Stadiumi "Fadil Vokrri" në Prishtinë do të vazhdojë të jetë shumë i ngarkuar gjatë këtij viti dhe po ashtu gjatë tërë vitit 2020. Në stadiumin e qytetit në Prishtinë do të luhen të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të futbollit kosovar e po ashtu ndeshjet vendore të klubit Prishtina e ndoshta edhe të ndonjë klubi tjetër.
Në një periudhë përfaqësuesja e futbollisteve dhe ajo U-21 e futbollistëve ndeshjet i luanin në stadiumin olimpik "Adem Jashari" në Mitrovicë, por gjiganti buzë lumit Ibër do të fillojë së shpejti të rinovohet, ndërsa nuk do të hapet deri në fund të vitit 2020. Këtë e kanë bërë të ditur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, shkruan sot Koha Ditore.
Stadiumi "Adem Jashari" në Mitrovicë ishte i pari, që u bë gati për ndeshje ndërkombëtare. Pas një rinovimi fillestar ai disi plotësoi kushtet minimale të kërkuara për zhvillimin e ndeshjes miqësore të Kosovës me Haitin, më 5 mars të vitit 2014, që ishte ndeshja e parë pasi FIFA dha leje për miqësore të Kosovës. Më 21 maj të atij viti u luajt edhe miqësorja me Turqinë, ndërsa në të dyja rastet stadiumi ishte i mbushur me nga 17 mijë shikues. Kosova A u kthye në "Adem Jashari" më 13 nëntor të vitit 2017 kur u luajt miqësorja me Letoninë. Këtë herë në stadium ishin vetëm rreth 5.000 mijë shikues.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)