Ndarja e 1.9 milionë eurove nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike për sportin, ka bërë të njohura edhe organizata të ndryshme që pretendojnë se merren me zhvillimin e sportit në vend. Madje disa prej tyre kanë përfituar shuma të majme nga ky fond, shpërndarjen e të cilit e ka bërë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Një organizatë për të cilën dihet pak dhe për të cilën po ashtu ka pak informata në internet, ka përfituar plot 134 mijë e 740 euro.
Bëhet fjalë për organizatën “Center for Health Education and Inclusion Cohesion – Mitrovicë”. Kështu të paktën e ka shkruar emrin e saj MKRS-ja. Mbi 134 mijë, që është dukshëm më tepër se buxheti vjetor i shumë prej federatave, kësaj organizate i takojnë për projektin “Data baza e sportit në Kosovë – DSK”.
“Pl4y International” është një tjetër organizatë me hise të madhe në buxhetin për ringjallje. Asaj i takojnë 50 mijë euro për projektin “Kosovo Players”, emër që nuk shpjegon thuajse asgjë.
Gjithsej janë 234 përfitues, shumica klube sportive e federata. Për shumicën e klubeve janë ndarë nga 3000 euro, por ka pasur edhe përjashtime, përkatësisht ndarje të shumave dukshëm më të mëdha.
Por as organizatat nuk kanë mbetur keq.
OJQ Foleja Prizren ka përfituar 3000 euro, sa edhe OJQ “Marakli t’Biciklave”.
Për projektin “Vrapo Babadimër”, Projekti 5 Cent ka përfituar 3000 euro. Aq i kanë takuar edhe “Graçanica Inovation Center”, për projektin “Aktivizimi i Sportit nëpërmjet lojërave të bordit”. Kjo fjali në fakt nuk shpjegon asgjë.
6000 euro i takojnë, në bazë të vendimit, organizatës “Demokraci Përmes Sportit Dem Sport”, për projektin “Sporti i sigurt dhe gjithëpërfshirës”.
Për projektin “Shëndeti në Sport”, organizatës “Kosova’s Organisation of Medical Students KOMS”, i janë ndarë plot 8050 euro.
Madje është përkrahur edhe projekti “sporti kundër coronës”, i organizatës “NVO Raskrsce”. Për këtë organizatë në dispozicion janë 3000 euro.
8720 euro janë ndarë për “3x3 Prishtina” për projektin: “3x3 satelite 2021; Istogu Edition, Celebrity game-Black Mamba day etj”. Pra bëhet fjalë për projekte të kësaj organizate të basketbollit tre kundër tre.
“Bo Bowling” është mbështetur me 3550 euro, ndërsa 3000 euro i takojnë një organizate për mbështetjen e të rinjve në Graçanicë.
Ka kohë që ka dyshime nëse buxheti për sport ndahet në mënyrë të drejtë. Ndarja e fundit vetëm e forcon këtë bindje. Të paktën një vlerësim të tillë e kanë në Federatën e Volejbollit të Kosovës. Federata që ka dhjetëra klube, është mbështetur me 18 mijë euro, por ka refuzuar të nënshkruaj kontratën.