Trajneri i Lillet, Paulo Fonseca, ka folur për zhvillimin e hovshëm te Edon Zhegrovës, i cili nga ndeshja në ndeshje po shndërrohet në lojtarin kryesor të ekipit nga Ligue 1 e Francës. Këtë më së miri Zhegrova e konfirmoi në ndeshjen e fundit të Lillet kundër Paris Saint-Germainit, që përfundoi 1:1, ka shkruar e përditshmja franceze “L’Equipe” të mërkurën.
Sulmuesi i krahut pati paraqitje fantastike duke u shpallur në fund edhe lojtari i ndeshjes ani pse nuk shënoi gol apo asistoi. Gjatë tërë ndeshjes Zhegrova i shkaktoi telashe mbrojtësit të Parisit dhe reprezentuesit të Francës, Lucas Hernandez.
Trajneri Fonseca ka folur për transformimin e 24-vjeçarit, statistikat e të cilit, sidomos ato të driblimeve të suksesshme, po janë gjithnjë e më të mira. Në ndeshjet e luajtura deri më tani këtë edicion, Zhegrova ka shënuar tri gola dhe ka bërë pesë asistime me fanellën e Lillet. Por kontributi i tij shkon përtej golave e asistimeve.
“Nuk mund të them shumë gjëra të mira për Edonin për shkak se do të mendoi pastaj se është më i mirë në botë”, ka thënë Fonseca duke qeshur.
Trajneri portugez ka pranuar se Zhegrova nuk është më lojtari që ishte para një viti, pasi është përmirësuar shumë dhe atë në të gjitha aspektet. Zhegrova iu bashkua Lillet në janar të vitit të shkuar nga Baseli, ndërsa me ekipin francez ka kontratë deri në verën e vitit 2026.
“Ai është përmirësuar shumë, ka ndryshuar shumë në të gjitha aspektet. Kur kam ardhur te Lille ai ishte një lojtar individual që bënte lojë individuale. Tani Edoni luan për ekipin, merr vendime për ekipin, i kupton momentet e ndeshjes. Pra, e kupton kur duhet të driblojë dhe kur duhet të pasojë. Ky është ai ndryshimi i madh i tij prej vitit të kaluar”, është shprehur Fonseca.
Fonseca vlerëson shumë edhe faktin se Zhegrova ka bërë ndryshim edhe në aspektin defensiv. Kjo është diçka që e gëzon më së shumti portugezin.
“Ajo që më gëzon më së shumti është aspekti defensiv i Edonit”, ka pranuar Fonseca. “Edoni është bërë lojtar që i ndihmon gjithë ekipet nëpërmjet lojës së tij. Dhe, për mua kjo është gjëja më e rëndësishme në zhvillimin e tij”.