18 bursistët olimpikë, të cilët po ndjekin normën olimpike për Tokio 2020, janë ndihmuar me 41 mijë euro.
Komisioni i Sportit i KOK-ut, raportoi për performancën e bursistëve në gjashtë muajt e fundit, derisa shprehu shqetësim në lidhje me mos raportimin e shumë federatave, përkundër kërkesës së bërë nga komisioni.
Bazuar në rezultatet e deritashme dhe pas propozimit të komisionit për t’i ndarë bursistët Olimpikë në tri grupe: evident, potencial dhe shpresë, BE i KOK-ut vendosi të shtojë mbështetjen financiare për përgatitje jashtë vendit për të tria këto grupe, në periudhën e ardhshme gjashtë mujore.
Vendimi vlen vetëm për përgatitje të sportistëve jashtë vendit dhe atë në kampe të verifikuara nga federatat përkatëse evropiane ose botërore.
Grupit të parë (evident) që përbëhet nga: Majlinda Kelmendi (xhudo), Nora Gjakova (xhudo), Distria Krasniqi (xhudo), Akil Gjakova (xhudo), Loriana Kuka (xhudo), Herolind Nishevci (karate) dhe Alvin Karaqi (karate), u vendos që brenda gjashtë muajve të ardhshëm, t’i dërgojë në përgatite jashtë vendit maksimumi 40 ditë, për të cilat shpenzimet do të hiqen në shumën 100 euro në ditë për një sportist.
Grupit të dytë (potencial), që përbëhet nga: Orges Arifi (karate) dhe Fortesa Orana (karate), KOK do t’ua heq shpenzimet maksimumi 20 ditë për një sportist, në vlerë 100 Euro në ditë.
Ndërsa, grupit të tretë (shpresë), në përbërje: Musa Hajdari (atletikë), Astrit Kryeziu (atletikë), Vijona Kryeziu (atletikë), Urata Rama (shenjëtari), Dasar Xhambazi (not), Fjorda Shabani (not), Atdhe Luzhnica (shigjetari), Edon Shala (mundje), Drilon Ibrahimi (shenjëtari), t’u hiqen shpenzimet për 10 ditë përgatitje jashtë vendit në vlerë 100 Euro në ditë.
Të 18 bursistët olimpikë prej vitit 2017 marrin bursa Olimpike nga Solidariteti Olimpik i Kosovës dhe Komitetit Olimpik i Kosovës.