Në një thirrje të hapur drejtuar Vladimir Putinit dhe presidentit të Federatës së Shahut të Rusisë, një numër i madh i mjeshtërve të shquar rusë të këtij sporti kanë bërë thirrje për një armëpushim dhe paqe në Ukrainë.
Apeli i fuqishëm u shfaq në sajtin sportiv të Rusisë “Championat” dhe duhet theksuar se kjo është thirrja e parë e organizuar, publike, si e sportistëve me famë botërore ashtu edhe personaliteteve ruse që i bëjnë thirrje të hapur Putinit për ta ndaluar agresionin ndaj Ukrainës.
Rusia është një superfuqi e shahut dhe shahistët e mëdhenj kanë pasur gjithmonë një status dhe popullaritet me ndikim në këtë vend.
Thirrja e fortë e shahistëve është në fakt një rebelim i hapur kundër federatës së fuqishme ruse të shahut, bordi drejtues i së cilës përfshin krerët e regjimit të Putinit dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt: presidenti Dmitry Peskov është edhe zëdhënës i Kremlinit. Pastaj Arkady Dvorkovich është president i Federatës Botërore të Shahut, ndërsa anëtarë të bordit drejtues të federatës ruse janë edhe Sergei Shoigu (ministër i Mbrojtjes), Andrei Akimov (kryetar i Gazpromit), Alexei Kudrin (ministër i Financave), Sergei Sobianin (kryetar i bashkisë së Moskës) e Alezander Khloponin (ish-zëvendëskryeministër rus).
Thirrja e shahistëve rusë është veçanërisht e rëndësishme në këto rrethana, sepse të gjithë ata dhe familjet e tyre jetojnë kryesisht në Rusi, gjë që nuk është treguar aspak e mirë për të gjithë ata që kundërshtojnë dhe ngrenë zërin kundër Putinit dhe agresionit rus.
“Ne kundërshtojmë veprimet ushtarake në territorin e Ukrainës dhe bëjmë thirrje për një armëpushim urgjent dhe zgjidhje paqësore të konfliktit përmes dialogut dhe negociatave diplomatike. Na dhemb në mënyrë të padurueshme të shikojmë katastrofën që po ndodh me popujt tanë këto ditë. Ne gjithmonë kemi mbrojtur Rusinë individualisht dhe me krenari të veçantë. Jemi të sigurt se shahu, ashtu si sporti në përgjithësi, duhet të bashkojë njerëzit. Në këto ditë tragjike, mendimet tona janë me të gjithë njerëzit e kapur në mes të këtij konflikti të tmerrshëm. Ne ndajmë dhimbjen me kolegët tanë ukrainas dhe bëjmë thirrje për paqe. Ekipi i shahut i Ukrainës është kampion aktual i Evropës dhe një nga skuadrat më të mira në botë së bashku me tonën. Kemi luajtur dhjetëra e qindra ndeshje me njëri-tjetrin. Ne gjithmonë e kemi vënë sportin mbi politikën dhe ukrainasit na kanë kthyer me të njëjtën masë dhe respekt. Ju lutemi jepni skuadrave, lojtarëve dhe njerëzve të zakonshëm nga të dy vendet mundësinë për të respektuar njëri-tjetrin. Ne jemi për paqen. Ndaloni luftën”, thuhet në apelin e nënshkruar nga më shumë se 30 shahistë.