Prishtinë, 20 dhjetor – Klubi i futbollit Drenica po kalon momentet më të rënda financiare që nga themelimi.
Borxhi që klubi nga Skenderaj ka ndaj lojtarëve, zyrtarëve dhe ndaj shtetit i afrohet shifrës së 600 mijë eurove. Lojtarët e ekipit të parë nuk janë paguar gati qe katër muaj, njëjtë sikurse anëtarët e tjerë të klubit.
Kjo gjendje e rëndë u bë e ditur pas dorëheqjes që ofroj kryesia e fundit e Drenicës, që për kryetar e kishte Mustafë Bajraktarin. Dorëheqja u bë publike më 17 nëntor dhe që nga ajo kohë nuk ka ndryshuar asgjë në klub. Borxhi vetëm sa është rritur.
Shpëtimtare e Drenicës po shihet sërish Mihane Kodra–Bekteshi, e cila ka qenë kryetar dy herë në të kaluarën.
Për KOHËN, Kodra-Bekteshi e pranon se i është ofruar pozita e kryetares. Por, ajo po heziton ta pranojë për herë të tretë këtë pozitë. Arsye, sipas saj, janë borxhet e mëdha dhe frika se nuk do të mund t’ia dalë.
“Më është ofruar mundësia të kthehem në krye të Drenicës. Mund të them që këtë po e kërkojnë të gjithë. Edhe kryetari e nënkryetari i Komunës, por edhe në stafin e Drenicës, lojtarët e besa edhe njerëz që ia duan të mirën klubit. Nuk e di se a do të mund ta marr këtë barrë, jo që nuk kam dëshirë, por shkaku i gjendjes shumë të rëndë në klub. I kam shikuar të gjitha obligimet që janë. Borxhi është gati 600 mijë euro. Shpenzimet mujore janë rreth 50 mijë euro, në paga dhe gjëra të tjera. Gati pesë paga është borxhi ndaj lojtarëve. Është situatë e vështirë dhe jemi duke u munduar që të gjithë së bashku të gjejmë zgjidhje”, u shpreh Kodra-Bekteshi.
Ajo është e habitur me gjendjen që është krijuar dhe tregon se para një viti e kishte lënë klubin pa borxhe.
“Unë kam qenë dy herë kryetare e Drenicës. Katër vjet e gjysmë kam qenë kryetare, në dy periudha të ndryshme. Kur e kam lënë klubin para një viti, e kam lënë pa obligime. Mund të them që ka pasur edhe mjete financiare në xhirollogarinë e klubit. Unë jam munduar ta ndihmoj klubin edhe në këtë sezon, me aq sa kam pasur mundësi. Unë e dua Drenicën dhe e ndiej këtë klub pasi kam kaluar shumë mirë. Por tani situata nuk është e mirë. E di që Drenica ka nevojë për mua dhe unë po punoj çdo ditë që ta gjejmë një zgjidhje”, u shpreh ish-kryetarja e klubit kuqezi.
Mihane Kodra–Bekteshi paralajmëron se nëse zgjidhet kryetare do të kërkojë llogari nga kryesia që u largua ende pa përfunduar stinori vjeshtor.
“Sigurisht që kushdo që vjen kryetar, qoftë unë apo dikush tjetër, do të kërkojë llogari nga kryesia e kaluar se çka ka ndodhur. Në këtë situatë nuk ka qenë asnjëherë Drenica. Besoj që së bashku mund t’ia dalim, edhe pse do të jetë e vështirë pasi borxhi është i madh. Komuna mund të ndihmojë me rreth 30 për qind, por nuk mundet më shumë”, tha Kodra-Bekteshi.
Drenica e nisi mbarë edicionin 2021/2022. Madje ishte edhe në pozitën e parë, duke qenë befasia më e mirë në start të kampionatit.
Por, që nga humbja nga Prishtina në kuadër të xhiros së 12-të, gjërat nuk shkuan mirë për ekipin e trajnerit Tahir Lushtaku.
Drenicasit pësuan pesë humbje rresht, të cilat ndikuan që në fund të stinorit vjeshtor të renditen në pozitën e gjashtë. Pas 18 xhirove Drenica ka 23 pikë. Ka shtatë fitore, dy barazime dhe nëntë disfata.
Pas disfatës nga Prishtina, trajneri Lushtaku zbuloi problemet financiare që ka klubi.
Lushtaku mendon se borxhi është trashëguar vit pas viti. Ai shton se keqmenaxhimi dhe puna pa plan konkret e kanë sjellë klubin në këtë situatë.
“Borxhi është i trashëguar vit pas viti. Nuk është i një apo dy vjetëve, por gati i dhjetë vjetëve. Sigurisht borxhet e mëdha janë në tre apo katër vjetët e fundit. Janë borxhe të mëdha edhe për faktin se kosto është rritur shumë, si e lojtarëve ashtu edhe e trajnerëve. Po mendoj që edhe keqmenaxhimi, si dhe mungesa e planit konkret janë nga arsyet e kësaj gjendjeje. Pavarësisht që donatorët janë munduar, nuk kanë mundur të bëjnë më shumë dhe jemi në gjendje të rëndë. Borxhi kaq i madh për një klub të Superligës është problem të shlyhet”, tha Lushtaku.
Sipas Lushtakut, zgjidhja e vetme është privatizimi i klubit ose kalimi në shoqëri aksionare.
“Tri paga janë pa paguara të këtij edicioni dhe dy e gjysmë të edicionit të kaluar. Ka edhe obligime të mëdha në ATK. Mendoj që e vetmja zgjidhje është që të privatizohet klubi ose të kalojë si shoqëri aksionare. Ka të interesuar nga jashtë Kosovës të cilët janë të gatshëm ta marrin klubin dhe t’i shlyejnë obligimet. Kjo do të dihet shumë shpejt. Për këtë kam punuar shumë, jo për vete, por dua që Drenica të kalojë këtë situatë sa më shpejt”, thotë Tahir Lushtaku.
Drenica e Prishtina janë klubet e vetme që nuk kanë rënë asnjëherë nga Superliga e Kosovës. Klubi nga Skenderaj është në pritje të trofeut të parë.