Bobby Charlton pati thënë se futbolli mund të jetë “shpikur vetëm për të”. Sigurisht, shumica e komentatorëve i referoheshin si më i miri i lojës së bukur. Aftësitë e Peles dhe shpejtësia elektrizuese shoqëroheshin me goditjet vrastare para golit. Heroi kombëtar në Brazil, u kthye në ikonë botërore. Jashtë fushe, u përpoq të përmirësonte kushtet e të varfërve.
Ylli i ri

Edson Arantes do Nascimento u lind më 23 tetor 1940 në Tres Coracoes, qytet në juglindje të Brazilit. Certifikata e tij e lindjes tregonte se ai u lind më 21 tetor, por Pele insistonte se ishte e gabuar. “Në Brazil, nuk jemi aq të ngarkuar për saktësinë”. Emri iu vu në bazë të shpikësit, Thomas Alva Edison, sepse, sipas Peles, rryma kishte arritur në shtëpinë e tij, para se vetë të mbërrinte. Më pas, prindërit ia hoqën shkronjën i nga emri. Pele u rrit në një zonë të varfër në Bauru dhe ka kontribuar në të hyrat e familjes duke punuar me gjysmëorari nëpër kafene. Babai ia mësoi futbollin, por familja nuk mund të blinte as edhe një top – andaj Pele shpesh krijonte lojë duke mbështjellë çorape në rrugë.
I thjeshti ‘Pele’

Ishte në shkollë kur për herë të parë iu vu pseudonimi Pele nga shokët e tij, edhe pse as ai, e as të tjerët, s’kishin ide çfarë nënkuptonte. Atij s’i ka pëlqyer kurrë pseudonimi, duke i tingëlluar si “bisedë për bebe” në gjuhën portugeze. Pele nisi të luante për disa klube amatorësh në Brazil qëkur ishte adoleshent. Futbolli i mbyllur nisi të përhapej në atë kohë dhe i riu Pele shijoi ndryshimin e terrenit të lojës. “Mu duk vetja si një peshk në ujë”, pati thënë ai. “Ishte shumë më shpejt se futbolli në bar – duhet të mendoni tejet shpejt”. Pele udhëhoqi juniorët e Bauru Athletic Club drejt tre titujve të kampionit të të rinjve, duke vulosur emrin e tij si talent i së ardhmes. Më 1956, trajneri i tij, Waldermar de Brito, e çoi në qytetin e Santosit, për ta testuar te klubi i Santosit. De Brito tashmë ishte i bindur për aftësitë e Peles, duke u zotuar para shefave të Santosit se Pele do të bëhej një nga më të mirët në botë. Pele përmbushi zotimin, duke impresionuar Santosin që i ofroi kontratë në qershor të 1956-s. Ishte vetëm 15-vjeçar.
Top-golashënues

Një vit më pas, Pele u zgjodh nga ekipi i parë i Santosit dhe realizoi golin e parë në ndeshjen debutuese. Shpejt zuri vend në ekipin e parë dhe në vitin e parë u bë top-golashënues i ligës. Për vetëm 10 muaj pas nënshkrimit si profesionist, Pele u ftua nga Kombëtarja e Brazilit. Debutoi ndaj Argjentinës në Maracana, ku Brazili pësoi 2:1. Goli i brazilianëve u realizua nga 16-vjeçari Pele, që hyri në histori si golashënuesi më i ri në ndonjë ndeshje ndërkombëtare. Shpresat që të luajë për Brazilin në Kupën e Botës më 1958 iu thyen pasi pësoi lëndim në gju. Bashkëlojtarët i bënë presion menaxhmentit për ta zgjedhur dhe debutoi në Botëror kundër Bashkimit Sovjetik.
Tregolësh

Pashmangshëm, ai u bë golashënuesi më i ri ndonjëherë që realizoi në Botëror, duke shënuar ndaj Uellsit në çerekfinale. Në gjysmëfinale, Brazili po udhëhiqte 2:1 ndaj Francës, kur Pele realizoi tre gola në pjesën e dytë, për të vulosur fitoren. Dukej se ishte lojtar i pagabueshëm kur realizoi edhe dy gola ndaj Suedisë në finalen që Brazili e fitoi 5:2. Në Brazil, Pele ndihmoi Santosin të fitojë top-ligën e Sao Paulos më 1958 dhe mbylli sezonin si top-golashënues. Më 1962, realizoi fitore të famshme ndaj kampionëve evropianë të Benficas. Tregolëshi në Lisbonë përmbysi portugezët dhe ia solli respektin e portierit Costa Pereira. “Kam ardhur me shpresën që ta ndal një njeri të madh”, pati deklaruar ai. “Por u largova i bindur se u zhdëpa nga dikush që s’ka lindur në të njëjtin planet si ne”.
Pasuri kombëtare

