Te Mallorca kanë filluar ta ndiejnë me të madhe mungesën e sulmuesit të Kosovës, Vedat Muriqi. Sulmuesi i fuqishëm i ka munguar Mallorcas në pesë ndeshjet e fundit në La Liga dhe nuk pritet të kthehet në fushën e blertë deri në muajin e ardhshëm.
29-vjeçari u lëndua në ndeshjen mes Kosovës dhe Izraelit që u zhvillua në Prishtinë më 11 nëntor dhe i takoi kualifikimeve për “Euro 2024”.
Skuadra e Mallorcas është munduar ta mbulojë disi mungesën e Muriqit, por nuk ka pasur sukses pasi në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit spanjoll ka shënuar vetëm dy gola, ndërsa ka regjistruar një fitore, tri barazime dhe një humbje. Në 12 ndeshjet e para të këtij edicioni, Muriqi ka shënuar katër gola dhe ka bërë dy asistime. Në dhjetë ndeshje ka qenë i pazëvendësueshëm te Mallorca.
Ndeshjen e fundit për këtë vit Mallorca e luan të enjten, kur në shtëpi e pret skuadrën e Osasunas.
“Real Mallorca po e ndjen mungesën e Vedat Muriqit. Ekipit të trajnerit Javier Aguirre po i mungon sulmuesi që nuk dështon kurrë. Ai që mund ta fitoj ndeshjen kur më së paku pritet. Asnjë sulmues tjetër nuk po mund ta zëvendësoj Muriqin, i cili po del të jetë i pazëvendësueshëm për Mallorcan. Mungesa e tij shkaku i lëndimit ka bërë që Mallorca në pesë ndeshje të shënoj vetëm dy gola”, ka shkruar e përditshmja “Marca” të martën.
Muriqi vlerësohet njëri prej lojtarëve kyç të Mallorcas dhe në klub po shpresojnë që ai të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë të vitit 2024. Më datën 3 janar, Mallorca luan në udhëtim te Real Madridi dhe trajneri Javier Aguirre është në pritje të konfirmimit të kthimit të Muriqit, i cili do ti prijë sulmit nëse merr dritën e gjelbër nga stafi mjekësor.
Megjithatë parashikimet nuk janë shumë pozitive për rikthimin e Muriqit deri në javën e dytë të janarit, saktësisht për ndeshjen në shtëpi kundër Celta Vigos (13 janar).
“Te Mallorca po shpresojnë që Muriqi të rikthehet për ndeshjen kundër Real Madridit, por një gjë e tillë nuk është e sigurt. Sipas të gjitha gjasave ai pritet të mungoj edhe në këtë ndeshje për t’u rikthyer në javën e dytë të janarit. Rikthimi i Muriqit në fushë për Mallorcan do ti jepte fund edhe mungesës së golave”, ka shtuar “Marca”.
Aktualisht Mallorca është në pjesën e poshtme të klasifikimit në La Liga. Zë vendin e 15-të me 15 pikë të mbledhura. Në 17 ndeshje ka regjistruar dy fitore, nëntë barazime dhe gjashtë humbje. Në total ka shënuar vetëm 14 gola dhe se bashku me Cadizin janë skuadrat me efikasitetin më të ulët në kampionatin spanjoll deri më tani.
Muriqi është forca sulmuese edhe te Kosova. Është i pazëvendësueshëm dhe ka vendosur shumë ndeshje të “Dardanëve”.