Sport

Ademi tregon se çka e karakterizoi këtë edicion Superligën

Trajneri i Ulpianës, Fadil Ademi ka thënë se ky edicion ka qenë ndër më të mirët. Ish-trajneri i Hysit, skuadër me të cilën ka fituar titullin e kampionit, ka thënë se ka ngritje të cilësisë. Por, ai ka shtuar se ka pasur ndeshje që e kanë detyruar edhe ta mbyllë televizionin.

“Gara e shumë ekipeve për titull e ka karakterizuar këtë edicion. Kanë qenë shumë ekipe për titull si Prishtina, Ballkani, Drita, Feronikeli, Llapi, Gjilani. Të gjitha kanë bërë investime të mëdha. Vazhdimësi të ndeshjeve të mira dhe qe kanë qenë konkurrente kanë qenë Drita dhe Ballkani, kurse këto klubet tjera nuk kanë pasur stabilitet. Nëse duam të jemi futbollistë të mirë, duhet të luash 7 lojë të mira e jo dy. E njëjtë është edhe në aspektin ekipor. Kam parë ndeshje të mira këtë edicion, kam parë shembull Prishtina me posedimin e qëndrueshëm të topit. Ka krijuar shumë raste, shumë marrje të vendimeve të futbollistëve. Ka rritje në futbollin e Kosovës, ka qenë ndër më të mirët ky edicion. Por, ka pasur edhe ndeshje të këqija, që ndonjëherë të ka ardhur ta mbyllësh edh televizionin”, ka thënë Ademi në emisionin Sporti Total të KTV-së.

Ai ka thënë se në garën për mbijetesë do janë katër klube të rrezikuara. “Edhe Llapi është i rrezikuar, pasi e ka ndeshjen e fundit me Feronikelin. Gjithçka mund të ndodhë në ndeshjen e fundit. Pra Llapi, Feronikeli, Trepça ’89 dhe Arbëria janë të rrezikuara. Besa është për t’u përshëndetur. Ka respektuar maksimalisht këtë edicion”, ka shtuar Ademi.