Sport

West Hami transferon Vlashiqin

Klubi i Premier Leagues së Anglisë, West Ham United, ka zyrtarizuar transferimin e reprezentuesit të Kroacisë, Nikola Vlashiq, nga CSKA Moska.

Vlashiq 23-vjeçar ka firmosur kontratë pesëvjeçare me West Hamin.

“West Ham Unitedi është i lumtur të njoftojë transferimin e reprezentuesit të Kroacisë, Nikola Vlashiq. Talenti 23-vjeçar ka firmosur kontratë pesëvjeçare ndërsa vjen nga klubi i Premier Leagues së Rusisë, CSKA Moska”, thuhet në njoftimin e West Hamit.

Raportohet se për transferimin e Vlashiqit klubi anglez ka paguar 30 milionë euro, shifër që mund të rritet edhe për 9 milionë euro tjera varësisht nga bonuset. Kontrata e tij skadon deri në verën e vitit 2026 dhe ka mundësi për t’u vazhduar edhe për një vit.