Sport

Befasi në listën e Shqipërisë: mungojnë emra të rëndësishëm, ftohet Zeka

Silvinho

Selektori i Shqipërisë, Sylvinho ka ftuar edhe sulmuesin Agim Zeka kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë

Foto: Associated Press

Agim Zeka dhe Sebastjan Spahiu janë emrat e rinj në Kombëtaren e Shqipërisë në futboll. Selektori Sylvinho të premten publikoi listën për ndeshjet e shtatorit, që janë të parat për kuqezinjtë pas Evropianit në Gjermani.

Në listë mungojnë shumë emra të lojtarëve që janë ftuar deri më tani. Ndërkohë ka edhe risi. 

Sulmuesi Zeka është nga Kosova, ndërsa luan për Partizanin e Tiranës. 25-vjeçari ka luajtur për të rinjtë e Shqipërisë, ndërsa ka bërë karrierë edhe te Drita, Prishtina e Drenica. Së fundi ishte tek  Erzeni e tani është te Partizani. 

Zeka konkurron për vend me Rey Manajn, Armando Brojën e Taulant Seferin. Në sulm mungon Mirlind Daku, që ka edhe një ndeshje suspendim. Daku ka shfaqur formë të lartë te Rubin Kazani në Rusi, por është raportuar se ka luajtur i lënduar. 

Në mesfushë janë ftuar të zakonishmit, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Jasir Asani, Arbër Hoxha, Amir Abrashi, Qazim Laçi. Sërish është ftuar Medon Berisha, ndërsa emër i ri është Sebastjan Spahiu. Ai është 24-vjeçar dhe bëri emër në edicionin e kaluar tek Egnatia. Tani luan në Iran për skuadrën Mes Rafsanjan.Është zhvilluar si futbollit në Belgjikë.

Keidi Bare, Myrto Uzuni, Ernest Muçi janë prej emrave të rëndësishëm që mungojnë në repartin ofanziv.

Jashtë është lënë edhe portieri Etrit Berisha dhe portieri tjetër, Ilhan Kastrati. Pos Thomas Strakoshës prej portierëve janë ftuar edhe Alen Sherri e Simon Simoni.

Në mbrojtje është shtuar Andi Hadroj, që edhe më parë ishte në grumbullime. Pos tij janë ftuar edhe kapiteni Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli e Enea Mihaj.

Gjithsej Sylvinho i ka ftuar 24 futbollistë. Kuqezinjtë nisin grumbullimin  të dielën, ndërsa grupi do të kompletohet të hënën. 

Shqipëria garon në Grupin 1 të Ligës B të Ligës së Kombeve. Më 7 shtator përballet me Ukrainën në Pragë të Çekisë. Ndërkohë më 10 shtator në “Air Albania”, luan ndaj Gjeorgjisë. Në grup është edhe Çekia.

Kualifikimi në Evropian është vlerësuar sukses i madh për Shqipërinë. Rritja e vazhdueshme pritet të konfirmohet në Ligën e Kombeve.

LISTA:

Emra të rinj te Shqipëria, ftohet Zeka