Futbollisti Behar Maliqi është i lumtur për titullin e fituar me Prishtinën pas tetë vjetësh pritje. Ai ka thënë se ka qenë sukses i madh, ndërsa nuk ka zbuluar se ku do ta vazhdoj karrierën. Maliqit që është lojtari më i trofeshëm në Kosovë, i ka përfunduar kontrata me Prishtinën, ndërsa ka thënë se do të njoftoj në ditët në vazhdim për të ardhmen e tij.
“Nga Prishtina gjithmonë pritet trofe dhe nëse vitin e ardhshëm e fiton sërish, atëherë emocionet do të jenë më të vogla. Por, këtë vit ka qenë emocionuese për ne, pasi e kemi fituar pas gati tetë vjetësh pritje, edhe pse vitet e fundit ka qenë afër të fitohet. U ka munguar fati dhe këtë vit u kurorëzua me titull. Cilësia e futbollit është rritur dhe gara me dhjetë ekipe ka qenë më konkurrente, pasi përballesh katër herë ndaj një skuadre. Ka pasur ardhje cilësore e disa të nivelit më të dobët se të Superligës, por cilësia është rritur”, ka thënë Maliqi për Sportin Total të KTV-së.
Ai në karrierën e tij ka fituar gjashtë trofe. Por, ai thekson se merita i takon bashkëlojtarëve e më së paku atij.
“Është meritë që kam qenë pjesë e klubeve të mira dhe kam pasur bashkëlojtar cilësore, trajnerë dhe klube që kanë luftuar për trofe. Kemi shumë lojtar të mirë që ndoshta krejt karrierën e tyre nuk kanë fituar asnjë trofe, por fati i tyre ka qenë që kanë luajtur në ndonjë skuadër që nuk ka luftuar për trofe. Suksesi ndoshta më së paku ka qenë e imja”.
Për të ardhmen e tij tha se “do t’u informoj në ditët në vazhdim, nesër do të fillojmë përgatitjet për Evropë, por për detajet do t’u informojmë”.