Sport

Kapitenia 23-vjeçare e Kosovës lë sportin për shkollim

Valentina Limani kishte plane të mëdha. Ëndrra e saj e madhe ishte që si kapitene ta udhëhiqte Kosovën drejt një kampionati evropian. Por ëndrra e saj mbeti në gjysmë. Ajo i ka dhënë fund karrierës si futbolliste ende pa e nisur mirë. 23-vjeçarja vendimin e ka marrë muaj më parë, por e ka zbuluar të mërkurën ekskluzivisht për KOHËN.

“Ka qenë vendimi më i vështirë në jetën time”, thotë Limani.

Ajo ende vazhdon ta përjetojë rëndë këtë vendim. E rëndë e përjetoi edhe familja e saj e po ashtu edhe përzgjedhësja e përfaqësueses së Kosovës, Afërdita Fazlija.

“Ende nuk pajtohem që përfundimisht e ka lënë futbollin”, është shprehur Fazlija me shpresën se Limani do ta kthejë prapa vendimin e marrë. “Personalisht nuk jam përshëndetur me Valentinën. Mendoj që do të gjejë kohë dhe hapësirë t’i kthehet prapë futbollit. Ajo është e lindur për futboll dhe nuk mund të ndahet lehtë nga futbolli”.

Mirëpo është babai i saj, Heseti, që tregon se vendimi i Valentinës është përfundimtar, meqë i ka dhënë prioritet shkollimit.

“Thuajse një vit ka qenë në mendime se si të veprojë, ndonëse mendja e saj thoshte se është koha që të përshëndetet. Por shkaku i Kosovës e ka shtyrë pensionimin. Ne të gjithë i kemi thënë ta vazhdojë, por ishte vendim i saj që t’i thotë lamtumirë futbollit. Na ka ardhur rëndë, sepse e kishte mbështetjen tonë të plotë të vazhdonte tutje. Por, ajo vendosi ta vazhdojë shkollimin”, ka thënë babai i Valentinës, Heseti.

Heseti thotë se rëndë e kanë përjetuar edhe te klubi i njohur evropian, ai i Gjermanisë, FFC Frankfurt. Megjithatë, ai thotë se e kanë respektuar vendimin e Valentinës.

“Prej se u përhap koronavirusi në gjithë botën, Valentina e ndërpreu futbollin për të vazhduar shkollimin. Ajo është duke përfunduar praktikën në një firmë për menaxhere në Gjermani. Por ajo vazhdon të flasë për futbollin, të shikojë futboll”, ka thënë Heseti.

Image

Dy ndeshjet e muajit mars, ajo ndaj Rusisë dhe Sllovenisë, ishin edhe të fundit për Limanin me fanellën e Kosova. Të dyja ndeshjet i takuan fazës së grupeve të kampionatit evropian “Euro 2021”.

E para e diasporës që iu bashkua “Dardaneve”

Në fakt, Limani ishte edhe futbollistja e parë nga diaspora që iu bashkua përfaqësueses së femrave. Ajo debutoi në turneun “Alanya Cup” më 1 mars të vitit 2017 derisa i ka luajtur të gjitha ndeshjet e tjera, përfshirë edhe ato të ciklit kualifikues për kampionatin botëror të vitit 2019, që u mbajt në Francë.

“Ardhja e saj ka qenë inspirim dhe besim edhe për lojtaret e tjera të diasporës. Është lojtarja që nga pjesëmarrja e parë zyrtare e Kosovës për eliminatore nuk ka munguar në asnjë ndeshje. Në të gjitha 11 ndeshjet e para ka qenë startuese. Valentina ka qenë një ndër themelet e formimit të përfaqësueses së femrave që pas pranimit në UEFA dhe FIFA”, ka theksuar Fazlija, që mban ende kontaktet me Valentinën. “Nuk i kam bërë presion për të vazhduar me futboll në këtë moment për arsye të shkollimit. Por, besoj që ajo do të kthehet prapë në futboll”.

