Mesfushori i Luganos, Uran Bislimi, më nuk do të ftohet nga Përfaqësuesja e Kosovës. Kjo për shkak se 23-vjeçari ka refuzuar ftesën për ndeshjet e këtij muaji, ndonëse e kishte konfirmuar ardhjen dhe biletën. Megjithatë, në momentet e fundit, ai ka refuzuar të jetë pjesë e grumbullimit dhe këtë e ka njoftuar nëpërmjet klubit të tij. Kështu të paktën thonë në përfaqësuesen e Kosovës.
Në njoftimin e klubit zviceran, është thënë se Bislimi nuk dëshiron ta jetë pjesë e Kosovës, pasi po e pret ftesën nga Zvicra.
Sipas përgjegjësve, kjo është hera e dytë që Bislimi ka refuzuar t’i bashkohet Kosovës, ndonëse në muajin nëntor kishte qenë pjesë e Kosovës dhe ishte shprehur i gatshëm për të luajtur për “Dardanët”.
“Kosova më nuk është opsion për Uran Bislimin. Ai tri herë është ftuar, ndërsa dy herë e ka refuzuar Kosovën. Në nëntor ishte me Kosovën dhe ka puthur stemën pasi ka shënuar gol, duke e konfirmuar vendimin e tij. Mirëpo, pasi ka marrë ftesën dhe ka konfirmuar fluturimin, klubi i tij, Lugano, na ka dërguar një email ky thuhet se ai nuk dëshiron ta djegë mundësinë pasi është në pritje të Zvicrës”, ka thënë menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala.
“Kjo ishte hera e fundit që Bislimi është ftuar. Ai nuk ka pasur guximin vetë ta refuzojë ardhjen, por e ka bërë këtë nëpërmjet klubit”.
Bislimi para këtij sezoni iu bashkua Luganos dhe deri më tani ka shënuar 2 gola e ka bërë po aq asistime në të gjitha garat.
Menaxheri Shala, po ashtu, ka thënë se e kanë pritur për katër vjet sulmuesin Mërgim Berisha, i cili së fundmi është ftuar nga Gjermania. Shala ka bërë të ditur se Berishës i është ofruar gjithçka, përfshirë edhe pajisjen me patentën e shoferit në Kosovë. Megjithatë, thotë se në fund ai zgjodhi Gjermaninë, që duket se ishte ëndrra e tij.
Berisha, së fundmi është ftuar nga Hansi Flick për ndeshjet miqësore të këtij muaji, me Perunë dhe Belgjikën.
“Mërgim Berishën e kemi pritur për katër vjet dhe kemi qenë në kontakt vazhdimisht me të, duke i ofruar gjithçka që mund t’i ofrohet. Por, nëse ëndrra e tij ka qenë të luajë me Gjermaninë po i realizohet tani. Edhe Mërgim Berisha dhe shumë lojtarë që kanë zgjedhur Zvicrën tash, Kosovën po e përdorin për të bërë presion te federatat tjera për t’i ftuar. Nuk përjashtohet që Kosovën në këtë mënyrë e ka përdoruar edhe Bislimi. Ne jemi në vit të rëndësishëm dhe ata lojtarë që duan të luajnë për Kosovën duhet të vendosin tash sepse nuk kemi më kohë për t’i pritur sikurse në të shkuarën”, ka thënë Shala.
Berisha para fillimit të këtij sezoni është huazuar tek Augsburgu nga Fenerbahçe dhe për ekipin gjerman ka shënuar 9 gola dhe ka asistuar 4 herë në të gjitha garat.