Sulmuesi nga Nigeria ka bërë emër te Trepça ’89 e te Prishtina. Në maj të këtij viti ai u burgos, ndërsa qëndroi prapa grilave për tre muaj. John tani është në liri, ndonëse rasti nuk i është mbyllur krejtësisht. Futbollisti afrikan shprehet se është plotësisht i pafajshëm. Thotë se për të sërish do të flitet për golat që do t’i shënojë
Në pjesën e dytë të dhjetorit, Oto John u kthye në stadiumin “Fadil Vokrri”. Këtë herë jo për të luajtur për Prishtinën, por për të rrëfyer për herë të parë për 91 ditët e kaluara në burg.
“Ka qenë koha më e vështirë në gjithë jetën time. Nuk e di se me çfarë do të përballem në të ardhmen, por kjo ka qenë më e vështira deri tani”, thotë John. Ai ka folur për KOHËN për ditët e vështira në qeli.
John është nga Nigeria, por për kohë të gjatë pjesë e futbollit kosovar. Ai ishte futbollist i Prishtinës kur në maj të vitit 2022 u arrestua nën dyshimin për veprën penale të “trafikimit me njerëz dhe shërbime seksuale të viktimës së trafikuar”.
John u mbajt për tre muaj në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan. U lirua në gusht, por nuk iu bashkua më Prishtinës. Aktualisht është anëtar i Dukagjinit të Klinës.
Johni insiston se nuk e dinte arsyen e arrestimit. Barrierat e gjuhës e kanë bërë të veten.
“Në fillim nuk e dija faktin, nuk dija asgjë, sepse gjithçka ndodhi shumë shpejt. Mu deshën dy javë për ta kuptuar me të vërtetë se çfarë kishte ndodhur, pse isha atje. Avokati im erdhi dhe foli me mua. Kur avokati e bëri pyetjen e parë, unë i thashë që nuk e kam bërë këtë. Jam në Kosovë ndoshta qe gjashtë vjet. Nuk kam pasur kurrë rast në polici”, thotë sulmuesi.
John tregon se në stacion të policisë ka qenë vetëm kur është dashur të paguante ndonjë gjobë për parking të palejuar.
“Këto pretendime nuk kanë qenë në asnjë moment të vërteta. Nëse do të doja të shkoja në ato rrugë, do t’i qëndroja të vërtetës. Nëse do të ishte diçka që e kam bërë, do ta pranoja. Por nuk kisha ide, nuk kisha fare ide. Ishte befasi për mua dhe ishte shumë e vështirë”.
Sulmuesi afrikan tregon se nga klubi “Prishtina” nuk kishte ndonjë informatë apo interesim. Dhe nuk ndihet mirë për këtë.
“Në burg nuk kisha ndonjë rrugë për kontakt. Madje u desh ndoshta një muaj e gjysmë për të kontaktuar me familjen time. Ishte vetëm avokati të cilit i lejohej të vinte e të më vizitonte në atë kohë. Nuk kisha ndonjë informacion apo interesim nga njerëzit e Prishtinës. Kur dola jashtë nisa të dëgjoja nga ata, por kur isha aty nuk dëgjova diçka”, thotë John.
Nga burgu doli më i pjekur
Ish-futbollisti i Trepçës ’89 e di saktë se ishin tre muaj qëndrim në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.
Në fakt, sipas avokatit, rasti për Johnin nuk është mbyllur ende. Por avokati insiston se nuk ka elemente që të ngrihet aktakuzë ndaj futbollistit. Johni është në liri, i është kthyer fushës së blertë dhe jetës normale, kurse KOHA ka vendosur ta paraqesë rrëfimin e tij.
