Sport

Futbolli e basketbolli në Kategorinë B, karate jashtë kategorizimit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), të premten ka publikuar renditjen e 35 federatave të kategorizuara në listën preliminare të kategorizimit të sporteve për këtë vit. Dy federatat më të mëdha në Kosovë, ajo e futbollit dhe basketbollit kanë rënë në Kategorinë B. Në Kategorinë B është edhe Federata e Boksit e Kosovës (FBOXK) me 83.2 pikë. FFK-ja ka marrë 83.5 pikë, ndërsa FBK-ja 80.65 pikë. Vetëm tri federata janë në Kategorinë A.

Më së shumti pikë ka Federata e Xhudos e Kosovës (FXXK) - 113.57 pikë. Kjo falë dy medaljeve të arta olimpike të fituara nga Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova. Xhudo ka fituar edhe shumë medalje të tjera botërore e evropiane. Ndërkohë në Kategorinë A është edhe Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) si e dyta me 87.8 pikë, kurse e Federata e Volejbollit (FVK) është në vendin e tretë me 85.2 pikë.

Kategorizimi në sport tashmë është kompetencë e plotë e MKRS-së, ndërsa më herët është bërë nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK). Por, sipas rregulloreve që janë firmosur më 30 dhjetor të vitit 2022, kategorizimin e bën MKRS-ja. Kjo tashmë është zbatuar.

Në komisionin për kategorizimin e sporteve kanë qenë dy anëtarë të Departamentit të Sportit, dy anëtarë të Departamentit Ligjor të MKRS-së dhe një anëtar i Divizionit për Buxhet dhe Financa të MKRS-së.

Sipas rregullores, kategorizimit i janë nënshtruar vetëm federatat që janë të licencuara nga MKRS-ja. Rrjedhimisht vetëm federatat e kategorizuara përfitojnë mjete financiare nga MKRS-ja, përkatësisht nga buxheti i shtetit.

Kushti për kategorizim vetëm të federatave të licencuara ka përjashtuar disa federata nga ky proces.

Prej 55 federatave sportive që janë pjesë e Komitetit Olimpik të Kosovës, procesit të kategorizimit i janë nënshtruar 35 federata.

Ky numër është më i vogël se ai i federatave që ishin kategorizuar për vitin e kaluar. Të kategorizuara vitin e kaluar ishin 42 federata, 34 sportistë e 23 trajnerë.

Sportet ndahen në katër kategori, ndërsa për kategorizim përdoren kritere të ndryshme. Sportet e kategorisë A kanë përfitim më të madh financiar nga MKRS-ja. Më pak marrin sportet e kategorisë B dhe kështu me radhë. Kriteret që shfrytëzohen për kategorizim janë: organizimi i garave ndërkombëtare, rezultatet në garat ndërkombëtare, masiviteti, statusi i sportit, gjithëpërfshirja, popullariteti i sportit, tradita, ngritja e kapaciteteve, aktiviteti vendor.

Në bazë të kategorizimit të fundit që e kishte bërë KOK-u, në kategorinë A ishin xhudoja, futbolli, hendbolli, volejbolli, basketbolli, karateja dhe boksi. Madje, KOK-u kishte rekomanduar që xhudoja e futbolli të kenë pikë maksimale në kategorizim, pa iu përmbajtur kështu të gjitha kritereve.

Edhe sportistët e kategorizuar duhet të jenë të federatave të licencuara. Kategorizohen dhe rrjedhimisht përfitojnë përkrahje financiare nga shteti sportistët me medalje në Lojërat Olimpike dhe Paralimpike, Kampionate Botërore, Lojëra Evropiane, Kampionate Evropiane, Lojëra Mesdhetare, Kampionate Mesdhetare, Kampionate Ballkanike dhe Kampionate të Kosovës.

Edhe kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve e bën MKRS-ja.

Kategorizimi i sporteve, sportistëve e trajnerëve ishte prej punëve të rëndësishme të KOK-ut, që tani nuk do të ketë kompetenca në këtë proces.

Në fakt, kategorizimi nuk është respektuar plotësisht deri më tani kur është bërë fjalë për ndarjen e buxhetit për federatat. MKRS-ja ka ndarë mjete për federata, disa të afërta me drejtues të saj, pa respektuar kategorizimin dhe me arsyetime të ndryshme.

Shumë prej federatave varen plotësisht nga mjetet që marrin prej buxhetit të shtetit. Dhe, në vitet e fundit kanë marrë goxha shumë.

Kategoria A

Federata e Xhudos e Kosovës – 113.57 pikë

Federata e Hendbollit e Kosovës – 87.8 pikë

Federata e Volejbollit e Kosovës – 85.2 pikë

Kategoria B

Federata e Futbollit e Kosovës – 83.5 pikë

Federata e Boksit e Kosovës – 83.2 pikë

Federata e Basketbollit e Kosovës - 80.65 pikë

Kategoria C

Federata Atletike e Kosovës – 73.95 pikë

Federata e Pingpongut e Kosovës – 73 pikë

Federata e Mundjes e Kosovës - 68.8 pikë

Kategoria D

Federata e Skitarisë e Kosovës – 59.81 pikë

Federata e Bodybildingut e Kosovës – 54 pikë

Federata e Notit e Kosovës – 53.06 pikë

Federata e Tenisit e Kosovës – 52.9 pikë

Federata e Gjimnastikës e Kosovës - 51.46 pikë

Federata e Triathlonit e Kosovës – 50.65 pikë

Federata e Kickboxit e Kosovës – 48.215 pikë

Federata e Taekwondos e Kosovës – 46.66 pikë

Federata e Badmintonit e Kosovës – 46.61 pikë

Federata e Çiklizmit e Kosovës – 45.5 pikë

Federata e Shahut e Kosovës – 44.57 pikë

Federata e Ragbit e Kosovës – 44.5 pikë

Federata e Autosporteve e Kosovës – 43.42 pikë

Federata e Kajakimit e Kosovës – 42.74 pikë

Federata e Bjeshkatarisë e Kosovës – 42.5 pikë

Federata e Aeronautikës e Kosovës – 42.5 pikë

Federata e Shenjëtarisë Sportive e Kosovës – 41 pikë

Federata e Sportit Shkollor e Kosovës – 40.2 pikë

Federata e Golfit e Kosovës – 40 pikë

Federata e Bowlingut e Kosovës – 36 pikë

Federata e Sportit Universitar e Kosovës – 35 pikë

Federata e Biliardos e Kosovës - 33.5 pikë

Federata e Motoçiklizmit e Kosovës - 33 pikë

Federata e Muaythai e Kosovës – 32 pikë

Federata e E-sports e Kosovës – 25.1 pikë