Sport

22 sportistë do të marrin bursa olimpike për “Paris 2024”

Komiteti Olimpik i Kosovës ka vendosur që 22 sportistë nga nëntë sporte të ndryshme të marrin Bursa Olimpike “Paris 2024”.

KOK ka njoftuar se nëntë janë sportiste e 13 sportistë, ndërsa nga 38 sa kanë aplikuar 22 do të marrin bursa. Përzgjedhja thuhet se është bërë nga Komisioni i Sportit në KOK, bazuar në rezultatet ndërkombëtare të vitit 2020 dhe 2021, universalitetin dhe gjithpërfshirjen.

Bursistët do të mbështeten me nga 6000 dollarë në muaj nga Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për periudhën janar 2022 – gusht 2024, ndërsa 2670 euro në muaj apo 85.440 euro për 32 muaj, do t’i shtojë KOK-u nga buheti i vet.

Listës i prijnë dy kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, që do të mbështeten me nga 1.000 dollarë në muaj, ndërsa pasojnë kampioni i Evropës në xhudo, Akil Gjakova, medalistja e bronztë e botës në xhudo, Loriana Kuka dhe i shtati në Lojërat Olimpike Tokio 2020, mundësi Egzon Shala, të cilët do të marrin nga 600 dollarë në muaj.

Me nga 450 dollarë do të përkrahen xhudistet Laura Fazliu e Erza Muminoviq dhe atleti Muhamet Ramadani.

Në grupin e parafundit me nga 300 dollarë janë: Flaka Loxha e Shpati Zekaj (xhudo), Nexhat Sahiti (shenjëtari sportive), Shpejtim Bajoku e Donjeta Sadiku (boks), Arti Krasniqi e Eda Zeqiri (not), Arnis Agushi (taekwondo) dhe Edi Dvorani (shigjetari).

Me nga 250 dollarë në Alaudin Suma e Gresa Bakraçi (atletikë), Patriot Behrami (boks), Albion Ymeri (triatlon) dhe Arbër Azemi (taekwondo).

“Notari Arti Krasniqi do të fillojë të marrë bursën pas konfirmimit të Federatës së Notit të Kosovës dhe Federatës Ndërkombëtare të Notit (FINA), që i njëjti do të mund të përfaqësojë Kosovën në garat e organizuara nga FINA. Lista e sportistëve dhe mbështetja e tyre mund të ndryshojë çdo gjashtë muaj, pas vlerësimit të performancës së tyre në garat ndërkombëtare nga komisioni i sportit”, thuhet nga KOK-u.