Sport

19 mijë postime abuzive gjatë Kupës së Botës

Projekti i përdorimit të inteligjencës artificiale për përcjelljen e abuzimeve në rrjetet sociale të lojtarëve gjatë Kupës së Botës 2022, ka identifikuar më shumë se 300 persona.
Detajet u janë dorëzuar forcave të rendit, ka thënë FIFA të dielën.

Këta persona kanë bërë komente abuzive, diskriminuese apo kërcënuese në Twitter, Instagram, Facebook, TikTok dhe YouTube, ka thënë trupi qeverisës i futbollit në raportin për mbrojtjen e lojtarëve dhe zyrtarëve gjatë turneut të zhvilluar në Katar.

Abuzimet më të mëdha janë bërë në ndeshjen çerekfinale ndërmjet Francës dhe Anglisë.

Rreth 20 milionë postime dhe komente janë skanuar dhe më shumë se 19 mijë prej tyre ishin abuzive.

Më shumë se 13 mijë prej tyre janë raportuar në Twitter për të ndërmarrë masa.

I njëjti projekt do të aplikohet edhe në Kupën e Botës në konkurrencën e femrave që nis në muajin tjetër në Australi dhe në Zelandën e Re.