“Isha atje për 91 ditë, tre muaj. 91 apo 92 ditë. Mendoj se është pjesë e jetës që deshi të më tregonte mua se kam ende shumë për të dhënë në jetë. Nuk e kam fajësuar veten për këtë, nuk u dorëzova për këtë. Brenda e kam pasur kohën, kam pasur shumë kohë për të menduar, sepse nuk ke shumë mundësi për të bërë diçka tjetër. Dhe kam pasur shumë kohë për të menduar për gjithçka nëpër të cilën kam kaluar, gjithçka që unë dua të jem. Ishte vështirë brenda. Kam biseduar me të tjerët brenda, kam dëgjuar tregime të njerëzve. Kam nxjerrë mësime, nuk kam dalë pa asgjë. Po ashtu isha në gjendje të mësoja shumë. Ishte shumë vështirë. Aty ku isha unë, isha i vetmi person me ngjyrë dhe nuk e flisja gjuhën shumë mirë. Por kam arritur të bëj shoqëri dhe kam dalë me diçka nga aty”, është shprehur John, që ka pasur karrierë të suksesshme në futbollin e Kosovës.
Nigeriani është prej lojtarëve që kanë lënë gjurmë në elitën e futbollit të Kosovës, si golashënues dhe me trofe të fituar. Me Trepçën ’89 dhe me Prishtinën e fitoi ligën. Me “bardhekaltrit” ishte fitues i Kupës po ashtu. Dy herë e fitoi edhe “Këpucën e Artë” në futbollin tonë, me 27 gola dhe 17 gola respektivisht.
John tregon se trajtimi ishte i mirë nga gardianët dhe të burgosurit e tjerë. Thotë se disa edhe e njihnin. Ai përshkruan një ditë të qëndrimit prapa grilave.
“Zgjohesha në mëngjes. Jam lutur. Kam bërë ushtrime barku. E kisha gjithë ditën para. Ndonjëherë kemi pasur dy orë për të dalë jashtë për të vrapuar në ato vende ku e kishim të caktuar. Bëja edhe ushtrime. Ushtroja, lexoja libra, shikoja televizion dhe kjo ishte e tëra”, tregon futbollisti.
John thotë se topi është i shenjtë për të. Prej topit të futbollit thotë se ka arritur të bëjë gjithçka që është sot. Por, atij nuk iu plotësua kërkesa për të pasur një top në dhomë të burgut. Por, gjeti një formë tjetër.
“Ishim të detyruar të bënim topa nga çorapet. I shndërronim çorapet në një top dhe luanim ndonjëherë. Por shumicën e kohës vetëm kam vrapuar sepse disa nga gardianët nuk e lejonin dhe nuk doja që të shkaktoja probleme. Pastaj e bëja vetëm vrapimin normal dhe kjo ishte”, është shprehur John.
John thotë se ishte i befasuar me vizitën që ia kishte bërë trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku.
“Ai erdhi të më vizitojë në burg. Kemi biseduar. Pas takimit, nisa të shoh shpresë. Përveç tij, askush nuk erdhi të më shoh në burg. Vetëm ai erdhi. Bisedova me të dhe më dha shpresë. Ai më tha që të mos shqetësohem dhe më tha se kur të dalë jashtë dua që ti të luash te klubi ku jam unë. Nuk e njihja shumë Dukagjinin. Nuk e dija saktësisht stafin e Dukagjinit, por e njihja trajnerin. E njihja trajnerin, asistentin, njihja njerëzit me të cilit kemi punuar edhe më parë. Armend Dallku ishte një prej atyre që e bëri të mundur rikthimin sepse besoi në mua dhe më deshi në skuadër. I jam mirënjohës me të vërtetë për këtë. Jam shumë i lumtur për këtë. Po provoj çdo ditë që t’ia shpaguaj atij dhe klubit për këtë besim”, thotë Johni, i cili tani ka lidhje të fortë me trajnerin Dallku. Ka luajtur kundër tij sa ishte pjesë e Trepçës ’89, ishte bashkëlojtar me të te Prishtina, ndërsa luajti nën urdhrat e Dallkut te Prishtina dhe tani janë bashkë te Dukagjini.