Pati shumë zhgënjim në Kupën e Botës 1962, kur një lëndim në fazën e hershme ia pamundësoi Peles pjesën e mbetur të turneut. Megjithatë, lëndimi nuk ndali klubet e mëdha, përfshirë Manchester Unitedin e Real Madridin, që ta kërkojnë transferimin e lojtarit që veçse kishte marrë emrin si një nga më të mirët në botë. Nën alarmin se po i ik ylli në rritje, Qeveria e Brazilit e shpalli “pasuri kombëtare” për ta ndalur nga largimi. Kupa e Botës 1966 ishte zhgënjim i madh për Pelen dhe Brazilin. Pele u bë cak dhe vuajti nga ndërhyrjet e ashpra, sidomos në ndeshjet ndaj Portugalisë dhe Bullgarisë. Brazili pati ngecur të vazhdonte përtej rrethi të parë dhe lëndimet e Peles ia pamundësuan lojën më të mirë. Pas kthimit në shtëpi, Santosi ishte në rënie dhe Pele nisi të kontribuonte më pak.
Ekipi më i mirë
Më 1969, Pele po i afrohej moshës 30-vjeçare dhe mezi po priste të luante për Brazilin në Kupën e Botës në Meksikë më 1970. Ai po ashtu u përball me hetime nga diktatura ushtarake e shtetit të tij që e akuzonte për simpati të krahut të majtë. Në fund, Pele realizoi katër gola në atë që pritej të ishte Botërori i tij i fundit, si pjesë e Brazilit që konsiderohej ekipi më i mirë në histori. Momenti më i famshëm ishte në ndeshjen e grupeve ndaj Anglisë. Goditja me kokë ishte destinuar për të përfunduar në rrjetë, deri kur Gordon Banks bëri “pritjen e shekullit”. Pavarësisht kësaj, Brazili mposhti 4:1 Italinë në finale për të siguruar trofeun “Jules Rimet” për triumfin e tretë. Pele, sigurisht, realizoi gol. Ndeshja e tij e fundit me Brazilin erdhi më 18 korrik 1971 kundër Jugosllavisë në Rio. Ai u pensionua nga klubi brazilian më 1974. Dy vjet më pas nënshkroi për New York Cosmosi. Duke lënë pas të kaluarën e mahnitshme, emri i tij ndikoi në rritjen e futbollit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ambasador

Më 1977, klubi i vjetër i Peles, Santosi, shënoi pensionimin e legjendës me një ndeshje ndaj Cosmosit. Ai luajti nga një pjesë për të dyja klubet. Në kohën kur ishte sportisti ndër më të paguarit në botë, Pele vazhdoi si makineri e parave edhe pas pensionimit. Debutoi edhe në aktrim krah Sylvester Stallones dhe Michael Caines në filmin e vitit 1981, “Escape to Victory”. Pati një numër të konsiderueshëm të marrëveshjeve sponsorizimit. Më 1992, u shpall ambasador i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ekologji dhe ambient dhe më pas u bë ambasador i vullnetit të mirë i UNESCO-s. Pesë vjet më pas, mori çmim special nga Britania. Pasi u zgjodh ministër i Sportit në Brazil më 1995, Pele nisi përpjekjet për ta ndalur korrupsionin në futbollin brazilian. Ligji i Peles – që kaloi më 1998 – u konsiderua si modernizim i qeverisjes së sportit në shtet. Ai u tërhoq nga roli në UNESCO pasi u akuzua për korrupsion, edhe pse s’pati dëshmi. Luajti rol të madh në përpjekjen e Rio De Janeiros për Olimpiadën 2016.
Personalja

Pele ishte martuar me Rosemeri dos Reis Cholbi më 1966, dhe çifti kishte dy vajza e një djalë. U divorcuan më 1982, pasi Pele u lidh me modelen Xuxa. U martua për herë të dytë me një këngëtare, Assiria Lemos Seixas. Çifti kishte binjakë, por më pas u nda. Më 2016, u martua me Marcia Cibele Aokin, biznesmene nga Japonia, të cilën e takoi më 1980. U përfolën se fëmijë të tjerë ka pasur nga afera të ndryshme, por ai në vazhdimësi i ka mohuar. Në vitet e fundit, vuante nga problemet shëndetësore. Më 2021, hoqi tumorin nga zorra e trashë dhe po trajtohej deri të enjten, kur vdiq. Të gjitha sfidat i kaloi me humor të mirë. Në një postim në Instagram, para se të hynte në spital për herë të fundit në nëntor, ylli bëri shaka duke thënë se po kryente “vizitën mujore”. Ai po ashtu falënderoi organizatorët e Kupës së Botës në Katar, ku një ndërtesë u ilustrua me shkrimin “Shërohu shpejt, Pele”.
Brend botëror
Emri i Peles menjëherë njihet nga të gjithë, edhe ata që s’kanë lidhje me futbollin. Njëherë pati bërë shaka se ishin tre brende të vërteta në botë: Jezusi, Coca-Cola dhe Pele. Ai ishte ndër figurat e rralla që tejkaloi sportin për t’u bërë emër në gjithë botën. Në jetën e vonshme, u përball me telashe në shëndet e shpesh nuk arrinte as të ecte. Por në kulmin e tij, sportiviteti u solli argëtim miliarda njerëzve, talenti i fitores e bëri të respektueshëm te bashkëlojtarët dhe rivalët. Legjenda hungareze Ferenc Pushkash pati refuzuar ta konsiderojë Pelen si lojtar i thjeshtë. “Pele është mbi gjithçka”, pati thënë ai. Por ishte Nelson Mandela ai që e përmbledhi më së miri Pelen si yll. “Ta shikosh të luajë ishte sikur ta shijoje kënaqësinë e një fëmije, kombinuar me hijen e jashtëzakonshme të një burri”.
Përktheu E.B.