Sport

Futbollistja që po e ndihmon zhvillimin e padelit në Kosovë

Në fund të muajit gusht Kosovës iu shtua edhe një federatë sportive. Bëhet fjalë për Federatën e një sporti thuajse të panjohur në Kosovë – padelit. Për ta promovuar më shumë padelin, i cili aktualisht është ndër sportet me rritjen më të madhe në botë, Federata e Padelit e Kosovës ka zgjedhur disa personalitete sportive.

Tre muaj pas themelimit, kjo federatë njoftoi se në turneun e parë që e organizoi në Halmstad të Suedisë, pjesëmarrëse ishte edhe Arbnora Robeli.

Në Kosovë ende nuk ka infrastrukturë për sportin e padelit dhe për këtë arsye drejtuesit e Federatës garën e parë e mbajtën në Suedi.

Arbnora Robeli është emër i njohur në botën e futbollit. 29-vjeçarja, që është nga Gjilani por që jeton dhe vepron në Suedi, ka luajtur futboll në elitën suedeze. Ka qenë pjesë e skuadrës Falkenbergs, ndërsa ka luajtur edhe te IS Halmia. Vitin e shkuar Robeli vendosi të tërhiqej nga futbolli për t’iu përkushtuar sportit tjetër, padelit. Tani ajo synon që nëpërmjet këtij sporti ta lartësojë emrin e Kosovës. Ajo e dëshmoi veten qysh në turneun e parë të Federatës kosovare, duke triumfuar në dyshe me Kaltrina Rushitin.

“Këtu në Suedi padeli është sport popullor dhe të gjithë e luajnë. Është sport shumë social, krijon njohje të reja. Por edhe është një aktivitet shumë i mirë fizik për t’u kryer. Vitin e shkuar kam filluar të luaj dhe tani jam aktive në këtë sport”, thotë Robeli për KOHËN.

Cili është dallimi mes futbollit dhe padelit? Pse vendosi Arbnora që t’i përkushtohet një sporti krejtësisht tjetër, pavarësisht ofertave që kishte për të luajtur futboll?

Ajo thotë se është e vendosur që të ndihmojë dhe promovojë sportin e panjohur në Kosovë.

“Dallimi mund të them se është i madh. Unë kam kaluar nga një sport me top në një sport me raketë. Tani jam duke punuar me një trajner profesional për t’u përmirësuar sa më shumë dhe për të pasur suksese në padel. Padeli ka shumë ngjashmëri me tenisin dhe unë kam luajtur tenis më parë. Mirëpo ajo që e veçon padelin është se loja shkon shumë më shpejt dhe mund t’i përdorësh muret. Kjo do të thotë se duhet të jeni të përgatitur gjatë gjithë kohës”, tregon Arbnora.

Image

Rregullat e veçanta të padelit

Pra, padeli është sport me raketë i cili mund të cilësohet kombinim i lojës së tenisit dhe sporteve të tjera. Në botë ka rritjen më të madh dhe në Spanjë vlerësohet sporti i dytë më i luajtur pas futbollit.

Rregullat e këtij sporti janë bërë në vitet ‘70, ndërsa Federata Ndërkombëtare e Padelit është themeluar në vitin 1991. Prej vitit 1992 ka filluar të mbahet Kampionati Botëror.

Padeli luhet në fushë 10 metra të gjerë dhe 20 metra të gjatë, me një rrjetë në mes që e ndan fushën në dy pjesë të barabarta, ngjashëm si në tenis, por që fusha është më e vogël.

Për dallim prej tenisit, në padel përdoren edhe muret e xhamit gjatë lojës. Raketi i padelit nuk ka rrjetë sikurse ai i tenisit, ndërsa topi është pothuajse i njëjte sikurse i tenisit, por më i butë dhe pak më i vogël. Gjithashtu është me më pak presion.

Loja e padelit gjithmonë luhet në dyshe dhe shënimi i pikëve është i njëjtë sikurse në tenis.

