Sport

89-shit i mungojnë rezultatet, por jo ofertat e klubeve të huaja për lojtarët e saj

Rrugën e Florent Hasanit, Arb Manajt, Sie Bismarkut dhe disa lojtarëve të tjerë të cilët nga Trepça ’89 kaluan në futbollin evropian, shumë shpejt mund ta ndjekin edhe Arbnor Muja dhe disa futbollistë të tjerë të klubit nga Mitrovica.

Muja ka deklaruar për KOHËN se ka oferta në drejtim të tij nga disa klube turke. Ai nuk ka dashur të zbulojë emrat, por tha se shumë shpejt do të ketë lëvizje konkrete.

“Kam qenë dhe jam në bisedime me disa ekipe, kryesisht turke. Së bashku me presidentin do të ulemi dhe do të flasim për të gjitha. Për momentin nuk mund të zbuloj asgjë më shumë, pasi jam i fokusuar te ndeshja e barazhit që do ta kemi kundër Dukagjinit. Ajo është ndeshja e sezonit dhe besojmë që do t’ia dalim. Kjo ndeshje ka rëndësi të madhe për skuadrën tonë që të mbetet në Superligë. Pas kësaj do të shohim dhe do të vendosim për të ardhmen time”, tha Muja.

Arbor Muja është shënuesi më i mirë i 89-shit këtë sezon me 14 gola të realizuar në të gjitha garat. Ai karrierë ka bërë edhe në Gjermani te klubi Braunschweig II, si dhe te Skënderbeu në Shqipëri. 22-vjeçari e ka veshur edhe fanellën e Kosovës U21.

Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka, ka pohuar se disa klube kanë shprehur interesim për 3-4 lojtarë të klubit që ai drejton.

Zeka ka shtuar se nuk dëshiron të zbulojë emrat e lojtarëve që po kërkohen, e as të klubeve. Arsyeja, sipas tij, ka të bëjë me faktin se nuk dëshiron që t’i ngarkojë lojtarët para ndeshjes së barazhit ndaj Dukagjinit.

“Ka interesim për disa lojtarë të Trepçës ’89. Emrat nuk dua t’i zbuloj pasi e kemi ndeshjen e barazhit dhe nuk dua që të ngarkohen lojtarët. Janë tre-katër lojtarë që karrierën mund ta vazhdojnë jashtë Kosovës. Ofertat janë nga tri shtete, Turqia, Qiproja dhe në opsion është edhe Kroacia. Shpresoj që të realizohen këto transferime dhe të jetë mirë edhe për lojtarët, por edhe për ne si klub. Në vitet e fundit kemi transferuar disa lojtarë jashtë Kosovës”, u shpreh Zeka.

Nga Trepça ’89, Florent Hasani ishte transferuar te Diosgyori në Hungari, Arb Manaj në Turqi te klubi Ankara Keçiorengucu, si dhe Sie Bismark kaloi te CSKA Sofia në Bullgari. Nga shitja e këtyre lojtarëve, 89-shi ka arkëtuar mjete financiare si dhe posedon edhe një pjesë të kartonit të lojtarëve. Para kishte marrë edhe nga shitja e Rron Brojës në Gent të Belgjikës.

Trepça ’89 e ka siguruar barazhin në xhiron e fundit të Superligës. “Minatorët” ia dolën që ta mposhtnin Drenicën me rezultat 2:1. Por, barazhin e siguruan falë disfatës së Arbërisë nga Drita, 2:0.

Ndeshjen vendimtare mitrovicasit do ta luajnë ndaj Dukagjinit të Klinës. Ky takim zhvillohet të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe nis në orën 16:00.

Trepça ’89 ka qenë në barazh edhe para dy edicioneve, ku kishte arritur të mbetet në Superligë falë fitores kundër Vëllaznimit. Ekipi kampion i Kosovës në vitin 2017, dhe skuadra e parë kosovare që ka luajtur në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, në tri edicionet e fundit ka luftuar për mbijetesë.