SOT

Zumba, vallëzimi që ndihmon në humbjen e peshës

Mjaftojnë disa metra katrorë e pak muzikë që këto gra të mblidhen e të vallëzojnë së bashku. Me to është edhe udhëheqësja e grupit, Atletika Morina apo, siç e njohin të gjithë, Tika.

Zumbën, që konsiston në lëvizjet trupore, nën tingujt e muzikës latine e asaj moderne, Tika e ka mësuar qysh në moshën 6-vjeçare. Më pas vazhdoi me shkollimin profesional, ku edhe arriti të realizonte ëndrrën për një studio vallëzimi.

“Zumba është argëtuese, nuk është sikurse ushtrimet e tjera në të cilat mezi kalon ora. Ora e zumbës të duket si 5 minuta”.

Humbja e peshës është qëllimi kryesor se pse gratë duan të jenë pjesë e grupit të pasdites, por thonë se nuk mund të shkëputen më, sepse në këta 60 minuta argëtohen e marrin shumë energji pozitive.

Sipas Morinës, zumba fut në funksion të gjithë muskujt e trupit e ndihmon në shpejtimin e metabolizmit, ka dobi në sistemin kardiovaskular e në qarkullimin e gjakut.

“Përfshin lëvizjes e të gjithë trupit, prej majave të gishtave e deri në maje të kokës. E personat të cilët vijnë të humbin peshë duhet ta kuptojnë që nuk mund të dobësohen nëse nuk kujdesen në mënyrën e të ushqyerit. Ushqimi dhe ushtrimet duhet të shkojnë paralel”, shtoi instruktorja.

Burrat janë fare pak të interesuar për të qenë pjesë e zumbës. Sipas Tikës, kjo ndodh për shkak se në përgjithësi nuk kanë shumë njohuri rreth këtyre ushtrimeve fizike.

E për një kohë të gjatë ka pasur edhe shumë paragjykime.

“Dikur, nuk kanë pranuar të vallëzojnë me persona të gjinisë së kundërt”, shtoi ajo.

Hip-hop e latino janë grupet e tjera të gjakovares. Mosha e të interesuarve prej këtyre grupeve dallon, por për t’u theksuar është se adhuruesit e mëdhenj të vallëzimit janë adoleshentët-të rinjtë.

“Në këto ditë kam edhe persona që mbajnë orë private me qëllim që të mësojnë më mirë vallëzimin latin për ceremoninë e martesës. Por, më e veçanta klasës janë edhe një çift afër të 60-tave të cilët vijnë pa përtesë e më falënderohen cdo herë”, tregon me shumë entuziazëm Morina.

Tika thotë se atmosfera e krijuar brenda kësaj hapësire i përcjell deri në kafene. Duke i ndal dritat e mbyll edhe pjesën e fundit të rutinës së vallëzimit.