“Unë stërvitem 2-3 herë në javë me një trajner profesionist dhe dua të jem sa më mirë që të mundem. Rregullat janë shumë të ngjashme me rregullat e përdorura në tenis. Dallimet midis tenisit dhe padelit janë dimensionet e fushës, shërbimi është i ndryshëm në padel ku mund të bëni shërbimin vetëm nga poshtë. Pastaj luani me raketat e tjera”, thotë Arbnora Robeli, e cila shton që së bashku me Federatën kanë plane të mëdha për zhvillimin dhe njohjen e këtij sporti në Kosovë.

“Këtu në Suedi ka vajza shqiptare që luajnë padel. Kam takuar edhe vajza që më parë kanë luajtur tenis në nivelin elitar, të cilat kanë filluar të luajnë padel. Shpresoj se në një të ardhme të afërt do të kem mundësi të përfshihem në zhvillimin e padelit në Kosovë, sidomos te femrat”.

Karriera në futboll

Robeli ka marrë pjesë në zhvillimin dhe promovimin e futbollit të femrave në Suedi. Ajo është edhe terapiste e psikologe sociale, si dhe modele. Është pjesë e bordit të një klubi të volejbollit në Suedi që luan në elitë. Robeli është e lindur në Norvegji. Karrierën sportive e ka ndërtuar në Suedi, ku edhe jeton. Ajo tani është e dhënë pas padelit dhe aspak nuk është penduar që është tërhequr nga futbolli për t’iu përkushtuar një sporti krejtësisht tjetër.

“Jo, nuk jam penduar. Në fakt, kam marrë mjaft oferta për të luajtur futboll. Megjithatë, unë mendoj që kam arritur mjaftueshëm në karrierën time në futboll, kështu që mundësitë për të pasur sukses janë edhe në padel, vetëm duhet t’i përkushtohem maksimalisht”.

Arbnora qysh si fëmijë ka qenë e përkushtuar pas sportit, në veçanti futbollit. Në futboll ka luajtur sulmuese, kurse karrierës aktive i ka dhënë fund në divizionin e tretë të Suedisë.

“Me futboll kam filluar të merrem prej moshës gjashtëvjeçare, sepse gjithmonë më ka pëlqyer sporti. Në fillim kam luajtur me djemtë dhe pastaj arrita deri në nivelin elitar të Suedisë, ku isha pjesë e skuadrës Falkenbergs dhe deri vitin e shkuar kam qenë aktive në futboll”, shprehet Arbnora.

Ajo ka qenë prej lojtareve të para që ishte pjesë e Përfaqësueses së Shqipërisë. Për Shqipërinë ka luajtur prej vitit 2012 deri në vitin 2017 dhe ka kompletuar dy cikle kualifikuese për Kampionatin Botëror. Ishte njëra prej lojtareve të para që iu përgjigj pozitivisht ftesës për ta prezantuar Shqipërinë pas formimit të Përfaqësueses.

“Isha prej futbollisteve të para te Shqipëria, pasi më pëlqen të jem e përfshirë që në fillim gjithmonë. Unë kam qenë e përfshirë edhe në formimin e një ekipi të femrave në Suedi, në një klub që kishte ekzistuar për 100 vjet. Në vitin 2012 u ftova te Shqipëria, ftesë të cilën e pranova me kënaqësinë më të madhe dhe jam krenare për periudhën time aty”, tregon Robeli.

Në Federatën e Padelit të Kosovës nuk hezituan ta ftojnë Arbnorën që t’iu bashkohet në nismë. Në Federatë thonë se Robeli do të ndihmojë shumë në zhvillimin e padelit në Kosovë dhe Suedi, shtet ku aktualisht Federata kosovare po mban aktivitetet.

Në krye të Federatës është Besim Shulemaja që ka luajtur futboll në Suedi.

Aktualisht padeli nuk ka fusha të improvizuara në Kosovë, por Federata ka njoftuar se është në proces për ndërtimin e tyre, fillimisht në Prishtinë dhe pastaj në qytetet e tjera. Prej vitit të ardhshëm të gjithë ata që duan të jenë pjesë e këtij sporti do të mund ta zhvillojnë aktivitetin e tyre. Të paktën kështu thonë nga Federata. Synimi është që të hapet një qendër e padelit në Prishtinë.

“Interesimi për këtë sport i ka kaluar edhe pritshmëritë tona, prandaj do të shihemi shumë shpejt me fushat e para të padelit në Kosovë”, thonë nga Federata.