Prishtinë, 10 janar – Deniz Terziqi nuk ka shënuar ndonjë gol për Kosovën në ndeshjen e së dielës ndaj Greqisë. Por, njëri prej hendbollistëve më të mirë të Kosovës nuk do të shënojë gola as në dy ndeshjet e kësaj jave, që u takojnë kualifikimeve për Botërorin 2023. Terziqi madje as nuk do të luajë ndaj Turqisë dhe Belgjikës, ndeshje që i takojnë grupit të parë të fazës së parë kualifikuese për Botërorin e vitit të ardhshëm.
Beku i majtë i Kosovës është pezulluar të hënën, ka njoftuar Federata e Hendbollit e Kosovës. Njoftimin për pezullim e ka dhënë selektori Bujar Qerimi, që ka bërë të ditur se nuk llogarit në shërbimet e Terziqit në ndeshjet e fundit të këtij cikli kualifikues. Kosova është thuajse pa gjasa për avancim në rundin e dytë.
“Ndeshja me Turqinë është e rëndësishme, ashtu si ndeshjet e deritashme. Do të mundohemi të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e së mërkurës. Për shkak të një lëndimi në ndeshjen me Greqinë, na mungon Egzon Gjuka. Shpresojmë që ai të jetë gati për ndeshjen e fundjavës ndaj Belgjikës. Ndërkohë, nuk llogaris në Deniz Terziqin. Ai është i pezulluar për sjellje jokorrekte ndaj Kombëtares dhe bashkëlojtarëve. Organet kompetente të Federatës marrin vendime tutje”, ka thënë Bujar Qerimi për sajtin zyrtar të FHK-së.
Pra, pezullimi ka të bëjë me ndeshjen e së dielës ndaj Greqisë, që është luajtur në Heraklion. Kosova humbi me shifrat 26:25. Terziqi startoi në pozitën e bekut të majtë, por luajti pak minuta në fillim. Më pas, nuk u aktivizua fare. Grekët u shkëputën në fillim, kurse rezultati u barazua në 8:8. Pas 30 minutave lojë rezultati ishte 14:9. Në pjesën e dytë epërsia e Greqisë shkoi deri në 10 gola. Por, Kosova u kthye sërish në lojë dhe u afrua deri në një gol. Në fund kushtuan gabime teknike, njëjtë si në ndeshjen në Prishtinë, të cilën Greqia e fitoi po ashtu me një gol dallim.
Në ndeshjen e së mërkurës së kaluar në Prishtinë, Terziqi ishte i pakënaqur me hapësirën që i ishte dhënë. Ai kishte shënuar tre gola në humbjen 21:20.
Në ndeshjen e parë ndaj Turqisë, më 3 nëntor, Terziqi kishte realizuar pesë gola. Në barazimin 28:28 ndaj Belgjikës, kishte shënuar katër gola.
Kosova të mërkurën në Prishtinë e luan ndeshjen me Turqinë, ndërsa në fundjavë luan në udhëtim ndaj Belgjikës. I duhet t’i fitojë të dy ndeshjet dhe të përshtaten rezultatet e ndeshjeve të tjera për të përfunduar e dyta në grup dhe për të avancuar tutje. Aktualisht është e fundit në grup me një pikë. Udhëheq Greqia me tetë pikë, ndërsa Turqia i ka katër pikë në pozitën e dytë. Belgjika është e treta me tri pikë. Dy të parët në grup avancojnë tutje.
Kosova do të jetë edhe pa Egzon Gjukën, një tjetër lojtar i rëndësishëm. Gjuka është lënduar në fund të ndeshjes ndaj Greqisë.
Terziqi e Gjuka aktualisht janë pjesë e kampiones së Kosovës, Besa Famgas.
KOHA ka provuar të flasë me Terziqin, që nuk është përgjigjur në telefon.