Sport

Ajzeraj beson se Drita ka ekip që të kalojë tutje

Skuadra e Dritës do të përballet me Inter Turkun në ndeshjen e kthimit të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ky duel do të luhet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Për të kaluar tutje ekipi gjilanas duhet ta përmbysë humbjen e pësuar në Turku të Finlandës. Gjilanasit humbën në ndeshjen e parë me rezultatin 1:0.

Drita është duke u paraqitur në garat evropiane për herë të katërt. Asnjëherë nuk është eliminuar në ndeshjet e para.

Përveç ndeshjes së parë të Ligës së Konferencës ndaj Inter Turkut, Drita humbi edhe mbrojtësin e krahut të majtë, Ilir Blakçori, i cili u ndëshkua me karton të kuq dhe do të mungojë të martën.

Drita i luajti 15 minutat e fundit me një lojtar më pak në fushë dhe pikërisht nga ndërhyrja që e shkaktoi Blakçori, finlandezët pastaj shënuan.

Sulmuesi i krahut, Almir Ajzeraj, të cilit trajneri Ardian Nuhiu ia besoi fanellën e titulluarit në ndeshjen e parë, thotë se atmosfera brenda skuadrës është shumë e mirë. Ajzerajt i ka besuar shumë Nuhiu edhe në kampionat.

Ai shtoi se përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe me padurim po e presin përballjen e së martës.

“Atmosfera te Drita është shumë e mirë, është shumë pozitive dhe të gjithë në klub mezi po e presim ndeshjen e kthimit ndaj Inter Turkut. Sigurisht, tani i dimë edhe më mirë pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarëve dhe besoj që do të kualifikohemi në rrethin e dytë”, u shpreh Ajzeraj.

24-vjeçari mendon që në ndeshjen e parë Drita nuk kishte fat. Por, ai beson që në duelin e së martës edhe fati do të jetë me gjilanasit.

“Sigurisht besojmë që do të kualifikohemi, sepse edhe në ndeshjen e parë bëmë një ndeshje mjaft të mirë, por na mungoi vetëm fati. Kësaj radhe besoj që edhe fati do të jetë me ne dhe do të kalojmë tutje”, deklaroi Ajzeraj.

Ai pret përkrahje edhe nga tifozët “Intelektualët”.

“Jemi përgatitur maksimalisht këto ditë. Kemi bërë punë të madhe dhe gjithçka ka shkuar mirë në stërvitje. Jemi te fokusuar te ndeshja që na pret. Po presim që të ketë shumë shikues. Tifozët janë shumë të rëndësishëm për ne, sepse janë frymëmarrja e ekipit dhe dihet që futbolli luhet për tifozë. Ata janë motivi kryesor i skuadrës”, tha sulmuesi.

Për ndeshjen ndaj Inter Turkut, Drita ka hedhur biletat në shitje të dielën. Sipas klubit nga Gjilani, tribunat në veri dhe jug do të jetë të mbyllura, kurse në tribunën lindore një biletë kushton 3 euro. Në perëndim 7 euro dhe në zonën VIP 20 euro.

Përveç Ilir Blakçorit që do të mungojë shkaku i kartonit të kuq, të gjithë lojtarët e tjerë do t’i ketë në dispozicion trajneri Ardian Nuhiu. Ndeshja ndërmjet Dritës dhe Inter Turkut nis në orën 20:00.