pjesë në Grand Slamin në Abu Dabi. Xhudistët tjerë elitarë, duke përfshirë kampionet olimpike, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, po vazhdojnë përgatitjet për Kampionatin Evropian që mbahet prej 3 deri më 5 nëntor në Montpellier të Francës.
Grand Slami në Emiratet e Bashkuara Arabe është test i rëndësishëm para Evropianit për Akil Gjakovën e Loriana Kukën. Të dy synojnë suksesin sidomos për të shtuar pikë në ranglistën botërore dhe atë olimpike.
Akil Gjakova garon të mërkurën në kategorinë deri 73 kilogramë. Të njëjtën ditë Loriana garon në kategorinë deri 70 kilogramë. Shpati Zekaj garon të enjten në kategorinë deri 100 kilogramë.
Akili nuk është në mesin e bartësve në kategorinë e tij. Është xhudisti i dhjetë më i ranguar prej pjesëmarrësve. Aktualisht është brenda zonës që siguron normë olimpike për “Parisi 2024”. Por pikët nga suksesi eventual në Abu Dabi, do të ishin shumë të mirëseardhura për Akilin, xhudistin më të mirë në vend. Do ta stabilizonin brenda zonës së normës.
Loriana është në kufi të normës në kategorinë deri 78 kilogramë. Por ka disa gara që po testohet në kategorinë deri 70 kilogramë, ku i duhen ende suksese për të hyrë në zonën e normës olimpike. Medalja eventuale në Grand Slam do ta afronte shumë me qëllimin. Edhe Loriana nuk është në mesin e bartëseve në kategorinë deri 70 kg.
Në fakt Loriana ka edhe pak gara në dispozicion në kategorinë deri 70 kg. Nëse në tri garat e ardhshme nuk shfaq shumë atëherë do të kthehet në kategorinë deri 78 kilogramë, ku normën olimpike e ka më afër.
Për Zekajn, gara në Abu Dabi do të shërbejë për të fituar përvojë ndërkombëtare. Ai nuk është kandidat për normë olimpike për “Parisi 2024”, por vlerësohet shpresë e madhe e xhudos për Lojërat Olimpike të vitit 2028. Zekaj ende po ka telashe për të shpërthyer te të rriturit.