Numri i klubeve dhe shkollave të futbollit në Kosovës është në rritje të ndjeshme, sidomos pas pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në UEFA dhe në FIFA në maj të vitit 2016.
Kështu të paktën thonë në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Në një përgjigje me shkrim të FFK-së për KOHËN thuhet se ka kërkesa dhe interesim të madh që të regjistrohen edhe klube, dhe shkolla të tjera të futbollit.
Në shtëpinë e futbollit kosovar e vlerësojnë masivizimin e futbollit, por e pranojnë se numri i madh i klubeve ka qenë edhe në kohën e pavarësimit të futbollit të Kosovës në vitin 1991.
Edhe pas luftës numri i klubeve ishte goxha i madh. Por, numri ra gradualisht me kalimin e viteve. Vlerësohej se kjo ishte pasojë direkte e izolimit. Madje, në vitet e fundit para pranimit në UEFA e FIFA, numri i klubeve kishte rënë goxha shumë. Ishte përgjysmuar.
“Për çdo vit kemi kërkesa dhe interesimi shtohet çdo ditë e më shumë dhe si rrjedhojë vjen edhe rritja e numrit të klubeve, e sidomos të shkollave të futbollit, gjë që na gëzon tej mase. Rritje ka edhe në futbollin e femrave në futsall, e po ashtu edhe në ekipe të seniorëve. Dhe kështu po vazhdon masivizimi i futbollit në Kosovë. Sigurisht që pas pranimit në FIFA dhe UEFA numri i klubeve është më i madh, përveç në fillim të mëvetësimit të sportit, i cili ka qenë i ndarë nëpër qytete e regjione, ka pasur më shumë klube, që i bie se në total ishin gjithsej 153 klube”, thuhet në përgjigjen e FFK-së për KOHËN.
Në total në FFK janë të regjistruara 210 klube dhe shkolla të futbollit në të dyja konkurrencat, meshkuj dhe femra. Këtu përfshihen edhe klubet e futsallit dhe të veteranëve. Ndërkohë, të regjistruara në FFK dhe që marrin pjesë në gara janë 80 klube të seniorëve.
“Në Kosovë janë këto liga dhe klube të futbollit: Superliga – 10 ekipe; Liga e parë e ndarë në dy grupe A dhe B, që kanë nga 10 ekipe (gjithsej 20), Liga e dytë – 16 ekipe. Pastaj Superliga U19 i ka 18 ekipe, Liga e parë U19 përbëhet nga 9 ekipe, Liga U17 nga 11 ekipe. Liga e tretë është e ndarë në dy grupe me 34 ekipe gjithsej. Liga e Parë e femrave i ka 11 ekipe, Liga U16 e femrave i ka 13 skuadra. Në futsall Superliga i ka 9 ekipe. Në Ligën e parë të futsallit garat zhvillohen në dy grupe. Grupi A i ka 8 ekipe, Grupi B 6 ekipe”, ka detajuar FFK-ja.
Ndërkohë, liga e veteranëve është e ndarë në katër grupe për shkak të pandemisë dhe i ka 19 ekipe gjithsej.
Ka plot raste kur nga një klub janë nga disa ekipe. Për shembull ekipi i seniorëve, ekipi U19 e U17.
Sipas të dhënave zyrtare, 12 mijë e 424 lojtarë janë të regjistruar në Federatën e Futbollit të Kosovës. Prej tyre, afro 12 mijë janë meshkuj, kurse pak më shumë se 500 janë femra.
Edhe futbolli femëror në vitet e fundit ka shënuar ngritje, sipas Federatës.
“Janë gjithsej 210 klube dhe shkolla të regjistruara. Lojtarë të regjistruar janë 12424 gjithsej. Meshkuj janë 11867 dhe femra 557”, njofton FFK-ja.
Federata e Futbollit e Kosovës vlerëson se rritja e profesionalizmit ka ndodhur në vjetët e fundit. Pjesë e rëndësishme vlerësohen të jenë edhe edukimet e trajnerëve kosovarë.
“Futbolli e kishte dhe gjithmonë do ta ketë primatin dhe shtrirjen më të madhe, por e rëndësishme është që profesionalizmi është shumë më në nivel sesa më përpara, sidomos në edukim të trajnerëve, e po ashtu edhe në edukimin e futbollit. Krejt kjo po arrihet falë kushteve të mira”.
Deri para pranimit të futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare, ka pasur shumë raste kur klubet e trofeshme janë shuar. Dy klubet nga Podujeva, që e kishin fituar edhe titullin e kampionit, Besiana (2002) dhe Hysi (2011), nuk ekzistojnë më shkaku i vështirësive financiare me të cilat ishin ballafaquar. Përveç këtyre klubeve, ka pasur edhe dhjetëra të tjera që janë shuar për problemin e njëjtë.
Probleme financiare ka edhe sot. Disa klube janë të paditura në FFK për shkak se nuk i kanë kryer obligimet financiare ndaj lojtarëve. Ato rrezikojnë që t’u hiqen edhe pikët. Ndërkohë, për arsye të njëjtë, disa klube me traditë në futbollin e Kosovës nuk janë pjesë e Superligës. Madje, ato rrezikojnë të largohen edhe nga Liga e Parë.
Por, një pjesë e klubeve e ka rritur dukshëm buxhetin. Rrogat e lojtarëve nuk kanë qenë asnjëherë më të mëdha. Një pjesë e lojtarëve marrin rroga të majme, prej disa mijëra euro në muaj.
Përveç aspektit financiar, sfidë e madhe për futbollin kosovar mbetet infrastruktura. Aktualisht Kosova e ka vetëm një stadium që i plotëson kriteret ndërkombëtare. Është arena “Fadil Vokrri”, vendi ku luhet çdo ndeshje me karakter ndërkombëtar.