Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, e ka vlerësuar të merituar kalimin e Ferencvaroshit në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Prishtina humbi 3:1 në “Fadil Vokrri” të martën mbrëma, pasi kishte pësuar 3:0 në Budapest. Ramadani ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës së tij, ndërsa ka thënë se është një humbje për të cilën nuk duhet të mërziten.
“Me rezultatin nuk mund të jemi të kënaqur, pranuam tre gola. Me lojën mund të jemi të kënaqur, marrë parasysh çfarë kundërshtari kishim përballë. Kualifikimi ishte mision i pamundur dhe një barazim do të ishte shumë i mirë për moralin. Për këtë humbje nuk duhet të mërzitemi aspak, sepse duhet të dimë forcën që e kemi. Duhet të japim edhe më shumë në Ligën e Konferencës. Atje nuancat vendosin”, ka theksuar Ramadani. “Uroj lojtarët për angazhimin dhe mundin. Ishte humbje me dinjitet, ndërsa ekipi kundërshtar me plot meritë avancon tutje. Jemi të vetëdijshëm se ndaj Ferencvaroshit ishim autsajder. Me kundërshtarin e ardhshëm do të vendosin nuancat. Përballë do ta kemi kampionin e Uellsit apo atë të Armenisë”, ka shtuar trajneri i Prishtinës.