Sport

19 gola në 17 ndeshje, vëllai i Arbër Zenelit po e pret Kosovën

Besfort Zeneli është njëri prej lojtarëve më të dalluar në ligën elitare të të rinjve në Suedi. Ai është shkëputur në listën e golashënuesve më të mirë të ligës. Vlerësohet në Suedi, ndërsa zhvillimin e hovshëm në vitet e fundit nuk po mendon që ta ndalë.

Me skuadrën Elfsborg, në “Allsvenskan” (grupmosha U19), Besforti të shtunën shënoi dy gola në ndeshjen me Kalmarin që përfundoi 2:2. Ai tani ka 19 gola në 17 ndeshje. I ka edhe dhjetë duele për t’i zhvilluar deri në fund të kampionatit. Ka gjashtë gola më shumë se përcjellësi i parë.

Futbollisti kosovar ka gjasa të shpallet kampion në Suedi. Me skuadrën Elfsborg renditen në vendin e pestë me 36 pikë të mbledhura nga 18 ndeshje. Prin Gothenburgu me 42 pikë, që ka dy ndeshje më shumë të luajtura.

Besforti, 18-vjeçar, është vëllai i vogël i Arbër Zenelit, yllit të Kosovës. Njësoj si Arbëri, Besforti ka kaluar të gjitha grupmoshat e skuadrës Elfsborg.

“Forma ime aktualisht është shumë e mirë. Jam golashënuesi më i mirë te grupmoshat e reja. Kam shënuar 19 gola. Golashënuesi i dytë më i mirë i ligës është me 13 gola. Por unë nuk do të ndalem. Nuk kënaqem me këtë që e kam arritur, pasi synoj gjëra të mëdha në karrierë”, ka thënë Besfort Zeneli të dielën për KOHËN.

Pavarësisht formës së mirë në të cilën po kalon, Besforti nuk ka marrë thirrje nga Federata e Futbollit e Kosovës për t’i përfaqësuar grupmoshat e reja të “Dardanëve”.

“Kam kontaktuar me zyrtarë të FFK-së, por ende nuk kam qenë i ftuar. Unë e dua Kosovën. Shpresoj që paraqitjet e mia po i shohin. Po pres që të kem edhe ftesë pasi është krenari të luash për vendin tënd. Jam i gatshëm kurdo që Kosova U21 dëshiron shërbimet e mia”, ka theksuar mesfushori me tipare sulmuese, që nuk ka luajtur me grupmoshat e reja të Suedisë ndonëse thotë se e ka pasur mundësinë.

Ëndërr e Besfortit mbetet paraqitja në një ekip bashkë me vëllain.

“Shpresoj që forma ime të vazhdoj e të mos ndalet për shkak të ndonjë lëndimi. Besoj në kualitetet e mia dhe nëse nuk do të kem lëndime, besoj se mund të përfundojë te ndonjë klub i madh. Të luaja me Arbërin në një ekip do të ishte fantastike”, ka thënë Besfort Zeneli, që me futboll ka nisur të merret që nga mosha gjashtëvjeçare.