Sport

Agim Ademi shpalosi programin para Kuvendit ku mund të jetë kandidati i vetëm

Masivizimi, futbolli i rrugës, futbolli i vogël, “Grassrootsi”, puna me të rinj, projekti i Tipselit, funksionalizimi i ligës U21, edukimi, përmirësimi i infrastrukturës, digjitalizimi, Akademia e futbollit e sigurimi i shëndetësor i futbollistëve, janë disa prej premtimeve të Agim Ademit për një mandat të ri në krye të FFK-së që ai e synon.

Kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, të shtunën ka shpalosur plan-programin për mandatin e ri katërvjeçar, që ai e synon.

Shpalosjen e programit të titulluar “Bashkë për Futbollin”, e që përbëhet prej 90 faqeve, Agim Ademi e bëri para anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, delegatëve, disa prej futbollistëve të Përfaqësueses së Kosovës dhe përzgjedhësit francez, Alain Giresse.

Ademi lavdëroi punën e bërë nga 6 korriku i vitit 2018, prej kur udhëheq me federatën më të madhe në vend. Theksoi se ka pasur bashkëpunim të mirë me UEFA-n e FIFA-n dhe se buxheti i FFK-së nga 5.4 milionë euro është rritur në 17 milionë e 160 mijë euro.

“Unë nuk jam më i miri, jam njëri nga ju. Sigurisht se kam ardhur nga ju. Kam ardhur nga klubi, kam ardhur nga ky komunitet. Por, gjithsesi, ju falënderoj shumë për përkrahjen dhe për konceptin e punës. U kanë besuar punës, vizionit tim, edhe për këtë mandat dhe shpresoj e besoj shumë dhe jam shumë i bindur, bashkë me këtë Komunitet Ekzekutiv, nuk do t’iu zhgënjejmë. Jam shumë i bindur”, ka thënë fillimisht Agim Ademi.

Futja e futbollit si lëndë e veçantë nëpër shkolla është synim i kryetarit të FFK-së.

I pari i futbollit kosovar tha se vëmendje e madhe do t’i kushtohet punës me grupmoshat e reja, me projekte të ndryshme. Premtoi se do të funksionalizohet edhe liga e grupmoshës U21.

Si në kohë fushate, premtimet e tij ishin të panumërta.

Ademi tha se stadiumi “Fadil Vokrri” do të bëhet me 22 mijë ulëse, ndërsa në Kampin Nacional në Hajvali do të kompletohen tribunat perëndimore e lindore. Tha se përfaqësueset e Kosovës, përveç asaj seniore, do të mund t’i luajnë ndeshjet aty.

Një qendër nacionale u zotua se do të ndërtohet edhe në Obiliq, e që do të përdoret për gjeneratat e reja, sipas premtimit tjetër të Agim Ademit.

Foli edhe për një Kamp Nacional të karantinimit në Batllavë për ekipet nacionale dhe skuadrat e Kosovës, para ndeshjeve ndërkombëtare.

Ademi theksoi se në mandatin e ardhshëm katërvjeçar do të ndërtohen shtatë fusha në shtatë regjione, tri prej tyre tashmë janë të përfunduara, sipas tij. Të gjitha stadiumet theksoi se do të pajisen me reflektorë, ndërsa shtoi se ndeshjet e Superligës së Kosovës do të zhvillohen prej orës 20:45.

Sa i takon Kosovës A, ai pret kualifikim në ngjarje të madhe, ndonëse kjo nuk vlerësohet shumë reale.

“Kualifikimi, barra për juve, dëshira dhe obligimi për ne. Ne e kemi objektiv që sivjet e duam kualifikimin. Gjithsesi, Kosova i ka kaluar të gjitha fazat e tjera, të organizimit, përvojës, tash na duhet rezultati. Falë Zotit që ekipin e kemi në formë shumë të mirë, i kanë përfunduar kontratat me klubet e tyre. Janë prej lojtarëve më të rëndësishëm në skuadrat ku luajnë, dhe unë besoj në ta, në kualitetin e tyre, në punën e shtabit teknik. Besoj që Kosovën do ta kualifikojmë, pse jo edhe me ekipet e tjera U21, U19, U17, vajza dhe djem”, u shpreh Ademi.

Agim Ademi theksoi se zgjedhjet do të mbahen më 6 prill, ndërsa u shpreh se institucioni është më i rëndësishëm se një individ.

Është Gramoz Vokrri që ka paraqitur kandidaturë për kryetar të FFK-së. Por një komision i FFK-së, që nuk dihet se nga kush përbëhet, nuk ka pranuar kandidaturën e tij me arsyetimin se nuk i kishte nënshkrimet e nevojshme.

“Thjesht i thashë vetes dhe juve që mua nga kjo pjesë e futbollit, në këtë kohë, mund të më ndalë vetëm ndonjë fatkeqësi, sepse e kam vullnetin, dëshirën dhe mundësitë për të vazhduar bashkë me këtë Komitet Ekzekutiv”, tha Agim Ademi, i bindur në mandatin e ri.

Një fjalim e mbajti edhe trajneri Ajet Shosholli, që natyrisht lavdëroi Ademin. Shosholli edhe e vlerësoi projektin e Ademit.