Premtimi për kthim të furishëm
24-vjeçari John ka besim se formën më të mirë do ta gjejë së shpejti. Thekson se është duke lënë prapa problemet që i pati, e të cilat e lanë pa e takuar edhe familjen për kohë të gjatë.
“Fizikisht nuk ndihem 100 për qind, por shumica e problemeve janë në kokën time. Stafi i trajnerëve të Dukagjinit po punon shumë në këtë drejtim, që t’i largoj të gjitha mendimet nga koka. Kur kjo të bëhet e mundur, mendoj se në Kosovë ende kam shumëçka për të dhënë. Ende nuk ka mbaruar. Shumë shpejt Oto do të kthehet sërish”, ka thënë John.
John është rritur në një familje prej katër anëtarësh. Ai tregon se pas vdekjes së babait është dashur të kujdesej për familjen. Profesioni më i shpejtë për t’u kujdesur për familjen thotë se ishte sporti, ndonëse dëshira e tij ishte të shkonte edhe në shkollë.
Ai tregon edhe për fillimet e karrierës në Kosovë. Si 18-vjeçar iu bashkua Trepçës ’89, ku luajti dy edicione dhe atë me sukses të madh. Vazhdoi te Skënderbeu i Korçës, ndërsa u kthye te Prishtina në vitin 2020.
Pas periudhës së kaluar në burg, John vendosi t’i bashkohej Dukagjinit të Klinës.
“Në fillim ishte vështirë sepse gjithmonë kam qenë në shtetin tim dhe kur erdha më kujtohet se ka qenë periudhë e dimrit. Dhe ishte shumë ftohtë. Ishte shumë vështirë. Shumë vështirë. Po ashtu më kujtohet që pas gjashtë muajsh i thashë presidentit të Trepçës ’89 se doja të kthehesha në shtëpi. Nuk doja të qëndroja. Ai më foli dhe më dha përkrahje. Më tha: qëndro, mos u shqetëso! Ne shohim kualitet te ti. Ishte shumë e vështirë për mua sepse nuk e kisha askënd, as shoqëri, asgjë. Më pas u sistemova për shkak se te Trepça ’89 më trajtuan dhe më pranuan si djalin e tyre. Kjo ishte paksa lehtësim për mua për t’u përshtatur në këtë shtet”, është shprehur Oto John.
John tregon se në ekipin e 89-shit paguhej pak, por për të e rëndësishme ka qenë mënyra se si e kanë trajtuar dhe respektin që ia kanë dhënë. Në Prishtinë thotë se kriza financiare ua vështirësoi jetesën atij dhe lojtarëve të tjerë.
“Në Prishtinë ka qenë e vështirë. Unë nuk e kam askënd këtu. Unë jetoj vetëm, familja ime nuk jeton këtu. Familja varet nga unë. Ndonjëherë bëhet shumë e vështirë kur nuk ke asgjë për t’i dërguar familjes dhe ti duhet të vazhdosh të stërvitesh, të koncentrohesh dhe të japësh maksimumin. Ishte shumë e vështirë. Jo vetëm për Prishtinën, por për ne lojtarët ishte me të vërtetë. Por, nuk kishim zgjidhje. Duhej të luanim”, ka thënë John.
Ai thotë se do të vazhdojë të luajë me pasion edhe për shumë vjet.
“Për momentin besnikëria ime i detyrohet Dukagjinit. Do të vazhdoj ta jap më të mirën për këtë skuadër, deri në momentin e fundit. Pastaj nuk e di se çfarë do të ndodhë”, është shprehur John.
Në edicionin aktual me klinasit, nigeriani John ka tri gola e dy asistime. Ai beson se sfidat e bëjnë më të fortë. Edhe muajt në burg. Është i bindur se do të tundë sërish rrjetat e golave në stadiumet kosovare. Dhe se sërish për Johnin do të shkruhet për golat e jo për periudhën në burg.