Sport

A do ta prishë Peja festën e basketbollit në Mitrovicë?

Drilon Hajrizi shënoi për 68:68, dy sekonda para fundit të ndeshjes mes Trepçës dhe Pejës të luajtur më 27 nëntor të vitit të kaluar në “Minatori”. Peja kishte një “time-out”, që nënkuptonte se topin e niste nga fusha e kundërshtarit. Trajneri i atëhershëm i Pejës, Can Sevim, përgatiti një skemë për të gjuajtur Rodney Purvis, ish-basketbollisti i Trepçës.

Purvisi disi ia doli të shmangej nga lojtari që i rrinte si hije. Pranoi topin, gjuajti menjëherë dhe me sirenë gjeti cakun. Semafori tregonte 71:68 për Pejën. Purvis vrapoi direkt në zhveshtore, një tollovi u krijua dhe arbitrat konfirmuan se shënimi i amerikanit ishte në kohë.

Peja po fitonte për herë të dytë rresht ndaj Trepçës në edicionin që përmbyllet të enjten. Përmbyllja besohet se mund të jetë dramatike. Të tilla ishin shumica e ndeshjeve mes dy skuadrave këtë edicion. Edhe ajo e 27 nëntorit.

Peja e kishte mposhtur Trepçën fillimisht në ditët e para të tetorit në “Karagaçi”, me rezultat 83:72.

Trepça fitoren e parë të edicionit ndaj Pejës e arriti në janar, 91:83, në “Karagaçi”. Peja fitoi më pas në Mitrovicë me rezultat 73:70, në mes të marsit.

Pra gjatë edicionit të rregullt, Peja kishte tri fitore ndaj Trepçës, dy prej tyre në “Minatori”.

Situata ka ndryshuar në plejof. Dy ndeshjet finale në palestrën buzë lumit Ibër i ka fituar Trepça. Ndeshjen e parë e fitoi 94:86, ndonëse ekipi pejan për kohë të gjatë ishte në avantazh. Edhe në ndeshjen e dytë në Mitrovicë, Peja ishte para për kohë të gjatë. Por në fund fituan “xehetarët” me rezultat 97:90.

Edhe dy ndeshjet në Pejë i fitoi skuadra vendase. Fillimisht Peja fitoi me rezultat të thellë, 107:79. Të dielën rezultati ishte dukshëm më i ngushtë, 87:83 në të mirë të Pejës.

Rezultati në serinë finale të plejofit është 2:2. Dhe ndeshja e pestë vendimtare luhet të enjten në “Minatori”, nga ora 20:00.

Peja nuk e ka Purvisin në përbërje, por ka lojtarë të tjerë që mund të shënojnë pikë vendimtare. Mbetet të shihet nëse Peja do të heshtë tifozët e pandalshëm mitrovicas dhe kështu do ta prishë festën e basketbollit në qytetin e minatorëve.