Edhe Valentina është ndjerë krenare që ka pasur mundësinë ta djersitë fanellën e Kosovës. E mbi të gjitha, që ishte kapitene e “Dardaneve”.

“Te Kosova më kanë pritur shumë mirë, si vajzat ashtu edhe stafi. Jam e lumtur që kam pasur mundësinë të jap kontributin tim për Kosovën. Po ndihem shumë mirë që jam lojtare e Kosovës dhe që do ta ndihmoj përfaqësuesen me mundësitë që kam. Jam krenare që jam reprezantuese. Besoj se do të bëjmë një grup të mirë lojtarësh dhe do të befasojmë në kualifikime”, ka thënë Valentina Limani.

Valentina te Kosova e ka mbajtur fanellën me numrin dhjetë, numër i lakmuar në futboll. Ajo ka luajtur si sulmuese dhe mesfushore ofensive. Është zhvilluar te klubi i madh evropian FFC Frankfurt. Valentina është ftuar më herët nga U-17 e Gjermanisë, ndërsa e ka kontaktuar edhe kombëtarja e Shqipërisë. Ajo në edicionin 2014/15 ishte grumbulluar në të paktën një ndeshje me FFC Frankfurt që fitoi Championsin në futbollin e femrave. Në dhjetor të vitit 2014 ka luajtur një ndeshje për ekipin e parë të Frankfurtit në Bundesligë.

“Karriera për vajza është më e vështirë. Por, Valentina ka pasur karrierë të mirë. Si 16-vjeçare ka luajtur në Ligën e Kampionëve. Kur Fatmire Bajramaj u largua nga Frankfurti, e ka marrë numrin e saj në fanellë. Edhe Gentriti ka treguar vlerat e tij te Kosova”, ka theksuar Heseti.

Mendon të bëhet trajnere futbolli

Image

Edhe vëllai i Valentinës, Gentriti, është reprezentues i Kosovës. Ai ka luajtur për U-19 e Kosovës derisa është grumbulluar njëherë edhe me Shpresat e Kosovës. Valentina e Gentriti janë nga Komogllava e Ferizajt, ndërsa ka më shumë se 15 vjet që jetojnë në Frankfurt të Gjermanisë.

“Nga ana ime nuk i ka munguar asgjë, sepse edhe vetë jam adhurues i madh i futbollit. Por, kur nuk mund të fokusohesh 100 për qind në një punë, atëherë më mirë është të tërhiqesh. Valentina ka qenë shumë e kënaqur edhe neve na ka bërë krenar me të arriturat e saj. Kosovës iu bashkua me vullnet të madh, derisa respekti nuk i ka munguar as nga përzgjedhësja Afërdita Fazlija dhe stafi saj. Gjithçka ka shkuar mirë, por është vendimi i saj për të vazhduar të merret me shkollim”, ka thënë Heseti.

Heseti ka besim që Valentina do të bëhet e suksesshme edhe në drejtimin që e ka marrë, atë të menaxheres. Njëjtë beson edhe vetë Valentina.

“Është një shkollim profesional që ka të bëjë me menaxhere. Besoj se do të bëhem menaxhere e ndonjë firme të madhe në Gjermani. Është shkollim profesional që duhet ndjekur për tre vjet. Besoj se do t’ia dal me sukses edhe në këtë fushë, që është ndryshe prej asaj që unë kam qenë deri tash”, ka thënë Valentina.

Por, ajo nuk ka përjashtuar mundësinë që një ditë të kthehet sërish në stadium. Jo si lojtare, por si trajnere.

“Më ka shkuar në mendje edhe si trajnere, por të luaj më jo. Ka marrë fund. Nuk kam mundur të fokusohem 100 për qind në të dyja drejtimet. Zgjodha ta ndjek shkollimin derisa futbolli do të mbetet gjithmonë për mua dashuria e parë”, ka thënë Limani.

Valentina thotë se do të jetë përkrahësja më e madhe e Kosovës në të gjitha ndeshjet. Ajo shpreson që t’i shohë shoqet e saj që një ditë të arrijnë kualifikimin në Evropian, gjë të cilën e kishte ëndërruar edhe vetë.