Agon e Arbnor Muçolli janë vëllezër dhe bëjnë karrierë futbollistike në Danimarkë. Agoni është një vit më i madh se Arbnori. Ky i dyti, megjithatë, deri tani ka karrierë më të suksesshme. Luan në Superligën e Danimarkës te skuadra Vejle Boldklub. Ndërkaq, Agoni luan në rangun e dytë të futbollit danez, te skuadra FC Fredericia. Ata janë të ndarë në klube, por janë bashkë te Kombëtarja U-21 e Shqipërisë. Kanë qenë të grumbulluar që të dy, ani pse Arbnori ka luajtur dhjetë ndeshje deri tani dhe ka shënuar një gol. Agoni nuk e ka pasur rastin të luajë ende me këtë grupmoshë. Historia e vëllezërve Muçolli në aspektin futbollistik, është thuajse e ngjashme. Që të dy në një rrëfim për KOHËN, e pranojnë se ka qenë e ëma e tyre ajo që i ka shtyrë të regjistrohen në një klub futbolli. Në fakt, familja Muçolli është e dhënë pas futbollit. E pranojnë se edhe babai i tyre është i dashuruar në këtë sport. Edhe disa kushërinj të tyre luajnë futboll, ndonëse ende janë të rinj dhe nuk e kanë shijuar ende futbollin profesionist. Nga ato që kanë dëgjuar më parë, prej xhaxhallarëve e shoqërisë së babait të tyre, thonë se i ati, Fatmiri, ka qenë futbollist me aftësi të mëdha teknike, por nuk ka luajtur asnjëherë në nivel të lartë. Kjo për shkak të rrethanave të luftës në Kosovë, që e shtynë atë të lëvizte nga Podujeva prej nga janë me prejardhje, drejt Danimarkës. Në shtetin skandinav jetojnë tash e 22 vjet. Të dy prindërit i përcjellin vazhdimisht ndeshjet e tyre. Hapat e parë të Agonit dhe Arbnorit në futboll kanë nisur ka rreth moshës pesëvjeçare. Ata ishin regjistruar në një ekip lokal të futbollit dhe që atëherë kanë qenë të lidhur shumë me njëri-tjetrin. Dhe, e veçanta është se asnjëri nuk e pranon për vete se është më i mirë. E lavdërojnë njëri-tjetrin.
Agoni, debutuesi i pestë më i ri te Vejle
Agoni nisi të luajë në skuadrën Fredericia FF, një klub i vogël në vendin e tij të lindjes. Pjesë e kësaj skuadre ishte deri në grupmoshën U-13. Paraqitjet e tij të mira si i ri, bënë që ai të thirret nga skuadra tjetër daneze, Vejle. “Vejle më kërkoi që t’i bashkohem me grupmoshën U-14 dhe shkova atje, sepse ishte nivel shumë më i lartë. Kam luajtur për Vejlen për disa vjet”, tregon Agoni, që vlerësohet lart nga njohësit e futbollit në Danimarkë. E si 14-vjeçar, jeta e Agonit mori kthesë të re, pasi futbolli ia solli atij edhe Arbnorin bashkë në një skuadër. E vlerëson si momentin më të mirë në karrierë duelin, në të cilin që të dy ishin në një ekip. Por, gjithmonë e kishin pasur një problem në ekip, pasi topin dy vëllezërit ia pasonin vetëm njëritjetrit, jo të tjerëve. Për këtë morën edhe këshilla nga trajnerët e grupmoshës U-12 në klubin e qytetit të lindjes, por edhe te Shqipëria U-21, pasi siç tregon Agoni, u është thënë se futbolli është sport kolektiv, dhe jo vetëm i familjes. “Momenti më i mirë në karrierë ka qenë kur vëllai im i vogël debutoi për Vejlen në moshën 17-vjeçare dhe unë isha 18-vjeçar. Ishim titullarë të dytë në ndeshjen kundër Naestvedit dhe fituam 2:1. Ka qenë moment shumë i madh për mua të luaj bashkë me Arbnorin në ndeshjen e tij debutuese”, kujton Agoni, tani 22-vjeçar. “Arbnori është lojtar më i mirë se unë”. Ai zbulon se së bashku me vëllain kanë luajtur edhe disa ndeshje të tjera para se të ndahen, por Agoni shpreson që sërish në të ardhmen do të jenë bashkë. Agoni edhe pse nuk qëndroi shumë gjatë te skuadra e Vejles, hyri në histori të këtij klubi. Te ky ekip debutoi me 16 vjeç, 10 muaj e 9 ditë, duke u bërë futbollisti i pestë më i ri i këtij klubi që ka luajtur me ekipin e parë. Ka qenë ndeshje e Kupës kundër skuadrës Middelfart, më 4 gusht të vitit 2015. “Paraqitjet e mira që kam pasur kanë bërë që të ftohem te Danimarka nëpër gjeneratat U-16, U-17 dhe U-18. Kam luajtur 18 ndeshje në total për Danimarkën në nivelin e të rinjve. Por kur erdhi trajneri i ri, gjërat nuk shkuan siç i mendova dhe pas një kohe pa luajtur, u ktheva te Fredericia, ku e nisa karrierën si i ri. Tash luaj këtu për një vit e gjysmë”, thotë Agoni. Ndërrimi i ekipit ka bërë që ta vërë përballë Agonin me Arbnorin në fushën e lojës. E kjo nuk i ka pëlqyer fare asnjërit prej vëllezërve, e as prindërve që kishin një dëshirë të veçantë. “Është ndjenjë shumë e mirë të luash me vëllain së bashku dhe më bën të lumtur gjithmonë. Por vitin e kaluar i kemi zhvilluar tri ndeshje kundër njëri-tjetrit. Ekipi i Arbnorit i fitoi dy prej tyre, e ne tjetrën. Të dy kishim shënuar nga një gol dhe patëm nga një asistim në tri ndeshjet. Prindërit, ndërkohë, shpresonin që këto takime të përfundonin baras 2:2, e që të dy golat t’i realizonim ne”, thotë Agoni duke qeshur. Agoni ka pasur sezon të mirë edicionin e shkuar. Kishte realizuar 12 gola e ka pasur dhjetë asistime në 31 ndeshje në të gjitha garat. Ai beson se me paraqitje të mira do të mund të mbërrijë më lart në karrierë. Këtë sezon ka realizuar dy gola dhe ka asistuar një herë në shtatë paraqitje. Agoni vlerësohet si lojtar që i ngjan stilit të belgut Eden Hazard për mënyrën se si luan. Është lojtar i pozitës së krahut të majtë, ose pozitës së numrit 10, por asnjëherë nuk ka luajtur në krahun e djathtë. Normalisht, sytë i ka kah Kosova, që do të ishte dëshirë shumë e madhe për ta përfaqësuar një ditë. “Kosovën e shoh dhe ata luajnë një futboll sulmues shumë të mirë. Por, për fat të keq nuk jam kontaktuar asnjëherë. Nëse ndonjëherë do të bëhesha aq i mirë të luaja për ekipin përfaqësues, padyshim se do të luaja për Kosovën. Unë jam nga Kosova, dhe e shoh veten si një djalosh nga Kosova e të lindur në Danimarkë”, thotë ai.
