Sport

Ndikimi i madh i futbollit në promovimin e shtetësisë së Kosovës

Ndikimi i sportit në promovimin e shtetësisë së Kosovës është i madh. Kështu të paktën është vlerësuar në konferencën “Futbolli dhe ndikimi i tij në promovimin e shtetësisë së Kosovës”, që është mbajtur në Kampusin e UBT-së në Lipjan. Konferencën e kanë organizuar Instituti i Kosovës për Sport në bashkëpunim me Kolegjin UBT, në prag të ndeshjes së Kosovës me Spanjën në kuadër të eliminatoreve për Botërorin 2022.

Pos nikoqirit, rektorit të UBT-së, Edmond Hajrizi, në konferencë morën pjesë edhe ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, dhe gazetari i KOHËS, Augustin Palokaj. Në konferencë, profesori Richard Giulianotti nga Mbretëria e Bashkuar dhe gazetari Juan Manuel Montoro nga Spanja kanë folur për rolin e sportit në shoqëri, si dhe për ndikimin e futbollit në marrëdhëniet midis Kosovës e Spanjës.

“Imazhi më i mirë që Kosova mund t’i tregojë botës, është një imazh i një shoqërie të shëndetshme, gjithashtu përmes sporteve, një shoqëri që është sa konkurruese edhe aq bashkëpunuese në arritjen e

interesit të përbashkët”, ka thënë Edmond Hajrizi. Sipas tij, diplomacia më e mirë e Kosovës është përmes fuqizimit të sportistëve në sportet individuale dhe ekipore brenda vendit, që ata ta prezantojnë me krenari shtetin në nivelet më të larta ndërkombëtare.

Çitaku ka folur për lidhjen e sportit me politikën.

“Në rastin e Kosovës, sporti ka rrëzuar muret e mosnjohjes për Kosovën, me atletët e sportistët tanë që kanë udhëtuar në mbarë botën, edhe në vende mosnjohëse, duke shkëlqyer dhe ngritur flamurin tonë në majat më të larta”, ka theksuar Vlora Çitaku. Ajo ka shtuar se sporti i Kosovës ka qenë më i suksesshëm se politika në “arritjen e kufijve të rinj ndërkombëtarë”.

Eroll Salihu ka folur për pengesat politike gjatë procesit të pranimit në FIFA e UEFA.

Gazetari spanjoll, Montoro, ka thënë se garat ndërkombëtare janë të rëndësishme për promovimin e Kosovës. Ai e ka cilësuar ndeshjen me Spanjën si moment historik për prezantimin e Kosovës si entitet i veçantë e i pavarur te publiku spanjoll.

“Kjo do t’iu mundësojë autoriteteve politike spanjolle të rrisin vëmendjen ndaj rritjes së komunikimit me Republikën e Kosovës, dhe t’i tejkalojnë edhe barrierat politike imagjinare. Njohja nga Spanja do të jetë e rëndësishme për Kosovën, por ndërkohë ngjarje të njohura dhe masive si kjo ndeshje mund të ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit tek audienca spanjolle dhe, në fund të fundit, mund të shtyjnë drejt një angazhimi më të mirë të Spanjës në çështjet që lidhen me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi”, ka theksuar Montoro.

Korrespodenti i KOHËS nga Brukseli, Augustin Palokaj, prezantoi një perspektivë shumë interesante lidhur me procesin e liberalizimit të vizave në Evropë, dhe sa e rëndësishme do të jetë për tifozët kosovarë në të ardhmen. Sipas Palokajt, “nëse nuk do të ishim në mes të një pandemie globale, do të kishte shumë tifozë kosovarë që do të dëshironin të udhëtonin në Spanjë për të parë këtë ndeshje

historike. Por të gjithë e dimë se cili është pozicioni i Spanjës, e cila përveç që nuk e njeh Kosovën, nuk njeh as pasaportën e Kosovës. Nuk po shohim vullnet të mirë nga Spanja në këtë drejtim dhe është

politika ajo që në Spanjë po përpiqet të ndikojë në sport. Gjithashtu, anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA ka hapur rrugë që Kosova të mund të aplikojë për fondet e BE-së për zhvillim”.