Në vitin e kaluar i dha fund karrierës në futboll pasi vendosi të merrej vetëm me shkollim, por po e mundonte edhe një lëndim gjithashtu. Madje e la edhe shiritin e kapitenes te Kosova A në konkurrencën e femrave. Megjithatë, pas një viti Valentina Limani i është kthyer sërish futbollit. Ajo është grumbulluar me Kosovën për dy ndeshjet e shtatorit kundër Shqipërisë dhe Norvegjisë për kualifikimet e Botërorit 2023. Limani aktualisht luan te Frankfurti në Gjermani. Për “Sportin në KTV”, Limani thotë se ka qenë pikërisht Kosova arsyeja që është kthyer sërish të luajë futboll.
“E kam pasur një pauzë, pasi kam pasur problem me një lëndim në shpinë. Ka qenë edhe shkollimi arsye që e kam pasur këtë pauzë. Por kam biseduar me mësueset në shkollë dhe janë dakord që unë mund të shkollohem dhe të luaj për Kosovën njëkohësisht. Jam shumë e lumtur që jam kthyer sërish te Kosova. Arsyeja që kam filluar të luaj sërish futboll ka qenë Kosova dhe familja ime, e cila më ka përkrahur që nga fillimi”, u shpreh Limani. “Ka qenë shumë vështirë. Është dashur ta motivoja veten që të vazhdoja pa futboll. Unë kisha dhimbje në shpinë, shkoja te mjeku. Ai më thoshte se nuk guxoj të luaj futboll, unë kisha dëshirë dhe e kam dhënë 100 për qind nga vetja që të luaj sërish dhe të luaj për Kosovën”.
Mesfushorja ofensive që në moshën gjashtëvjeçare kishte migruar në Gjermani, tregon se sa shumë janë gëzuar në familjen e saj, si dhe bashkëlojtaret që përsëri do të veshë fanellën e Kosovës. Madje ajo ka thënë se i ka munguar shumë futbolli.
“Familja ime është gëzuar shumë që unë sërish do të luaj për Kosovën. Po ashtu edhe bashkëlojtaret, të cilat më kanë pritur shumë mirë. Aq mirë më kanë pritur saqë më është dukur që kam ardhur për herë të parë. Më kanë munguar shumë grumbullimet me Kosovën. Kam pasur edhe biseda me trajneren Afërdita dhe ajo më ka thënë që mund të vijë sërish”, ka deklaruar Limani.
24-vjeçarja thekson se ndaj Shqipërisë do të jetë duel emocionues, por është optimiste se mund të arrijnë fitore. Ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës zhvillohet të enjten në “Elbasan Arena” prej orës 19:00.
“Për mua ka qenë një emocion shumë i madh të luaj kundër Shqipërisë në vitin 2017 dhe njëjtë do të jetë edhe tani. Më sa më kujtohet kam qenë e vetmja lojtare te Kosova që luaja jashtë. Tani kemi më shumë lojtare të diasporës dhe besoj që të gjitha do ta japin maksimumin për të arritur fitore”, theksoi futbollistja e Kosovës.
Për rikthimin e Valentina Limanit ka folur edhe përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija. Ajo e krahason talentin e Limanit me të Fatmire Bajramajt.
“Me shtabin e kemi diskutuar çështjen e Valentina Limanit. I kam thënë që mundet me qenë vështirë për ta lënë futbollin. E kam një përshtypje që një vajzë e cila e do futbollin, e do 150 për qind, krahasuar me meshkujt që e duan futbollin. Të luajnë sport amator, të ushtrojnë në kushte dy-tri herë më të vështira sesa meshkujt dhe të kenë kaq angazhim dhe dëshirë është diçka shumë e madhe. Kështu që një vajzë, e cila e praktikon futbollin, nuk e ka lehtë të shkëputet komplet prej futbollit. Sipas Valentinës, një prej problemeve që nuk ka mundur ta kalojë ka qenë Kombëtarja e Kosovës. I ka munguar Kosova në përditshmëri, në jetën e saj dhe ndoshta Kosova ka qenë vendimtare që të rikthehet dhe të vazhdojë”, tha Fazlija.
E para e shtabit teknik të Kosovës, Fazlija, tregon një detaj interesant që i veçon femrat që merren me futboll nga meshkujt.
"Për grumbullimin e shtatorit, e kam kontaktuar unë. Përgjigjja e saj ka qenë kur me nxjerrë biletën. Ka filluar përgatitjet me Kosovën. E kam përcjellë edhe më herët. Është lojtare që ndoshta pas Fatmire Bajramajt ka qenë lojtarja më me perspektivë në Gjermani. Është vajzë e cila besoj që mund ta zëvendësojë pauzën që ka pasur. Është ndër vajzat e para që ka ardhur në vitin 2017 prej diasporës dhe ka pranuar të luajë për Kosovën dhe me dëshira ia kam dhënë mundësinë që të jetë pjesë e 25 lojtareve të ftuara për ndeshjet e shtatorit”, u shpreh Fazlija.
Me Kosovën, Valentina Limani ka shënuar dy gola në 21 ndeshje. Ajo është motra e Gentrit Limanit që luan te Hamburgu U23. Gentriti ka qenë pjesë e Kosovës U19 dhe U21. Motër e vëlla luajnë për Kosovën, falë edhe dëshirës së babait të tyre, Heset Limani.