Arbnori i qëndron ende besnik klubit
Arbnori është 21-vjeçar, një vit më i vogël se vëllai i tij, Agoni. Luan në pozitën e sulmuesit të krahut të majtë, por nuk e ka problem të luajë edhe në krahun tjetër të fushës. Aftësitë e tij ia mundësojnë që ai të paraqitet mirë edhe në pozitën e mesfushorit ofensiv. Ai ka luajtur futboll qëkur ka qenë në çerdhe dhe gjithmonë e ka pasur interesimin në këtë sport. “Karrierën e kam nisur në një klub që quhet Fredericia Forenede Fodboldklubber, pjesë e të cilit isha deri në moshën 13- vjeçare. Më pas lëviza drejt Vejles me vëllain tim. Ia arritëm qëllimit që të dalim në ekipin e parë të Vejles dhe tani ai luan në Fredericia, ndërsa unë jam ende në Vejle”, thotë Arbnori që ka më shumë përvojë në elitën e futbollit danez. Edhe Arbnori vlerësohet shumë për lojën që e tregon në fushë. Luan së bashku me Ylber Ramadanin, mesfushorin e Kombëtares së Shqipërisë. Arbnori ka shënuar shumë gola në karrierë, dhe shpreson që ta mbajë këtë nivel sa më shumë që është e mundur. “Kam shënuar disa gola dhe shpresoj që ta mbaj nivelin tim sa më shumë dhe të përmirësohem vazhdimisht. Më pëlqen të luaj në Superligë dhe kam treguar se mund të konkurroj me më të mirët këtu”, thekson Arbnori. 21-vjeçari, dy herë e ka ndihmuar Vejlen të ngjitet në Superligën e Danimarkës dhe krenohet me të arriturat e deritanishme në karrierë. “Momenti më i mirë personal ndoshta është kur e fitova çmimin si lojtari më i mirë në divizionin e parë, kur fituam ligën dhe promovimin në Superligë. Më i këndshëm ishte promovimi këtë vit. Isha më shumë i përfshirë kësaj here se në të kaluarën, dhe e bën këtë gjë edhe më të ëmbël”, thotë Arbnori, që edicionin e kaluar në rangun e dytë të futbollit danez kontribuoi me shtatë gola e gjashtë asistime në 26 ndeshje. Ai edhe edicionin e ri në Superligë e ka nisur mbarë. Arbnori ka realizuar dy gola në tetë ndeshje të luajtura në kampionat. “Jam shumë krenar për veten dhe puna ime e madhe ka bërë që të jem ky që jam sot. Por, unë e di se ka ende shumë gjëra për t’u bërë dhe më duhet të punoj fort nëse dëshiroj që t’i realizoj ëndrrat e mia”, nënvizoi ai, duke e pranuar se dy gjëra nuk do t’i harrojë përgjatë karrierës. “Gjithmonë kemi luajtur me vëllain si të vegjël, kemi luajtur bashkë edhe në Vejle, dhe në Kombëtaren e Shqipërisë. Me Vejlen fituam një ndeshje bashkë në formacion. Nuk do ta harroj atë ditë, sepse më sjell lumturi. Kemi luajtur bashkë nëpër rrugë me shokë, dhe tani jemi të dy futbollistë profesionistë. Kemi luajtur edhe kundër njëri-tjetrit. Prindërit janë ndier mirë, ndonëse shpresonin të shënonim gola. Por duhet theksuar se janë të lumtur për suksesin tonë dhe janë krenarë që të dy”. Ndonëse me karrierë më të mirë, Arbnori thotë se Agoni është më i mirë se ai. “Ai e ka instinktin vrasës dhe ka mendësi të fortë. Më pëlqen të luaj me të dhe ta shërbej shumë me topa, dhe ai ta fitojë ndeshjen për ekipin për shkak të aftësive që i ka. Shpresoj që një ditë do të luajmë në një prej ekipeve më të mëdha në Evropë dhe të fitojmë diçka së bashku”, përfundoi Arbnori. Edhe Arbnori është në historinë e ekipit të Vejles. Me 17 vjet, 2 muaj e 2 ditë, në duelin kundër Naestvedit, më 17 nëntor të vitit 2016 në fitoren 2:1, u bë debutuesi i tetë më i ri te kjo skuadër.