Sport

“Fadil Vokrri” mbyllet, FFK-ja premton fushë moderne

Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nuk do të luhen ndeshje futbolli të paktën deri në verën e vonshme të vitit të ardhshëm. Këtë e ka bërë të ditur të premten mbrëma Federata e Futbollit e Kosovës.

FFK-ja doli me reagim pasi UEFA nuk e lejoi Ballkanin që ta luajë në “Fadil Vokrri” ndeshjen e së enjtes ndaj Viktoria Plzenit. Ballkani ka vendosur që ta luajë në Tiranë ndeshjen e fazës grupore të Ligës së Konferencës.

FFK-ja ka njoftuar se Kosova në mars të vitit të ardhshëm do të luajë miqësore jashtë vendit për shkak të rinovimit të plotë të fushës në stadiumin në Prishtinë. Sipas Federatës, fusha do të jetë moderne, ndërsa investimi do të jetë i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Por ajo do të jetë gati vetëm për edicionin 2024/2025, pra në fund të verës së ardhshme më së hershmi.

Fusha në “Fadil Vokrri” është në gjendje shumë të keqe dhe për këtë erdhi vendimi i UEFA-s që Ballkani të luajë në Tiranë.

“Duke pasur parasysh situatën e krijuar të fushës, Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Sportit do të bëjnë rinovimin e plotë të fushës në këtë stadium, investim ky i cili do të kryhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Presidenti Agim Ademi dhe ministri Hajrulla Çeku janë dakorduar për ta transformuar tapetin e këtij stadiumi në fushë hibride të nivelit më të lartë, teksa do të fillohet me punë që nga baza e fushës: drenazhimi, sistemi i ri i ujitjes, si dhe për herë të parë kjo fushë do të ketë edhe sistemin e ngrohjes. Ky projekt do të sigurojë një fushë moderne, sikur në të gjitha arenat botërore të futbollit, e të cilën e meriton stadiumi ‘Fadil Vokrri’ dhe të cilën e ka kërkuar edhe UEFA. Pra, nga tani e deri në rinovimin e plotë, aktiviteti i futbollit në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ do të pushojë. Si rrjedhojë edhe ndeshjet miqësore të Kombëtares, të muajit mars, do të zhvillohen jashtë vendit. Megjithatë, e sigurojmë opinionin se stadiumi ‘Fadil Vokrri’ do të jetë i gatshëm për të mirëpritur ekipet kombëtare dhe klubet nga edicioni i ardhshëm”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Federata ka shprehur keqardhje që Ballkani do të jetë i detyruar të luajë në Tiranë. FFK-ja ka shprehur bindjen që në të ardhmen klubet dhe ekipet përfaqësuese nuk do të detyrohen të luajnë larg tifozëve të tyre.

“Jemi të bindur se në të ardhmen më nuk do të ketë nevojë që klubet dhe kombëtarja jonë të luajnë larg tifozëve të vet, ngase përveç investimit në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, tashmë kanë filluar edhe projektet e tjera, siç është stadiumi i qytetit në Gjilan dhe stadiumi ‘Adem Jashari’, derisa në të ardhmen e afërt pritet të realizohen edhe projekte të tjera nga ana e Ministrisë. Do theksuar se deri te kjo situatë kemi ardhur për shkak të ngarkesës së madhe të kësaj fushe, ngase ‘Fadil Vokrri’ është stadiumi i vetëm që është i kategorizuar nga UEFA. Meqenëse nuk kemi pasur një stadium tjetër të standardeve të tilla, në këtë stadium është dashur të luhen të gjitha ndeshjet dhe atë pa pushim”, është arsyetuar FFK-ja.

Sipas federatës, kthimi i fushës në gjendje normale ka qenë i pamundur, me gjithë angazhimin e një eksperti të UEFA-s dhe të një kompanie të specializuar. Federata ka shkruar se këtë e ka pamundësuar drenazhimi i dobët, numri i madh i ndeshjeve, si dhe reshjet e shiut.

FFK-ja e ka në menaxhim stadiumin “Fadil Vokrri”, që është pronë e Komunës së Prishtinës. Federata ishte pajtuar që ta mirëmbante stadiumin, por ndërrimi i fushës do të bëhet me mjete të taksapaguesve kosovarë, me gjithë të hyrat milionëshe të federatës.