Sport

Ishte në stol ndaj Schalkes, kosovari 17-vjeçar pret që shpejt të debutojë në Bundesligë

Sulmuesi i krahut, Dion Berisha, po shpreson që këtë edicion të debutojë me ekipin e parë të Augsburgut në Bundesligë të Gjermanisë në futboll.

Futbollisti 17-vjeçar, me prejardhje nga Kosova, tashmë ka marrë një sinjal se debutimi është afër. Së fundi, të dielën, u ftua në skuadër për ndeshjen kundër Schalkes, në të cilën Augsburgu luajti baras (2:2), në kuadër të xhiros së 11-të të Bundesligës.

Për Berishën, i cili vlerësohet njëri prej lojtarëve më të talentuar te Augsburgu, kjo ishte hera e parë që u grumbullua me ekipin e parë të Augsburgut, me të cilin ka stërvitur kohët e fundit.

Ai në një intervistë për KOHËN ka pranuar se është ndier i emocionuar që ishte pjesë e një ndeshjeje të Bundesligës. Ai thotë nuk mund ta përshkruajë ndjenjën që e pati gjatë kohës sa qëndroi në bankën e rezervistëve kundër Schalkes. Berisha vlerëson se ky është vetëm hapi i parë drejt promovimit në ekipin e parë të Augsburgut.

“Kur më treguan se do të jem pjesë e ekipit për ndeshjen kundër Schalkes, u ndjeva shumë mirë dhe nuk kam fjalë ta përshkruaj një ndjenjë të tillë. Për mua ishte shumë e rëndësishme që të ftohem pasi klubi me këtë konfirmoi se llogarit në mua për të ardhmen”, u shpreh Berisha të hënën. “Natyrisht që dëshira është të debutoj me ekipin e parë dhe shpresoj që këtë ta bëj gjatë këtij edicioni. Ftesa në ekipin e parë sigurisht që ka ardhur pas punës dhe angazhimit të madh që e kam bërë në stërvitje. Ka kohë që po stërvitem me ekipin e parë dhe pres që së shpejti të vijë edhe debutimi”.

Në të vërtetë, Berishës i është thënë se deri në fund të këtij edicioni do të ftohet të jetë pjesë e ekipit të parë, përkundër që luan me skuadrën U19 të Augsburgut, në të cilën është promovuar në verën e këtij viti nga ekipi U17. Me ekipin U19 Berisha ka shënuar pesë gola dhe ka bërë një asistim në katër paraqitje. Ai pranon se paraqitjet e mira te ekipi U19 këtë sezon kanë bërë që të merret në konsideratë nga trajneri Heiko Herrlich që ta përfshijë në skuadër ndaj Schalkes.

“Me ekipin e parë jam stërvitur edhe vitin e shkuar, por këtë edicion kam më shumë stërvitje dhe po punoj shumë për ta bindur trajnerin se jam i gatshëm për debutim. Gjithashtu deri në fund të këtij edicioni do të jem pjesë e ekipit të parë dhe kjo më bën edhe më optimist për debutimin tim”, është shprehur Berisha. “Këtë sezon kam treguar formë të mirë tek ekipi U19 dhe kjo duket se i ka rënë në sy trajnerit, i cili nuk hezitoi për të më ftuar te skuadra e parë. Për mua përfshirja në ekipin e parë do të thotë shumë”.

Pasi është ftuar në ekipin e parë të Augsburgut, Berisha ëndërron që në një të ardhme të marrë ftesë edhe nga Përfaqësuesja A e Kosovës. Ai në tetor të vitit të shkuar është ftuar nga Kosova U17 dhe ka regjistruar tri paraqitje.

“Dëshira ime është që një ditë të luaj me Kosovën A, por ende ka kohë, sepse dua të zhvillohem edhe më shumë si lojtar, të shkoj hap pas hapi”, pranoi Berisha, i cili si lojtar është zhvilluar në Akademinë e Augsburgut.

“Klubi ka shumë besim në mua dhe ftesa në ekipin e parë për ndeshje kampionale është edhe meritë e klubit. E rëndësishme është që unë të qëndroj me këmbë në tokë, të punoj dhe të pres rastin tim për të debutuar. Kurdo që më ofrohet rasti, unë do të jem i gatshëm”.

Në shtator të këtij viti Augsburgu në faqen zyrtare njoftoi se ka firmosur kontrata afatgjate me disa prej talenteve të Akademisë, ku ishte i përfshirë edhe Berisha. Në njoftimin e klubit shkruante se Berisha është një prej lojtarëve që shihet si e ardhmja e ekipit nga Bundesliga. Kosovari ka thënë se me siguri se së shpejti do të ulet për të negociuar kontratën e re pas ftesës për të qenë pjesë e ekipit të parë.

“Për kontratën e re do të ulemi të bisedojmë me klubin, por me siguri që vitin tjetër”, tha Berisha.