Ndër sportet më ekstreme është ai i zhytjes. Në Kosovë ka 6 vjet prej kur u formua klubi i zhytjes “Trepça”.
Liridon Ahmeti, si themelues dhe drejtues i këtij klubi, është adhurues i sporteve ekstreme.
Për ta përvetësuar më shumë atë të zhytjes, ai kaloi vite të tëra në Mal të Zi për t’i kryer trajnimet e nevojshme.
Anëtarë të klubit janë edhe Ivo Gjokiq dhe Urim Ahmeti, të cilët përshkruajnë botën brenda ujit, e kësaj radhe edhe atë të lumit Ibër.
Atmosfera e zhurmshme e botës që na rrethon kontraston me qetësinë që thellësitë e ujit përçojnë, thonë Gjokiq e Ahmeti.
Por, jo çdoherë mund ta shijojnë këtë qetësi. Duke qenë ndër klubet e vetme të zhytjes në Kosovë, ata ftohen edhe në raste të fatkeqësive, si përmbytjet e pastaj edhe kërkimet në ujëra.
Ndjenjë kjo e përzier me kënaqësi kur të tjerët e shohin shpëtimin te ta.
Thonë se i njohin mirë lumenjtë e liqenet e Kosovës, andaj edhe bëjnë thirrje që të mbrohen sa më shumë dhe të mos degradohen.
Aktiviteti i fundit ku klubi i zhytjes “Trepça” mori pjesë ishin garat e kërcimit dallëndyshe, në rolin e mbikëqyrësve.