Damir Kojasheviq, që ka dëshirë të njihet si “Piksi”, është një prej shumë lojtarëve që kanë “defiluar” te KF Feronikeli, pa lënë ndonjë gjurmë te skuadra nga Drenasi. Kojasheviq, që është nga Mali i Zi dhe ka prejardhje shqiptare, për Feronikelin kishte luajtur më pak se pesë muaj. Skuadrës nga Drenasi i ishte bashkuar në mes të dhjetorit të vitit 2020.
Kojasheviqi ishte larguar në heshtje, por drejtuesit e atëhershëm të klubit duket se nuk ishin ndarë si duhet me këtë lojtar. Dhe ndarja jo e duhur i ka kushtuar dhe po i kushton shtrenjtë Feronikelit.
Kojasheviq ka thënë për KOHËN se për shkak të tij FIFA ia ka ndaluar Feronikelit transferimin dhe regjistrimin e lojtarëve. Dhe sipas tij, kjo shtyu drejtuesit e klubit nga Drenasi që të ndërrojnë emrin e KF Feronikelit në FC Feronikeli 74. Ai thotë se ka fituar rastin në FIFA për borxhin që Feronikeli ka ndaj tij. Thotë se bëhet fjalë për borxh prej më shumë se 140 mijë eurove.
Feronikeli është drejtuar gjatë nga Naser Ramaj, që edhe solli Kojasheviqin në skuadër. Në vitet e fundit Feronikeli kishte hyrë në krizë të thellë financiare, ndërsa pas largimit të papritur të Ramajt u njoftua se borxhet e klubit kishin shkuar në 700 mijë euro.
Feronikeli në edicionin e kaluar nuk ia doli të mbetej në elitë dhe tani ka nisur garimin në Ligën e Parë. Në fakt në Ligën e Parë po luan klubi nga Drenasi që tani quhet FC Feronikeli 74. Në vitin 1974 ishte themeluar klubi Feronikeli. Së fundi, KF Feronikeli i është nënshtruar një bashkimi me një klub tjetër, në një proces plotësisht jotransparent dhe tani quhet FC Feronikeli 74. Me këtë emër ka nisur garimin.
Ky ndryshim nuk nënkupton anulimin e borxhit ndaj lojtarëve, thotë Kojasheviq. Ai tani po e vazhdon karrierën në Malin e Zi.
“Kam dëgjuar që po formojnë klub të ri dhe kjo është shumë mirë. Kanë shumë borxhe ndaj meje. Ata mendojnë që kështu të heqin borxhin. Por do të duhet të më paguajnë të gjitha paratë edhe nëse formojnë klub të ri. I tillë është ligji dhe ai duhet të respektohet. Çkado që bëjnë, nuk mund të tërhiqen. Do të duhet të paguajnë”, ka thënë Kojasheviq, të martën mbrëma.
Ai ka luajtur pak ndeshje me Feronikelin, por kontratën e kishte valide.
“Kamata po ecën. Sa më shumë që vonohen, më shumë do të paguajnë. Jam 100 për qind i sigurt se do të marr paratë. Nëse mund të mashtrojnë FIFA-n atëherë ju lumtë”, ka shtuar Kojasheviq.
Ai luan në krah, ndërsa karrierë ka bërë në disa vende. Kryesisht në Mal të Zi.
“Kjo është sikur Barcelona të ketë borxh prej 200 milionë euro, të shuajë klubin, të formojë klubin e ri Barcelona 74 dhe mos të ketë më asgjë për të paguar”, ka deklaruar tutje ish-lojtari i Feronikelit.
Ai thotë se është i vetmi që ka ndjekur rrugën e duhur ligjore dhe që e ka fituar rastin.
Edhe disa lojtarë kosovarë thonë se Feronikeli u ka mbetur shumë borxh. Por ata i janë drejtuar FFK-së. Rastet thonë se i kanë fituar, por paratë nuk po i marrin. FFK-ja po refuzon të japë sqarime.
“Askush nuk më ka kontaktuar nga Kosova. Kur erdha te Feronikeli firmosa për dy vjet. Më kanë dhënë pak para në dorë. Shumë pak. Disa të imëta dhe kjo ishte e tëra. Më pas nuk më kanë dhënë asnjë cent. Kam paguar banesën me paratë e mia, jam ushqyer, kam udhëtuar me paratë e mia. Kam qëndruar atje katër muaj e gjysmë dhe nuk më kanë dhënë asnjë cent. I kam paditur, u kam dërguar vërejtje, por nuk më kanë respektuar. Kam fituar në gjyq për të gjitha që më kanë borxh. U kam dërguar vërejtje edhe për pjesën e mbetur të kontratës për një vit e gjysmë dhe prapë nuk janë përgjigjur. Dhe automatikisht, FIFA ka vendosur se unë e kam fituar rastin. Pra kam fituar rastin për kontratën e plotë prej dy vjetësh. Tash u takon atyre që të më paguajnë të gjithë shumën. Në rast se nuk më paguajnë, atyre do t’u merren pikët, edhe këtij klubit të ri që e kanë formuar. Do t’i merren pikët, do të dënohet. Kështu që ata nuk mund të ikin”, thekson Kojasheviq. “Emrin e kanë ndryshuar vetëm për shkakun tim. Ua kam bllokuar të gjitha transferet. Nuk kanë mundur të regjistrojnë lojtarët e rinj dhe asgjë nuk kanë mundur. Për shkakun tim e kanë ndryshuar emrin. Pasi e kanë ndryshuar emrin, avokati im do t’ua dërgoj edhe një vërejtje. Nëse nuk përgjigjen sërish, do të humbin pikët, nuk do të mund të regjistrojnë lojtarët. Do të detyrohen të më paguajnë”.
Ka pasur zëra se borxhi ndaj Kojasheviqit është rreth 70 mijë euro. Por ai flet për borxh shumë më të madh.
“Më kanë borxh shumë më tepër se 70 mijë euro. Dyfish dhe më shumë se dyfishin e kësaj shifre”.
Sipas futbollistit me përvojë, FFK-ja nuk është fare palë në këtë proces. Madje ai as që pret ndihmë prej saj.
“Nuk pyetet asgjë Federata vendore. Pyetet FIFA e UEFA. Po të pyetej federata, Feronikeli do të mbetej dhe do të shmangte borxhet. Feronikeli ekziston, kjo është e qartë. Unë e kam fituar rastin në FIFA. Kështu që 100 për qind do të detyrohen të paguajnë. Nëse ia dalin të shmangen, le të shmangen dhe bravo u qoftë. Por nuk do t’ua fal asnjë cent”, thotë 35-vjeçari.
KOHA ka kontaktuar gjitha palët e përfshira, FFK-në, Komunën e Drenasit dhe drejtuesit e klubit. Por nuk ka marrë ende përgjigje për çështjet e hapura dhe plotësisht të paqarta që kanë të bëjnë me fuzionimin e klubit, ndryshimin e emrit dhe për borxhet e Feronikelit.
Lexo edhe: