Drilon Tahirukaj me gol në sekondën e fundit ia siguroi Përfaqësueses së Kosovës në hendboll barazimin kundër Italisë, në ndeshjen e parë të fazës së parë eliminatore për Botërorin 2021.
Kosova, të premten mbrëma, në palestrën “Pala Tedeschi” në Benevento, ku do të organizohet i gjithë turneu i Grupit 3, barazoi me shifrat 26:26.
Dymbëdhjetë sekonda pa përfunduar ndeshja, Italia kaloi në epërsi 26:25, por Kosova ia doli të shënojë golin e barazimit “me sirenë”. Tahirukaj lëshoi topin në mënyrë mjeshtërore në sekondën e fundit. Pas golit dhe fundit të ndeshjes, nisi festë e madhe nga hendbollistët kosovarë. Për Tahirukajn, ky ishte goli i katërt në këtë përballje, transmeton Koha Ditore.
“Paraqitje e shkëlqyeshme e Kosovës në hapje të eliminatoreve për Botëror. Pas një lufte shembullore deri në sekondën e fundit, kemi barazuar me Italinë nikoqire, në Benevento. Drilon Tahirukaj ka shënuar golin e barazimit në sekondën e fundit. Të gjithë kanë dhënë maksimumin për pikën e parë në kualifikime të Botërorit. Barazimi dramatik është festuar nga lojtarët tanë, që dhanë shembull si luftohet për ngjyrat e shtetit”, ishte postimi i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) në rrjetin social Facebook pak minuta pas barazimit me Italinë.
Më efikasi te Kosova ishte Valon Dedaj. Ai ndeshjen e mbylli me tetë gola, kurse krahas Tahirukajt, me katër gola te Kosova kontribuoi edhe Kastriot Jupa. Përzgjedhësi i Kosovës, Taip Ramadani, është ndarë shumë i kënaqur me barazimin dhe paraqitjen e hendbollistëve të tij. Ai ka thënë se barazimi me Italinë do të jetë motiv për dy ndeshjet e tjera në kuadër të kësaj faze kualifikuese.
“I kemi përkushtuar kohë dhe energji kësaj ndeshjeje për shkak se ishte më e rëndësishmja në grup. Jam shumë krenar me luftën që bënë hendbollistët, sidomos në fund të ndeshjes ku shpenzuan shumë energji duke luftuar dhe duke mos u dorëzuar për asnjë moment. Kjo është vetëm një ndeshje, kemi marrë një pikë të rëndësishme dhe na presin edhe dy ndeshje të tjera kyç dhe tërë fokusi ynë do të jetë në këto përballje”, është shprehur Ramadani.
Tek Italia, Stefano Arcieri ishte më i dalluari më gjashtë gola, i përcjell nga Riccardo Stabellini (5) dhe Andrea Parisini (4). Ndeshja në përgjithësi ishte e barabartë, me epërsinë që shkonte herë në njërën anë, e herë në tjetrën. Pjesëloja e parë u mbyll 11:11, transmeton Koha Ditore.
Ndeshjen e radhës në këtë fazë kualifikuese Kosova e luan të shtunën (sot), kur do të përballet me Rumaninë (18:00). Rumania e ka nisur me fitore këtë fazë, pasi në ndeshjen e parë, triumfoi ndaj Gjeorgjisë (29:24). Duelin e fundit Kosova do ta luajë të dielën (16:00) kundër Gjeorgjisë.
Vetëm fituesi i grupit kualifikohet në fazën tjetër.