Sport

Trepça është gati për ta dërguar serinë finale ndaj Yllit në ndeshjen e pestë

Te skuadra e Trepçës nuk kanë opsion tjetër pos fitores ndaj Golden Eagle Yllit në serinë finale të plejofit në Superligën e Kosovës me basketboll. Vetëm me fitore në duelin e katërt të kësaj serie, Trepça do të mbante gjallë shpresat për titullin e kampionit, i cili i mungon tashmë një dekadë. Me fitore eventuale të enjten mbrëma, Trepça do ta barazonte rezultatin e përgjithshëm 2:2.

Në të kundërtën, Ylli do ta mbrojë titullin e fituar sezonin e shkuar, pasi në duelin e katërt futet me epërsinë e përgjithshme 2:1 në këtë seri. Dueli i së enjtes mbrëma zhvillohet në palestrën “Minatori” prej orës 20:30. Te skuadra nga Mitrovica ka optimizëm për fitore, sidomos pas triumfit në ndeshjen e tretë, që u zhvillua vikendin e shkuar në Suharekë.

Basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi, ka insistuar se janë gati për ndeshjen e katërt, të cilën pret ta fitojnë, pasi do ta kenë edhe përkrahjen e madhe të tifozëve. Hajrizi ka pranuar se Trepça nuk ka çfarë të humbë në këtë duel, pasi është mundësia e fundit për të mbetur në garë për titull.

“Pas fitores në Suharekë, vetëbesimi është i madh para ndeshjes së katërt, që do ta luajmë në shtëpi. Është një ndeshje shumë e rëndësishme, sidomos për ne për shkak se duhet të futemi me të gjitha forcat për ta fituar. Nuk kemi çfarë të humbim sepse Ylli ka më shumë komoditet se ne. Me fitore në mbesim në garë për titull. Mirëpo, nuk do të jetë lehtë sepse Ylli ka një ekip të fortë dhe po ashtu përballen dy ekipe me forca të barabarta”, është shprehur Hajrizi, të mërkurën për KOHËN.

“Jemi përgatitur mirë dhe jemi gati. Besoj se do të jetë një ndeshje e fortë dhe spektakël i vërtetë, sikurse ndeshjet e kaluara. Me përkrahjen e tifozëve tanë, jam optimist se do të fitojmë dhe do të shkojmë në ndeshjen e pestë finale”.

Krahas Hajrizit, edhe organizatori Amin Hot e ka parasysh se duhet të fitohet kjo përballje. Hajrizi dhe Hot ishin më të merituarit që Trepça shënoi fitoren e parë në këtë seri, pasi e mposhti Yllin në shtëpi me shifrat 58:55. Hot ka thënë se është i fokusuar vetëm te dueli që do të luhet të enjten mbrëma dhe nuk po mendon për ndeshjen e pestë.

Në rast se Trepça barazon serinë, atëherë dueli i pestë dhe vendimtar për titull do të luhet në Suharekë, pasi Ylli ka epërsinë e terrenit për shkak se stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e parë në tabelë.

“Po mendojmë vetëm për ndeshjen e katërt, pasi duam të shkojmë hap pas hapi. E kemi parasysh shumë mirë se si kemi luajtur në ndeshjen e dytë para tifozëve tanë dhe e kemi obligim të bëjmë një paraqitje shumë të mirë për ta përmirësuar gabimin”, ka deklaruar Hot.

Edhe te Golden Eagle Ylli ka optimizëm. Madje, skuadra nga Suhareka po planifikon që titullin e kampionit ta festojë në palestrën e zjarrtë “Minatori” në Mitrovicë. Kapiteni i Yllit, Gëzim Morina, ka thënë se ekipi është gati dhe synimi është ta fitojnë ndeshjen, pasi një gjë të tillë nuk e arritën në shtëpi vikendin e shkuar.

“Pres një ndeshje interesante, me dy ekipet maksimalisht të motivuara për të luajtur dhe për ta kërkuar fitoren. Në e humbëm rastin për t’u shpallur kampion në Suharekë në ndeshjen e tretë, kështu që udhëtojmë në Mitrovicë të vendosur për t’u stolisur me titullin e dytë rresht”, ka insistuar Morina.

Skuadra që shënon tri fitore në këtë seri, shpallet kampione. Trepça këtë edicion e ka fituar tashmë trofeun e Kupës së Kosovës, kurse Ylli ka triumfuar në Superkupën e Ligës Unike.